Syrien NATO
1 Shtator 2011Ministrat e Jashtëm të BE duan t'i ashpërsojnë sanksionet kundër Sirisë dhe me sa duket kanë vendosur të ndalojnë importimin e naftës nga ky vend. Me këtë masë do të ndëshkohet mënyra e dhunshme e veprimit të regjimit të Damaskut kundër lëvizjes siriane të protestës dhe të detyrohet të kalojë në qëndrim të moderuar presidenti Bashar al Assad.
Një ndalim importi i naftës siriane nga BE mund t'i shkaktojë vështirësi Damaskut: rreth 90 përqind e eksporteve siriane të naftës shkojnë në BE. Në vitin 2010, me 32% Gjermania ishte importuesi më i madh ndër vendet importuese të naftës siriane. Nga pikëpamja evropiane, Siria vërtet është vetëm një furnizues i vogël dhe evropianët e kanë të qartë: po të tërhiqet Evropa, atë do ta zëvendësojë ndoshta Kina, etja për naftë e së cilës është e pafundme. Madje edhe për rastin sikur të mos gjendet zëvendësues: Libia sapo ka kaluar gjashtë muaj, ku nuk eksportoi thuajse asgjë, edhe eksportët e naftës së Irakut, shumë vite pas rrëzimit të Sadamit nuk janë normalizuar. Por pakësimi ose ndalimi i eksporteve të naftës në të dy vendet nuk çoi në fleksibilitet më të madh të sistemit politik.
Dilemë evropiane ndaj "pranverës arabe"
Ashpërsimi i qendrimit të BE përballë Sirisë vjen vetëm pak ditë pas rrëzimit të udhëheqësit libian Muammar al Gaddafi. Kjo ndriçon sërish dilemën, që ka Evropa me vendet e "pranverës arabe". Megjithë kalimin me sukses të angazhimit ajror në Libi, konsiderohet e sigurtë që as BE dhe as NATO-ja nuk do të angazhohen për herë të dytë në këtë mënyrë. As SHBA: ato po përgatiten të tërheqin pjesën më të madhe të trupave të tyre nga Iraku dhe Afganistani dhe qoftë edhe për këtë shkak nuk janë të interesuara për një aventurë të re ushtarake. Shkaqet nuk kanë të bëjnë me lodhjen nga lufta të këtyre shteteve, por më tepër me kompleksitetin e konfliktit në Siri:
Në dallim nga Libia me gjashtë milionë banorë, Siria ka katër herë më shumë banorë. Në rastin e një përmbysjeje ose edhe në rast zgjerimi të trazirave të dhunshme në Siri kërcënojnë pasoja të paparashikueshme për vendet fqinje dhe për të gjithë rajonin e Lindjes së Afërt. Pasi Evropa ose edhe shtete të tjera të botës deri tani nuk kanë qenë në gjendje të paqëtojnë konflikte në rajon, ose që t'i zgjidhin ato, sigurisht që tregohet kujdes që një vatër e re konflikti të mos përhapet.
Lidhja e Sirisë me rajonin dhe problemet e tij janë të shumëllojshme. Kështu, Siria sot është kundërshtari i fundit që mund të merret seriozisht i Izraelit në konfliktin "klasik" të Lindjes së Afërt- megjithë përpjekjet e përsëritura, por të gjitha të dështuara, për të zhvilluar negociata paqeje me Izraelin. Damasku është qendra e "frontit të refuzimit" të palestinezëve, para së gjithash të Hamasve, shefi i të cilëve, Khaled Mashal operon pikërisht që nga Siria. Megjithatë, në Izrael zhvillimet në Siri ndiqen me ndjenja të përziera: sado pak që vlerësohet Bashar al Assadi, atë e konsiderojnë gjithsesi një "personalitet të parashikueshëm" në veprimet e tij.
Siria - e lidhur me shumë forma me rajonin
Më tej, Damasku vazhdon të jetë i interesuar për shkaqe historike dhe të politikës së pushtetit ndaj zhvillimeve në Liban, ku- së bashku me Iranin- mbështet "Hizbollatë" shiite. Dhe Siria është i vetmi aleat arab i Iranit. Kjo në një kohë, kur vetë Teherani e paralajmëroi pak kohë më parë Damaskun, që t'i marrë më seriozisht kërkesat e qytetarëve të tij.
Për të gjitha këto shkaqe, Evropa dhe SHBA e kanë shumë më të vështirë të ndërmarrin diçka kundër gjakderdhjes në Siri. Angazhimi ushtarak përjashtohet për shkak të përhapjes së mundshme të konfliktit. Por vetëm sanksionet- siç janë ndalimi i importeve të naftës nga Libia - ka pak gjasa që ta bëjnë Damaskun të ndryshojë qendrim.
Autor: Peter Philipp/ Auron Dodi
Redaktoi: Elert Ajazaj