Protesta kundër shkarkimit të presidentit të Katalonjës
29 Shtator 2020Mijëra vetë demonstruan në të gjithë Katalonjën mbrëmjen e së hënës vonë kundër shkarkimit të Quim Torras. Sipas raporteve të medias, 500 deri në 1000 vetë u mblodhën në Barcelonë, ndër të tjera, dhe marshuan drejt Parkut Ciutadella përpara parlamentit rajonal. Ata sulmuan policinë me fishekzjarre, qese mbeturinash, gurë dhe koka derri. Përveç kësaj, protestuesit i vunë flakën koshave të plehrave. Pati protesta edhe në pjesë të tjera të Katalonjës.
Drejtësia spanjolle më parë e pati shkarkuar Torrën për mosbindje. Gjykata e Lartë e Spanjës në Madrid e mbështeti një vendim përkatës të Gjykatës së Lartë Rajonale të Katalonjës të dhjetorit të kaluar, sipas të cilit Torra nuk mund të mbajë funksione publike për një vit e gjysmë.
Arsyeja: Para zgjedhjeve parlamentare spanjolle në 28 Prill të vitit të kaluar, 57-vjeçari refuzoi të hiqte simbolet e lëvizjes së pavarësisë nga selia e qeverisë së tij në Barcelona dhe ndërtesa të tjera publike, megjithëse komisioni i zgjedhjeve e kishte urdhëruar këtë. Vëzhguesit druhen se largimi nga posti i Torras në mes të krizës së Coronas dhe tri vjet pas referendumit të paligjshëm të pavarësisë më 1 tetor 2017, do të çojë në një përshkallëzim të ri dhe të rrezikshëm të konfliktit të Katalonjës.
Akuzat e Torras ndaj gjykatës
Torra tha se nuk do ta pranonte vendimin. Në një fjalim televiziv, ai e akuzoi Gjykatën e Lartë se dëshironte të përmbyste qeverinë rajonale dhe të rrezikonte stabilitetin e rajonit në mes të pandemisë së Coronas. "Hakmarrja" është më e rëndësishme për gjyqtarët se "shëndeti dhe jeta e njerëzve".
Qeveria rajonale katalanase edhe pa këtë është tashmë në një krizë të thellë. Partia e Torra Junts per Catalunya (Së bashku për Kataluninë) është grindur me partnerin e saj të koalicionit, partinë Esquerra Republicana de Catalunya (ERC). E paqartë mbetet nëse të dyja partitë mund të bien dakord për një president të ri rajonal.
Rëndësia i vendimit për të gjithë Spanjën
Por vendimi mund të ketë pasoja edhe për të gjithë Spanjën. Në Madrid, qeveria e koalicionit e kryeministrit Pedro Sánchez nuk ka shumicën e saj në parlament. Qeveria e tij e minoritetit varet nga mbështetja e deputetëve katalanas për të miratuar buxhetin.
Lëvizja katalonase e pavarësisë mbajti një referendum në 1 Tetor 2017 kundër vullnetit të Madridit. Më pas ajo madje shpalli pavarësinë e rajonit për një kohë të shkurtër. Qeveria qendrore në Madrid e pezulloi më pas autonominë e Katalonjës dhe e shkarkoi qeverinë e atëhershme rajonale.
Torra e mori detyrën në 2018. Ai konsiderohet si një vijues i vijës së ashpër midis separatistëve. Në fjalimin pas zgjedhjes së tij si president rajonal, ai tha se do të vazhdonte t'i përmbahej rezultatit të referendumit 2017 dhe se donte të ndërtonte një republikë katalanase.
aud (dpa, afp)