Prokuroria konfirmon hetimet kundër ish-deputetit socialdemokrat Edathy
14 Shkurt 2014Në rastin e politikanit socialdemokrat, Sebastian Edathy, prokuroria e Hanoverit konfirmoi për herë të parë se kundër ish-deputetit të Bundestagut po zhvillohen hetime për shkak të dyshimit të zotërimit të objekteve të pornografisë me fëmijë. Shefi i prokurorisë, Jörg Fröhlich tha në Hannover se në bazë të të dhënave të tij, Edathy ka porositur midis tetorit 2005 dhe qershorit 2010 nëntë herë në dyqanin në internet të një sipërmarrjeje kanadeze gjithsej 31 filma dhe fotografi të djemve të zhveshur, në moshën midis nëntë dhe 14 vjeç. Materiali i porositur ka qenë në kufirin e objekteve për të cilat dënohesh.
Shtatë porositë e para Edathy i kishte marrë me postë, dy të fundit ai i kishte shkarkuar përmes kompjuterit, të lidhur me serverin e Bundestag-ut. Për këto veprime, politikani socialdemokrat kishte vepruar në mënyrë konspirative, tha Fröhlich. Ai kishte përdorur disa adresa e-maili dhe për të paguar kishte ngritur enkas llogari karte krediti. Edhe shkarkimet përmes një serveri të Bundestag-ut, sipas hetuesve, tërheqin vëmendjen në këtë drejtim, sepse është fjala për kompjutera, që i përdorin shumë njerëz.
Prokuroria kishte vendosur të ndërmerrte hetime, tha Fröhlich, sepse si shumë prokurori të tjera gjermane edhe ajo beson se ai që porosit material pornografik në kufijtë e së lejuarës tek një firmë në botën e jashtme dhe vepron në mënyrë konspirative, mund të zotërojë edhe materiale, të cilat janë të dënueshme penalisht në Gjermani. Edathy e dorëzoi papritur në 7 shkurt mandatin e tij si deputet i Bundestag-ut dhe e argumentoi këtë hap me probleme shëndetësore.
Meqenëse Edathy kishte mësuar ndoshta në mënyrë paraprake për hetimet, prokuroria ka pësuar humbje, tha Fröhlich. Nuk mund të përjashtohet, që është asgjesuar material prove ose janë eleminuar kompjutera. Në kontrollin që iu bë ambjenteve të Edathy qenë të pranishëm edhe përfaqësues të shtypit. U konfiskuan dy kompjutera, por në të cilët ndoshta nuk mund të gjendet material i ndaluar. Vlerësimi i objekteve zgjat ende, tha Fröhlich në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Hanoverit.