Populizëm djathtas dhe majtas - Italia voton
4 Mars 2018Sipas të dhënave të instituteve të sondazhit, Italia ndodhet para një fitoreje të madhe të populistëve, si majtas ashtu edhe djathtas. Partia më e fortë mund të dalë „Lëvizja e Pesë Yjeve", një parti e orientuar majtas, e formuar si parti proteste para nëntë vitesh nga komediani Beppe Grillo dhe që sot drejtohet nga 31 vjeçari, Luigi di Maio. Kjo lëvizje ngrihet kundër elitës së vjetër politike dhe premton një politikë sociale. Ajo është skeptike ndaj BE dhe kritike ndaj pranimit të refugjatëve në Itali. Në bisedë me DW, Luigi di Maio tha se „beson se do të bëhet forca kryesore politike dhe se do të krijojë qeverinë". Sipas tij shtetet e tjera në Europë duhet të dallojnë se rreziku i vërtetë vjen nga Le Pen dhe Alternativa për Gjermaninë. „Ne luftojmë kundër Salvinit dhe Lega Nord."
Me këtë kreu i lëvizjes ka parasysh kryetarin e partisë Lega Nord, parti populiste e djathtë, Matteo Salvini, kundërshtari i tij kryesor. Salvini del në këto zgjedhje me moton „Italia në vend të parë" dhe ka krijuar një aleancë me „Forza Italia" të Silvio Berlusconit dhe neofashistët e „Vëllezërve italianë". Forcat populiste të djathta parashihen në sondazhe me një rezultat prej 38% në parlamentin e ri, por edhe ato nuk e arrijnë shumicën absolute. Kampi më i vogël është ai i socialdemokratëve, që parashikimet i nxjerrin me vetëm 22% të votave.
Nuk parashikohen koalicione
Të treja kampet politike kanë përjashtuar koalicionet. Enigmë për votuesit italianë mbetet se si do mund të krijohet qeveria e re në këto kushte. Ligji shumë i komplikuar zgjedhor italian nuk të ofron shumë ndihmë në këtë pikë, thotë njohësi i Italisë, Lutz Klinkhammer, drejtor i Institutit Gjerman të Historisë në Romë në bisedë me DW. „Me shumë gjasa forcat politike do të bllokojnë njëra-tjetrën në parlament", thotë ai. „Mund të ndodhë që të kemi një qeveri teknike që do të përpiqet shumë shpejt të kalojë një ligj zgjedhor në parlament për të thirrur sërish zgjedhje të reja."
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, paralajmëroi se duhet të përgatitemi për „skenarin më të keq", pra një parlament të paaftë për të vepruar. Deklaratat e Junckerit i ngritën kostot e rifinancimit të obligacioneve shtetërore italiane. Tregjet janë të nervozuar dhe sistemi nuk është i stabilizuar, sepse ekonomia italiane rritet shumë ngadalë. Sektori bankar është po ashtu shumë i brishtë.
Shumë u debatua në fushatë se si duhet të ulet borxhi shtetëror me 130% të prodhimit të brendshëm bruto. Profesori i ekonomisë, Ruggero Bertelli nga Universiteti i Sienas thotë se „të gjithë premtojnë, por askush nuk ka një recetë."
Ringjallja e Silvio Berlusconit
Për ish-kryeministrin italian, Silvio Berlusconi, 81 vjeç këto zgjedhje mund të jenë rikthimi i tij në politikë. Megjithëse ai nuk lejohet të marrë poste, sepse është dënuar për mashtrim me tatimet, Berlusconi është ai që lëviz fijet tek lista e djathtë që drejtohet nga „Forza Italia". Të gjitha skandalet e shkuara nuk e kanë rrënuar me sa duket Berlusconin. „Pjesë të qeverisë dhe disa institucione më kanë sulmuar me fyerje e pretendime të gabuara. Por njerëzit e dinë, se fjalosjet për bunga-bunga, party-t të gjitha ishin gënjeshtra, që u shpikën nga palë të interesuara për të eliminuar kundërshtarin politik", tha Berlusconi në një intervistë.
Me rolin e viktimës i qeshuri përjetësisht duket se i prek italianët. Partia e tij kap 16% në parashikimet e sondazheve. Berlusconi është i bindur se qeverinë e ardhshme do ta drejtojë një kryeministër i përzgjedhur prej tij. Ai premton lehtësime tatimore dhe kushte për punësimin e rinisë, por nuk thotë se si do t'i financojë këtë plane.
Kryebashkiaku i Palermos e sheh me sy kritik ngritjen e populistëve si majtas ashtu edhe djathtas. Leuluca Orlando thotë se zgjedhjet e së dielës do të vendosen në jug të Italisë. Partia e tij „Partia e Vlerave" ka pak shanse, thotë ai në bisedë me DW. „Mendoj se populistët janë të cënueshëm nga një rrezik që unë e quaj ‚mafia‘. Populistët nuk e njohin qeverisjen dhe mund të ndikohen negativisht." Ai nuk thotë se Berlusconi është një mafioz, por që klima politike po ndryshon.
Italia nuk do të zhytet në kaos pas zgjedhjeve, ekonomia nuk do të shkatërrohet papritur. „Por problemet mbeten në plan afatgjatë dhe afatmesëm. Bëhet fjalë për investime, bëhet fjalë për atë që gjenerata e re nuk ka perspektivë e prandaj shumë vetë braktisin vendin, sidomos të kualifikuarit." Të dielën votimet mbyllen në orën 23:00, por shpëndarja e vendeve në parlament bëhet e qartë vetëm të hënën në mëngjes.