Pesë vjet burg për agjitacion nazist
16 Shkurt 2007Në shpalljen e dënimit gjykatësi Ulrih Meinherzhagen nuk i kurseu fjalët e qarta. Ernst Cyndel është një agjitator i rrezikshëm politik. Cyndel nuk është një njeri gazmor dhe me humor, siç e kishte paraqitur ai veten gjatë procesit. Gjykatësi citoi detaje nga shkrimet e të pandehurit, ku ai shante Israelin si një shtet kriminel. Sipas tyre, Holocausti, asgjësimi i hebrejve ka qenë mashtrimi më i madh i të gjitha kohërave, Hitleri një gjeni, ndërsa gjermanët, "populli i përzgjedhur nga Zoti".
Cyndel, që rrjedh nga një familje druvarësh, në fund të prillit bëhet 68 vjeç. Me këto lloj shkrimesh ai kishte filluar qysh në kohën kur ishte në Kanada, në vitet 60-të. Avokatët mbrojtës që ishin djathtistë radikalë, kishin kërkuar që Cyndel të shpallej i pafajshëm.
Procesin ata e përdorën si platformë për të transportuar idetë ekstremiste. Avokatja Sylvia Stolc, gjatë procesit u përjashtua. Ndërsa policet e nxirrnin me forcë nga salla, ajo thërriste: "Rroftë Rajhu gjerman!". Një letër, të cilën ajo më parë ia kishte dërguar gjyqit, e kishte nënshkruar me "Heil Hitler".
Kundër Sylvia Stolc dhe avokatit tjetër radikal Jyrgen Riger prokuroria në Mannhajm ka filluar hetimet, edhe me akuzën për mohimin e Holokaustit. Në fjalën e tij Riger pat lexuar disa citate nga libri i Hitlerit, "Mein Kampf" (Lufta ime).
Mbrojtësi zyrtar i Cyndelit beson, se i akuzuari është keqpërdorur nga avokatët: "Po të shohësh se si sillet zonja Stolc, kupton që ai është instrumentalizuar. Është si historia e kalit, që e ke përdorur për të shkuar aty ku do, e pastaj nuk të intereson më kur ai bie përtokë nga lodhja."
Salla e gjyqit ishte e mbushur me radikalë të djathtë që brohorisnin e që gjykatësi me shumë mundim dhe ashpërsi arrinte t'i disiplinonte. Shumë prej tyre i dëboi nga salla. Avokatët, të cilët ishin të njohur për tendencën e tyre për të sabotuar proceset gjyqësore, e vinin vazhdimisht në provë gjakftohtësinë e gjykatësit me sulme personale dhe mungesë respekti.
Kryetari i Gjykatës së Dhomës Penale nuk do t'ua falte deri në fund të procesit. Cyndel mbetet në burg, fillimisht deri në fund të pesëvjeçarit. Tre vjet i kanë mbetur, pasi dy të parat i ka kaluar në paraburgim në Mannhajm. I pandehuri vetë kishte heshtur gjatë gjithë procesit. Në fjalën e tij përfundimtare ai theksoi se nuk donte të shkelte ligjet e Republikës Federae. Ernst Cyndel me sa duket kishte shpresuar se do të merrte një dënim më të lehtë.