180309 Irak Flüchtlinge
19 Mars 2009 Të parët mbërrijnë pasdite në aeroportin Hanover-Langenhagen. Ata janë irakianë, që jetojnë momentalisht në kampet e refugjatëve në Siri dhe Jordani. Ky është një shkak për të vështruar, se si është situata e refugjatëve irakianë, të cilët jetojnë prej vitesh në Gjermani. Shumë prej tyre kanë vetëm status duldungu, pra nuk kanë leje të vazhdueshme qëndrimi.
„Unë me të vertetë nuk kam familje. Nuk më ka mbetur më asgjë, në Bagdad, në Irak. Momentalisht unë nuk mund të kthehem në Irak, ai është një vend i përgjakur."
Ghassan El-Zuhairy as që mendon të kthehet në vendlindje. Ky burrë i vogël është njëri prej rreth shtatëdhjetë e dy mijë irakianëve, që jetojnë momentalisht në Gjermani. Tridhjetëvjeçari u arratis në vitin 2002 nga Iraku në Gjermani. Në fakt El-Zuhairy ishte nisur për tek e fejuara në Suedi. Kjo ndodhi në shtator para shtatë vjetësh. Por policia e kapi ilegalisht duke udhëtuar me tren. Ligji evropian i azilit e detyroi El-Zuhairin të qëndronte në Gjermani. Kërkesa për azil iu refuzua. Që prej asaj kohe El-Zuhairi qëndron me status duldungu në Gjermani.
Se çfarë do të thotë kjo, e shpjegon Kai Veber i këshillit për refugjatët në Saksoninë e Poshtme: „Duldung është një dokument, që verteton se personi qëndron ilegalisht në Gjermani, por që dëbimi momentalisht shtyhet deri në një kohë të papërcaktuar."
Arsyeja përse refugjatët irakianë nuk kthehen në vendin e tyre është lufta civile, që vazhdon në Irak. Kjo situatë nuk do të ndryshojë një herë për një herë, mendon Kai Veber nga këshilli për refugjatët në landin gjerman të Saksonisë së Poshtme.
Duldungu për njerëz si Ghassan El-Zuhairy, që jeton në Northeim në Saksoninë e Poshtme, është i lidhur me shumë kufizime. Ai nuk lejohet të lëvizë i lirë brenda Gjermanisë, por duhet të qëndrojë në Saksoninë e Poshtme. Për këtë arsye humbi vendin e punës si mekanik në një ndërmarrje që prodhonte karroceri. Shefi i tij nuk mund ta ngarkonte për të montuar pjesë këmbimi në lande të tjera gjermane. Tani Ghassan El-Zuhairy jeton nga ndihma sociale. „Plane për momentin as që kam. Unë nuk mund të jetoj pa një pikësynim, përndryshe sëmurem, sëmurem nga ana psiqike.“
El-Zuhairy e ka mësuar vetë gjuhën gjermane. Me statusin e duldungut ai nuk ka të drejtë të ndjekë kursin e gjuhës. Por me gjithë vullnetin e tij të mirë pa leje qëndrimi El-Zuhairy, nuk ka shans për t´u integruar në shoqërinë gjermane. Dhe kjo, sipas Kai Veberit nga këshilli për refugjatët në Saksoninë e Poshtme, është e papranueshme, kur kemi parasysh pranimin e refugjatëve të tjerë irakianë nga Siria dhe Jordania, që nis tani. „Nuk mund të thuash nga njëra anë se ne për shkak të situatës në Irak pranojmë të prekur nga lufta në Irak dhe nga ana tjetër mendojmë konkretisht, si t´i kthejmë njerëzit përsëri në luftë. Këto për mendimin tonë nuk përputhen me njëra-tjetrën, duhet të ekzistojë një koncept, që t´u mundësojë të gjithë irakianëve dhe irakianeve një perspektivë në Gjermani.“
Këshilli për refugjatët në Saksoninë e Poshtme përshëndet në parim faktin, që Gjermania ka shprehur gatishmërinë që të pranojë dymijë e pesëqind refugjatë irakianë gjatë këtij viti. Por, krahasuar me gjithsej 2,5 milionë refugjatët nga Iraku që ndodhen në kampet e Sirisë dhe të Jordanisë, kjo është shumë pak, thotë Kai Veber: „Kjo është si një pikë ujë në det, krahasuar me mjerimin në këto vende. Nuk shërben me të vertetë për t´i dhënë fund mjerimit, por është një shenjë e vullnetit të mirë. Mendojmë se nuk duhet lënë me kaq. Që ndihma të ketë efekt, Gjermania duhet të bëjë dhjetëfishin. 25.000 vetë do të ishte për ne një numër i arsyeshëm. Kjo korrespondon me numrin, që Gjermania ka pranuar në vitet 80-të, kur ishte fjala për të shpëtuar nga deti i Kinës jugore vietnamezët, të ashtuquajturit Boat people.“
Ndërkohë Ghassan El-Zuhairy do të ishte i kënaqur, sikur t´i jepej mundësia për një perspektivë në Gjermani. Për Suedinë nuk ëndërron më. Pesë vjet e priti e fejuara. Pastaj hoqi dorë dhe u martua me një tjetër.
Autor : Eva Vëlker / Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama