231010 WikiLeaks Assange
24 Tetor 2010Në dokumente bëhen veçanërisht të qarta përmasat e dhunës, që forcat irakiane të sigurisë kanë ushtruar mbi irakianët, me miratimin apo neglizhencën e aleatëve amerikanë. Në Irak zbulimet e Wikileaks shihen si konfirmim i situatës së dëshpëruar të shtetit të tyre.
Konfirmim i situatës së mjeruar të shtetit irakian
Janë informacione, për të cilat irakianët dyshonin, por dokumentacioni i publikuar i ushtrisë amerikanë do ta shtojë zemërimin. Zyrtarisht SHBA-ja ka mohuar gjithnjë, se mban statistika për viktimat në Irak, që prej hyrjes ushtarake para shtatë vjetësh e gjysmë. Wikileaks dëshmon të kundërtën. Nga Pentagoni është përpiluar një listë ku figurojnë 109.000 të vdekur, ndër të cilët 66.000 janë civilë. Deri tani vetëm organizata joqeveritare "Iraq Body Count" ishte përpjekur të bënte publike viktimat. Zëdhënësi i saj Hamid Dardagan, thotë:
"Sipas këtyre informacioneve, janë edhe 15.000 viktima të tjera, civilë dhe policë irakianë, të cilët nuk janë të dokumentuar askund. Veç kësaj, në dokumentet e ushtrisë amerikane, klasifikohen si armiq të vrarë edhe irakianë, të cilët ne dhe të tjerë, do t'i quanin civilë."
Dy të tretat e të vrarëve mund të kenë qenë civilë
Dokumentet e publikuara nga Wikileaks tregojnë raste të tilla, si ai kur ushtarë amerikanë vrasin para syve të një nëne vajzën e saj gjatë një kontrolli, pasi ajo kishte keqkuptuar një sinjal për të ndaluar. Në raportet e ushtrisë është dokumentuar edhe përpjekja e dy rebelëve për t'u dorëzuar tek ushtarët amerikanë. Meqenëse në helikopter nuk ka vend për ta, jepet urdhri: mbeten objektiva sulmi, pra të ekzekutohen.
Për presidentin e shoqatës së avokatëve arabë, Sabbah al Mukhtar, ky është vetëm fillimi:
"Kjo nuk i habit irakianët. Për ta kjo është vetëm maja e ajsbergut. Nëse amerikanët argumentojnë se kjo nuk është pamja e përgjithshme, unë them se pamja e përgjithshme është shumë më e keqe, ajo vetëm nuk është zbuluar ende."
Vetëm maja e ajsbergut
Tortura, të ushtruara nga forcat irakiane të sigurisë, të toleruara nga ushtria amerikane, e cila ishte në dijeni, qindra të vrarë nga firma amerikane mercenarësh si Blackwater, mbështetje sekrete e milicëve nga Irani: 400.000 faqet e bëra publike nga Wikileaks shpalosin hapur shtatë vjet e gjysmë anarkie në Irak.
"Në të ardhmen njerëzit do të shohin me neveri këtë kohë. Fuqia botërore numër një, fshihet prapa interesave kombëtare dhe sigurisë së ushtarëve të saj, duke përpiluar lista të sakta, të cilat i mban të fshehura. Besueshmëria dhe morali i SHBA-së janë vënë në pikëpyetje", thotë al-Mukhtar.
Irakianët e zakonshëm e kanë humbur prej kohësh besimin e tyre, tek Perëndimi por edhe tek shteti i tyre.
"Unë kam qenë në burg", tregon një irakian për radion gjermane. "Vetëm të pafajshmit shkojnë atje, fajtorët janë të lirë. Unë nuk kam para, nuk kam telefon, familja ime vuan. Ata atje lart fitojnë dollarë, dhe mund të vendosin, kur dhe në çfarë vendi të shkojnë. Ata nuk duan të qeverisin, duan vetëm të vjedhin."
Wikileaks do ta ndezë edhe më tej dëshpërimin e popullsisë, mosbesimin ndaj klasës së vet politike, e cila prej më shumë se shtatë muajsh, nuk është në gjendje të krijojë një qeveri të re. Askush nuk pret që publikimi i dokumenteve sekrete të shoqërohet me lëvizje të madhe pastruese. Edhe avokati al-Mukhtar është i këtij mendimi:
"Situata në Irak është kjo: ka një numër milicësh, të cilët ndiejnë detyrim vetëm ndaj sektit apo fisit të tyre dhe jo ndaj shtetit. Ky është dallimi mes forcave të sigurisë në Irak dhe gjetkë."
Autor: Torsten Huhn / Bahri Cani
Redaktoi: Eliana Xhani