Paralajmërim për ata që udhëtojnë për në Turqi
30 Korrik 2015Ministria e Jashtme gjermane paralajmëron ata që udhëtojnë për Turqi për shkak të gjendjes së tensionuar të sigurisë në vend. Thirrje për kujdes të veçantë bëhet sidomos për ata që udhëtojnë me rrugë tokësore nëpër Turqi. Po ashtu thirrje për kujdes dhe vëmendje të shtuar bëhet edhe për ata që përdorin mjetet e transportit publik në Stamboll, sepse ka të dhëna për sulme të mundshme në stacionet e metrosë dhe të autobusëve.
Në krahinat e Hataj, Kilis, Gaziantep, Sanliurfa, Dijarbakir, Mardin, Batman, Bitlis, Bingël, Siirt, Mus, Tunceli, Sirnak, Hakkari dhe Van ekziston një rrezik në rritje për udhëtarët dhe turistët.
Shkak për këto paralajmërime janë sulmet ajrore turke ndaj pozicioneve të PKK-së dhe të milicëve terroristë në Siri dhe Irak. Por me sa duket këto sulme nuk kanë pasur deri tani ndikim të drejtpërdrejtë në rajonet turistike.
Ofensivë pavarësisht apeleve ndërkombëtare
Megjithë apelet ndërkombëtare për qëndrim të moderuar qeveria turke po përdor gjithë fuqinë e saj ndaj kundërshtarëve politikë. Sipas njoftimeve zyrtare brenda pak ditëve janë arrestuar më shumë se 1.300 të dyshuar. Sipas burimeve kurde të informacionit ata janë kryesisht anëtarë të grupeve kurde dhe të majta. Ushtria ka sulmuar gjithashtu pozicionet kurde në malet Kandil në Irakun verior dhe në juglindje të Turqisë.
Qeveria federale gjermane i bëri thirrje Ankarasë për të rifilluar përsëri procesin e paqes me kurdët. Procesi ka një rëndësi të madhe për Turqinë, tha kancelarja Angela Merkel.
Iraku i kritikoi sulmet ajrore si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe shkelje të sovranitetit të tij. Qeveria e SHBA i quajti sulmet ajrore turke ndaj PKK-së si një akt vetëmbrojtjeje. Partia Punëtore Kurde (PKK) e cila është e ndaluar, ka ndërmarrë sulme të armatosura ndaj policisë turke dhe është agresore, thanë disa zyrtarë të lartë të qeverisë në Uashington. "Në qoftë se PKK-ka nuk do të kishte nisur sulme në Turqi, as turqit nuk do ta sulmonin PKK-në në Irak," u tha në Uashington.