Rutte është Sekretari i Përgjithshëm i ri i NATO-s
1 Tetor 2024Mark Rutte është Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s. Pas dhjetë vitesh në detyrë, Jens Stoltenberg ia dorëzoi postin ish-kryeministrit holandez gjatë një ceremonie në selinë e Aleancës në Bruksel.
Rutte, 57 vjeç, u zgjodh në fillim të kësaj vere nga qeveritë e 32 vendeve anëtare të aleancës së mbrojtjes transatlantike për këtë post. Ai do ta mbajë atë për të paktën katër vjet. Mandati i tij më pas mund të rinovohet.
"Marku ka sfondin e përsosur për t'u bërë një Sekretar i Përgjithshëm i madh," tha Stoltenberg. Rutte ishte kryeministër për 14 vjet dhe udhëhoqi katër qeveri të ndryshme koalicioni, kështu që ai di të bëjë kompromis dhe të ndërtojë konsensus. Dhe këto janë aftësi që vlerësohen shumë në NATO.
Rutte tha se mezi priste të niste punën. Prioriteti i tij është të ruajë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, të rrisë shpenzimet e mbrojtjes dhe të forcojë partneritetet midis aleancës ushtarake dhe vendeve në rajone të tjera të botës, veçanërisht në Azi dhe Lindjen e Mesme.
Pas marrjes së postit, Rutte tha se "ne do të vazhdojmë ta afrojmë Ukrainën me NATO-n". "E drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje nuk përfundon në kufi".
Paralajmërim ndaj Kinës
Lidhur me Kinën, Rutte tha se "Kina është bërë një katalizator vendimtar në luftën e Rusisë në Ukrainë". Ai paralajmëroi se Kina "nuk mund të vazhdojë të ushqejë konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore pa pasur ndikim në interesat dhe reputacionin e saj"
Kohë e shumë krizave - dhe ndryshim pushteti në SHBA
Transferimi i pushtetit nga Stoltenbergu te Rutte-ja vjen në një kohë të shumë krizave. Lufta e agresionit rus në Ukrainë po zhvillohet në kufijtë e aleancës së mbrojtjes.
Një sfidë veçanërisht e rëndësishme për holandezin mund të vijë nga Shtetet e Bashkuara: në rast të një fitoreje të mundshme të ish-presidentit amerikan Donald Trump kundër kandidates demokrate për president Kamala Harris në fillim të nëntorit, kohezioni i NATO-s është në rrezik: aftësia e Shteteve të Bashkuara për të përmbushur plotësisht angazhimin për ndihmë nën udhëheqjen e tij. Trump madje kërcënoi në një moment se do të tërhiqte SHBA
Rutte ka reputacionin se kuptohet me Trumpin
Rutte është konsideruar si person që kuptohet me Trumpin, që nga takimi me të në vitin 2019. Trumpi tha atëherë se ai dhe Rutte ishin bërë miq. Ai i quajti marrëdhëniet mes Holandës dhe SHBA më të mira se kurrë.
Rutte tha pak para marrjes së postit në Bruksel se mund të punonte si me Harris-in, ashtu edhe me Trump-in, "pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve".
Sekretari i Përgjithshëm duhet të bëjë kompromise
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s duhet të krijojë kompromise ndërmjet shteteve anëtare. Ai gjithashtu mund të bëjë propozime për veprim, ndaj luan një rol vendimtar, veçanërisht në kohë krize ose konflikti. Ai është gjithashtu Shefi i Personelit dhe drejton Shtabin e NATO-s si kryeadministrator. Të gjitha këto funksione e bëjnë atë një figurë kyçe në politikën e sigurisë.
NATO është aleanca kryesore e politikës së sigurisë në botë.Ajo bashkon interesat e sigurisë të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Sot NATO ka 32 vende anëtare të cilat së bashku ndjekin objektivat e tyre të sigurisë dhe mbrojtjes. Në rast të një sulmi, vendet janë zotuar të mbështesin njëri-tjetrin.
ag/tg