Raketa në Tel Aviv, sulme ajrore në Rripin e Gazës
9 Korrik 2014Gati në një interval pesë minutësh godet me bomba aviacioni izraelit në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite kundërpërgjigjet ndaj raketave të Hamasit me sulme të zgjeruara ajrore. Aty sapo mbaron agjërimi i ditës për muajin e Ramazanit. Shtëllunga tymi në qiell. Më pas shihen disa herë raketat e militantëve palestinezë në drejtim të Izraelit. Një kodër në qytetin izraelit Sderot, pak kilometra nga Rripi i Gazës, është kthyer në pikë vrojtimi. Qytetarët nga zonat përreth vijnë të ndjekin sulmet izraelite në territoret palestineze. Disa sjellin me vete edhe karrige portative. Atmosfera është e ndezur. "Shumë mirë që përgjigjemi edhe ne njëherë", thotë një i ri. Prej vitesh Sderot ndjehet i kërcënuar nga raketat e militanëve palestinezë. "Tani kjo duhet të marrë fund. Hamas duhet të marrë një mësim."
Të tjerë janë skeptikë, nëse sulmet mund të ndryshojnë diçka në plan afatgjatë. "Prej ditësh kam qenë në tunel, doja të shihja ç'po ndodh", thotë një i ri tjetër. "Nuk është e lehtë të jetosh me raketat, por po të shikosh se sa ashpër po përgjigjet pala tjetër, sigurisht është një ndjenjë e çuditshme."
Është e rrezikshme të qëndrosh jashtë, pasi qytetarët janë porositur të qëndrojnë në tunele të mbrojtur.
Rritet numri i viktimave
Por shumica e raketave këtë herë kalojnë përtej Sderotit. Qëllimi është Jeruzalemi, Tel Avivi dhe Harera. Pamje direkte nga televizioni izraelit tregojnë eliminimin e raketave përmes sistemit antiraketor. Siç ka bërë të ditur një zëdhënëse e ushtrisë, dy raketa u eliminuan të mërkurën në afërsi të metropolit, Tel Aviv. Krahu i armatosur i Hamasit ka kërcënuar tani me rritjen e rrezes së veprimit të raketave "duke sjellë me këto surpriza."
Prej ditësh militantët sulmojnë Izraelin me raketa, të martën raketat arritën deri në Tel Aviv dhe Jeruzalem. Sipas të dhënave të forcave palestineze të shpëtimit tetë vetë kanë humbur jetën. Me këtë numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftimeve është rritur në 30 vetë, ndër ta edhe fëmijë. 250 vetë janë plagosur, njoftojnë mediat palestineze. Ndërkohë nuk ka raportime për viktima të sulmeve me raketa në Izrael.
Të gjitha opcionet mbi tryezë
Të martën kabineti izraelit vendosi mobilizimin e 40.000 rezervistëve, të gjitha opcionet janë mbi tryezë, u tha në Jeruzalem, nuk përjashtohet një ofensivë tokësore. Nga qarqet ushtarake izraelie flitet për një "shkallëzim disahapësh" të aksioneve ushtarake. Vëzhguesit ushtarakë thonë se edhe politikanë të lartë të Hamasit mund të jenë objektiv i sulmeve izraelite. Ndoshta për këtë arsye udhëheqja politike në Gaza është fshehur. Që në fundjavë politikanët e Hamasit dhanë sinjale për negociata.
Presidenti amerikan, Barack Obama, u ka bërë thirrje palëve në konfliktin e Lindjes së Afërt të tregohen të përmbajtura. Në një artikull për gazetën javore gjermane "Die Zeit" presidenti amerikan apelon ndaj të gjitha palëve pas vrasjes së tre të rinjve izraelitë dhe aktit hakmarrës të të riut palestinez për të mbrojtur të pafajshmit dhe të reagojnë me arsye dhe maturi e jo me hakmarrje e dhunë. SHBA ende e shohin zgjidhjen me dy shtete si mundësine e vetme për paqen e qëndrueshme në rajon, theksoi Obama. Presidenti amerikan e cilösoi si të panegociueshme mbështetjen amerikane për Izraelin.