Rrezik nga terrori i majtë dhe i djathtë në Greqi
12 Tetor 2014Policia e kishte prej një kohe të gjatë nën vëzhgim 31-vjeçarin e dyshuar për terrorizëm, përpara se ta arrestonte në fillim të tetorit në lagjen athinase Byron. Ai akuzohet për anëtarësi në një organizatë terroriste dhe një numër aktesh të tjera penale. Sipas informacioneve të gazetës athinase "Kathimerini" ai dyshohet se ka qenë që prej vitit 2009 aktiv në grupin ekstremist të majtë "Lufta revolucionare" dhe konsiderohet si njeri i besuar i terroristit kryesor Nikos Maziotis. Ky ka qenë në arrati që prej vitit 2012 dhe u arrestua në korrik pas një këmbimi zjarri në mes të rrugës.
Maziotis dyshohet se ka marrë pjesë në atentatin kundër ambasadorit gjerman në Athinë në dhjetor 2013. Sipas të dhënave të veta "Lufta revolucionare" që prej vitit 2003 ka kryer atentate të ndryshme ndaj ministrive, stacioneve të policisë dhe bankave. Grupe të tjera të veçanta si "Sekti i revolucionarëve" dhe "Komploti i qelizave të zjarrit" kanë pranuar përgjegjësinë për atentate me zjarr dhe bomba në lagje me popullsi të dendur në kryeqytetin grek. Shumë bujë bëri një tentativë për atentat në metronë nëntokësore të Athinës në 2012. Në momentin e fundit një shofer zbuloi bombën e aktivuar gjatë kontrollit të vagonëve.
Terrorizmi në Greqi po merr dimensione të reja: ky është konkluzioni i Mary Bossi-t, profesore për siguri ndërkombëtare në Universitetin e Pireut. "Më parë atentatet kryheshin vetëm ndaj institucioneve shtetërore, ambasadave të huaja dhe industrialistëve. Ndërkohë ka atentate edhe në hapësira në të cilat lëvizin qytetarë të papërzier. "Në letrat ku pranohet autorësia, atentatorët japin arsye të ndryshme për këtë: disa i herë i akuzojnë qytetarët pikërisht se japë të papërzier pra që nuk ngrenë krye kundër rendit të etabluar".
Nuk ka një profil unik atentatori
Mary Bossi ka shkruar shumë libra për terrorizmin ndërkombëtar dhe në Greqi vlerësohet si një eksperte e provuar për çështje të sigurisë. Shpesh e kanë pyetur sesi funksionojnë terroristët, thotë ajo. Një përgjigje e vetme në të vërtetë nuk është e mundur, pasi nuk ekziston një skenë homogjene ekstremiste dhe as një profil unik atentatori. Megjithatë ka të përbashkëta: bëhet fjalë thuajse gjithnjë për të rinj dhe bie në sy që ata i kanë lënë pas betejat ideologjike të së kaluarës. Ata janë ndarë përfundimisht nga marksizëm-leninizmi. Nga ana tjetër gjejnë mbështetje ideologjike gjithnjë e më shumë tek anarkizmi, shpjegon profesorja nga Pireu.
Marksizëm-leninizmin ishte ideologjia e grupit deri tani më të rrezikshëm terrorist "17 nëntori", që mban emrin e datës së kryengritjes së studentëve kundër diktatorës ushtarake në vjeshtë 1973. Ndër viktimat e grupit terrorist ishte edhe një industrialist, një botues gazetash si dhe diplomatë nga Britania e Madhe dhe SHBA. Edhe një atentat me antitank ndaj rezidencës së ambasadorit gjerman në 1999 shkon në llogari të tyre. Vetëm në 2002 organizata ilegale u zbulua pas hetimesh disa dekada të gjata. Por ajo vazhdon të jetë në kryetitujt e gazetave: në fillim të vitit Christodoulos Xiros, një anëtar i dënuar i grupit shfrytëzoi një pushim nga burgu për t'u arratisur dhe nuk e kanë kapur ende.
Tani shumë druajnë se 56-vjeçari përgatit atentate të reja ose i kalon përvojën e tij brezit të ri të terroristëve. "Në Greqi ka pasur një cikël të parë terrori i cili përfundoi me shkatërrimin e '17 nëntorit', por me kaq problemi nuk është zhdukur", mendon Thanos Dakos, drejtor i përgjithshëm i institutit të njohur athinas ELIAMEP. Qoftë për shkak të mosveprimit dhe optimizmit të gabuar të autoriteteve qoftë për shkak të kushteve sociale në vend: terrorizmi është ende i pranishëm në shoqërinë greke, shpjegon Dokos në bisedë me DW. Radikalët morën hov të veçantë në dhjetor 2008 pas vdekjes së një 15-vjeçari që humbi jetën nga një plumb i policisë në lagjen e autonomëve Exarcheia.
Radikalizim në kohë krize
Për Dokos është shqetësuese që pikërisht në kohëra krizash shumë të rinj grekë marrin kontakt me ideologjinë radikale dhe vetëm atëherë gjejnë socializimin e tyre politik. Qoftë terrorizmi i majtë, qoftë ai i djathë janë tejet të rrezikshëm por ka disa ndryshime, mendon analisti: "Për demokracinë në Greqi terrorizmi i djathtë paraqet një rrezik më të madh pasi ai vepron hapur dhe merr në shënjestër grupe të tëra sociale, në veçanti imigrantët. Nga ana tjetër, pikërisht për këtë arsye elementët nga ky mjedis identifikohen më lehtë."
Për vite me radhë trupat e terrorit të partisë ekstremiste të djathtë "Agimi i artë" u nënvlerësuan. Kriza ekonomike duket se i hapi të gjitha portat këtij grupimi: që prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2012, partia është e përfaqësuar në parlamenti me 18 deputetë. Pas vrasjes së një muzikanti grek, aktivist i majtë, nga anëtarë të dyshuar të "Agimit të artë" në shtator 2013, ka hyrë në veprim prokuroria. Ajo akuzon sot gjithsej 32 anëtarë të partisë se e kanë kthyer grupimin e ekstremit të djathtë në një "shoqatë kriminale". Kryetari i partisë Nikos Michaloliakos dhe anëtarë të tjerë drejtues gjenden në arrest hetimor. Procesi i tyre pritet të fillojë në nëntor.
Mungesa e perspektivës për shumë të rinj dhe zhgënjimi i tyre me politikanët e konsumuar përbëjnë një përzierje shpërthyese, druan analisti Thanos Dokos. Ekspertja për aktivitetin terrorist Mary Bossi mendon se partitë politike duhet të veprojnë: "Të rinjtë kanë vizione, tensione të brendshme dhe një prirje për polemikë. Për këto partitë e etabluara nuk gjejnë përgjigje." Për këtë arsye pikërisht rinia krijon botë paralele të cilat nuk përputhen me debatet aktuale politike dhe ideologjike në vend.